Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro ka refuzuar dje dëgjesën me artistët në Komisionin e Medias. Deputeti i PS-së, Fidel Ylli, ka sqaruar deklaratën e kryeministrit Rama për shembjen e Teatrit, duke thënë se ka shprehur dëshirë politike, dhe s’ka vendim për të. Mes debateve të ashpra artistët janë ndalur edhe njëherë se nuk pranojnë projektin e ri me kulla, që grabit pjesë nga trualli i Teatrit…
Ndërkohë që në oborrin e teatrit është instaluar një tryezë e vogël ku çdo ditë plotësohet me firma të qytetarëve që nënshkruajnë peticionin drejtuar qeverisë për ta shpallur Teatrin Kombëtar, monument kulture, rezistenca e aktorëve vazhdon në javën e dhjetë të takimit të tyre. Motoja dje ka qenë: Si shpëtohet një teatër? Lëvizja për mbrojtjen e Teatrit, nga një deklaratë e kryeministrit Edi Rama qysh në vitin 2016, se teatri do të shembet, është bërë më e prekshme kur në shkurt të këtij viti doli edhe projekti për ndërtimin e kullave, që zaptonte më shumë se gjysmën e hapësirës së truallit nga teatrit. Mos shembja e Teatrit dhe ligji për artin skenik ishin kërkesat qysh në fillim e lëvizjes së aktorëve të organizuar tani në sindikatën e artistëve të skenës dhe ekranit, dhe i të gjithë komunitetit nën ombrellën e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.
Nga takimi i javës së kaluar me ftesë të personalizuar për çdo deputetët aktorët mundën të tërheqin për t’u prononcuar vetëm disa prej tyre, që ishin më së shumti deputetë të opozitës. Ndërsa dje, deputetët kishin siguruar pranë Komisionit të Medias një dëgjesë me një grup artistësh, ku ministrja e Kulturës ka refuzuar takimin, me argumentin e agjendës së ngjeshur. Kur aktorët dje ishin përgatitur me një tufë informacionesh me qëllim përfshirjen e Teatrit në zonën e mbrojtur historike, dhe shpalljen e tij monument kulture, deputeti i PS-së, Fidel Ylli ka sqaruar deklaratën e kryeministrit Rama se “Teatri Kombëtar do të shembej”. Ylli tha se kjo ka qenë një dëshirë politike e kryeministrit, dhe s’ka vendim për Teatrin. Me këtë kontradiktë “thëniesh”, kryetari i sindikatës së artistëve Alert Çeloaliaj tha ndër të tjera se: “Qysh prej datës 8 shkurt të këtij viti, jemi shprehur se ideja për prishjen e TK dhe TKES është e papranueshme. Pasqyruar kjo edhe me 90 firma të datës 8 shkurt, të komunitetit teatror, drejtuar Ministrisë së Kulturës, ku kërkonim debat të hapur publik për këtë temë, por MK akoma nuk ka pranuar që të ulet apo t’i japë përgjigje komunitetit teatror. Për më keq në një letër të hapur të MK, që i drejtohet zotit Ndrenika dhe komunitetit teatror, u kujtojnë se nëse kanë heshtur më parë, nuk kanë më të drejtë fjale tani. A thua se demokracia edhe e drejta e fjalës është një ndërtesë katolike, ku ose flet tani, ose hesht përgjithmonë. Është paradoksale se pas viteve ’91, punonjës ofiçinash të grazhdeve edhe punishteve të pastave, si grup i drejtpërdrejtë i interesit i kanë privatizuar ato, ndërsa komitetin teatror pavarësisht se është shprehur qartazi pro publikes, sepse teatri është art kolektiv edhe publik i kërkohet të heshtë, duke iu mohuar e drejta e fjalës. Gjithsesi, duke u harruar se edhe pse komuniteti kishte folur fort në vitet 1988 dhe 2002 për nevojën emergjente për ruajtjen edhe rikonstruksion e TK, në një moment sinqeriteti letra e ministrit të Kulturës shpreh qartë përgjegjësinë për situatën e TK sot”.
