Banorët e Unazës së Re në kryeqytet, të cilët kundërshtojnë prishjen e banesave të tyre, siç e parashikon projekti për ndërtimin e Unazës së Madhe, kanë nisur protestën këtë pasdite.
Banorët janë vendosur pranë mbikalimit, duke bllokuar të dyja akset e rrugës që kalon aty. Kjo është dita e 26-të e protestës. Banorët kanë bërë thirrje që policia të lirojnë personat e arrestuar.
Zyrtarisht, policia njoftoi se, 2 persona u arrestuan (Romeo Llulla dhe Kujtim Ylli) dhe u proceduan penalisht 20 persona të tjerë, lidhur me protestën e mbrëmjes së djeshme. Burime policore thanë se, veprimet e efektivëve janë bërë gjatë mbrëmjes së djeshme dhe gjatë kësaj të enjteje.
Protesta
Një prej protestuesve, u shpreh për gazetarët nga terreni se, vëllanë ia arrestoi policia këtë paradite. Ai deklaroi se shtëpinë do ta “mbrojë me gjak”.
“Po na morri shtëpinë le të më marri dhe nderin e gruas”,- tha i revoltuar banori.
Ndërkohë, deputeti demokrat Klevis Balliu, i pranishëm në protestë, tha se arrestimet janë bërë me urdhër politik me qëllim që banorët të tërhiqen nga protestat.
“Sot edhe njëherë, policia e shtetit, nën urdhrat e Edvin Kristaq Ramës, ka nxjerre flet-arresti për Kujtim Yllin, një burrë i moshuar, duke e lënë kujtimin në qelitë e rajonit numër 2. Arrestimet bëhet për të trembur banorët e Unazës së Re, që mos të protestojnë. Por, për çdo banor të Unazës që do arrestojë, do të shtohen 100 të tjerë. Arrestimet kanë ardhur pas rrëzimit të disa hekurave të një biznesmeni Salillari”, tha Balliu.
“Me këto lëvizje amatoreske, nuk na impresionon. I bëj thirrje Ramës: Hajde këtu dhe zgjidhi problemin banorëve, se këtu s’vendos as ti, as Veliaj. Koha e bandave ka marrë fund, ka ardhur koha e qytetrëve, hapi veshët dhe dëgjoi përndryshe do t’iu pijë e zeza”, apeloi ligjvënësi i PD-së.