Në fjalën e tij, Fidel Ylli u ndal në pikën më delikate për të cilën protestohet që lidhet me grabitjen që i bëhet me ndërtimin e kullave, nën projektin qeveritar të partneritetit publike duke folur ndër të tjera dhe për gjendjen e teatrit: “Në lidhje me Teatrin Kombëtar nuk ka asnjë projekt as nga bashkia dhe as nga qeveria, por nga një firmë private, e cila ka tokën atje mbrapa, ka edhe zyrat, e cila ka ofruar një projekt, duke marrë përsipër të ndërtojë një teatër bashkëkohor që vlen 20 milionë euro. Këtë kërkesë ia ka bërë Bashkisë së Tiranës, e cila ia ka paraqitur kryeministrit dhe këshillit të Ministrave, për ta shqyrtuar mundësinë për t’u ulur me firmën dhe për të kuptuar aspektin ligjor, për çfarë do të negociohet, cilat janë benefitet e të dyja palëve. Pra është vetëm një ofertë, nëse qeveria do të ulet për të biseduar me firmën ose jo dhe nuk ka asnjë vendim të tillë. Sa i takon Teatrit Kombëtar e kam ndjekur me kujdes dhe kam edhe dosjen me vlerësimet e institucioneve që e specializuara për të dhënë verdiktin për këtë ndërtesë, të cilat janë skandaloze. Janë argumente të inxhinierëve dhe konstruktorëve, sipas të cilëve aty vetëm teatër nuk mund të bëhet më. Shqipëria dhe aktorët e mrekullueshëm që kanë dalë në vite, kanë nevojë për një teatër të ri kombëtar”. Ndërsa kryetari i sindikatës së artistëve, Çeloaliaj duke iu rikthyer çështjes së rrezikshmërisë së deklaruar se ka godina e Teatrit, tha se: “Thuhet se TK është në rrezik shembje edhe zjarri edhe ndërkohë nuk merret asnjë masë, duke vënë në rrezik jetën e spektatorëve edhe të trupës. Nëse nuk ekziston ky rrezik, kjo quhet përhapje paniku. Nëse rreziku ekziston, atëherë përse nuk merren masa? Por nuk ka asnjë dokument që vërteton parikuperueshmërinë e TK”. Prej 30 vitesh nga ky komunitet është kundërshtuar ideja e shembjes së teatrit, edhe pse është thënë se nuk ka para për ndërtimin e TK, dhe se zgjidha e vetme është shembja dhe nëpërmjet PPP të ngrihet një teatër më i vogël dhe më modern, ndërsa pjesa tjetër e teatrit të kompensojë investimet private për ndërtimin e teatrit të ri. “…Ekzekutivi dhe ne si komunitet nuk i kemi rezauruar të gjitha mënyrat e mbledhjes së fondeve për rekonstruktimin e teatrit…Ftoj zotin Pandeli Majko, i vetmi kryeministër shqiptar që ka bërë vërtet diçka për TK, që ashtu si në vitin 2002 mbështetur nga 65 deputetë të të gjithë spektrit politik, të prononcohet pro ruajtjes dhe restaurimit të TK dhe TKES”, ka deklaruar mes të tjerash Çeloaliaj. “Në programim elektoral të vitit 2013-’17 premtohet rikonstruksioni i plotë i TK. Në katër vite nuk paguhet asnjë qindarkë. Në prill të vitit 2014, ministrja, drejtori i TK dhe drejtoresha e IMK-së, kanë deklaruar në kor se teatri ka rrezik jete. Unë nuk di asnjë rast tjetër që një titullar të deklarojë se një ndërtesë publike përmban rrezikshmëri jete edhe nuk e bllokon dhe nuk e restauron për katër vite. Fondet janë inekzistente. Kam kërkuar informacion dhe nuk më është dhënë prej 6 muajsh për këtë situatë. Na thuhet se ndërtesa ka azbest, por askush s’na thotë burimin e informacionit, ndërsa burimi që kemi ne është ai i firmës që e ka ndërtuar, edhe në 15 faqet e tij nuk ekzistojnë këto fjalë…Që ta keni të qartë se çfarë masakre po i bëhet TK-së, duhet që të dini se nëse shkatërrohet TK, shkatërrohet një stil i veçantë arkitekturor, që sot janë në mbrojtje në të gjithë botën…Nëse Kombinati i Tekstileve, që është një gërmadhë, që mund të jetë edhe e rrezikshme, se ka 25 vite, që atje nuk punohet, por kjo qeveri e ka shpallur Monument Kulture. Sipas meje ka bërë shumë mirë, por a nuk duhet që me të njëjtën logjikë të shpallet edhe TK monument kulture”, është shprehur Kastriot Çipi, regjisor dhe anëtar i SASE.
Ndërsa deputeti i PS-së, Fidel Ylli bëri pothuaj një deklaratë politike në emër të kryeministrit kur tha se: “Por format e partneritetit publik-privat, nuk i kemi shpikur ne, i kemi marrë në botë. Stadiumet me kullë janë në të gjithë botën, jo thjesht për të ndihmuar biznesin, por edhe për shkak të arkitekturës…. Por ju siguroj që nuk ka asnjë vendim qeverie, nëse do të shembet apo nuk do të shembet”.