Kalimi i afateve të marrjes së masës së ndëshkimi për kundravajtje administrative ka detyruar KQZ-në të heqë dorë nga gjobat për 53 partitë që nuk respektuan kriterin e barazisë gjinore. 720 milionë lekë do i mungojnë arkës së shtetit.
Partitë politike që në zgjedhjet e fundit vendore nuk zbatuan detyrimin ligjor për të pasur në listat e kandidatëve për këshilla 30 për qind të emrave femra, i kanë shpëtuar paq ndëshkimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kjo pasi KQZ-ja ka hequr dorë përfundimisht nga miratimi i projektvendimit për të ndëshkuar 53 parti politike me gjoba që shkonin në total në shumën e 720 milionë lekëve të vjetra, pikërisht për mosplotësim të këtij përcaktimi të Kodit Zgjedhor. Megjithëse nuk ka një vendim për këtë tërheqje të KQZ-së, burime pranë saj kanë bërë të ditur se tashmë është hequr dorë prej këtij projektvendimi, për shkak se ai është ndërmarrë nga ky institucion jashtë afateve ligjore.
Tërheqja
Arkës së shtetit do t’i mungojnë këtë vit 720 milionë lekë të vjetra, të cilat do mund të siguroheshin në rast se 53 subjekte zgjedhore që morën pjesë në zgjedhjet e fundit lokale do të ishin gjobitur për mosrespektim të kriterit të barazisë gjinore për përbërjen e listave të kandidatëve për këshilltarë komunash dhe bashkish. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duket se është vënë në vështirësi për miratimin e projektvendimit të përgatitur për këtë qëllim, kjo për shkak se subjektet zgjedhore kanë paraqitur argumente që e kontestojnë këtë nismë si në kundërshtim me ligjin “Për kundravajtjet administrative”. Shkelja kësaj radhe është e vetë KQZ-së, e cila teksa është përpjekur të respektojë Kodin Zgjedhor në hartimin e këtij projektvendimi, nuk ka respektuar detyrimet që përcakton ligji “Për kundravajtjet administrative”, sipas të cilit përcaktohet se masa merret 30 ditë nga konstatimi i shkeljes dhe jo më vonë se 6 muaj nga ndodhja e saj. Afate këto që në të dyja rastet janë shkelur, pasi 6-mujorshi i ndodhjes së shkeljes administrative nga partitë politike ka shumë kohë që ka kaluar, ndërkohë që ka kaluar edhe afati i dhënies së masës ndëshkuese prej 30 ditësh nga konstatimi i shkeljes. Një argument të tillë e paraqiti në mbledhjen e fundit të mbajtur nga KQZ-ja për këtë çështje përfaqësuesi ligjor i PS-së, Genc Gjonçaj, çka duket se vuri në vështirësi Komisionin, i cili u tërhoq për konsultime, ndërsa më pas shtyu mbledhjen për një afat të pacaktuar. Por tashmë KQZ-ja ka hequr dorë përfundimisht nga kjo nismë e saj, pasi argumentet e paraqitura nga subjektet zgjedhore duket se kanë qenë të vlefshme.
Gjobat
Tërheqje kjo që shkon në favor të subjekteve zgjedhore, por në disfavor të të ardhurave të shtetit. Kjo sepse në rast se KQZ-ja do të merrte këtë vendim, në radhë të parë subjektet elektorale do të ndëshkoheshin për një shkelje ligjore, duke mos respektuar detyrimin për të pasur një minimum përfaqësimi të përcaktuar të kandidatëve nga secila gjini. Kjo do t’u shërbente këtyre forcave si një mësim që një gjë e tillë të mos ndodhte më, pasi edhe gjobat që ato do duhet të paguanin parashikoheshin të ishin të majme. Kështu sipas projekt-aktit, PS-ja është subjekti zgjedhor që në zgjedhjet e 8 majit rezulton të ketë respektuar më pak se çdo forcë tjetër politike kriterin gjinor për listat e kandidatëve për këshillat komunalë dhe bashkiakë. Bëhet fjalë për plot 242 njësi, ku PS-ja rezulton të mos ketë përmbushur këtë kriter dhe për rrjedhojë, nga përllogaritja e bërë, ku për çdo njësi dënohesh me 300 mijë lekë, kjo forcë politike duhet të paguajë 7.2 milionë lekë të reja. E dyta në radhë vjen Lëvizja Socialiste për Integrim, me 212 njësi dhe me një vlerë gjobe prej 6.3 milionë lekësh të reja. E treta renditet PBDNJ-ja, me 163 njësi shkelje dhe me vlerë gjobe 4.9 milionë lekë të reja. Më pas në radhë është Partia Demokratike, me 153 njësi me shkelje dhe me një vlerë gjobe prej afro 4.6 milionë lekësh të reja. Pastaj vijnë me radhë PSD-ja, me 4.3 milionë lekë gjobë, PLL me 3.3 mln, PDS 3.2 mln, PDK me 2.9 mln etj.
Gjobat e propozuara për çdo parti
Aleanca Arbnore Kombëtare 630 000 lekë
Aleanca Demokratike 2 520 000 lekë
Aleanca Europiane Ekologjike 450 000 lekë
Partia Bashkimi Liberal Demokrat 2 850 000 lekë
Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve 90 000 lekë
Lëvizja për Zhvillim Kombëtar 2 100 000 lekë
Lëvizja Socialiste për Integrim 6 360 000 lekë
Lidhja Demokristiane Shqiptare 2 370 000 lekë
Partia Agrare Ambientaliste 2 730000 lekë
Partia Aleanca Demokristiane 720 000 lekë
Partia Aleanca e Maqedonasve 60 000 lekë
Partia Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet 660 000 lekë
Partia Aleanca Popullore 660 000 lekë
Partia Ardhmëria Shqiptare 150 000 lekë
Partia Balli Kombëtar 2 640 000 lekë
Partia Balli Kombëtar Demokrat 1 350 000 lekë
Partinë Bashkimi Demokrat Shqiptar 720 000 lekë
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut 4 890 000 lekë
Partia Bashkimi Republikan Shqiptar 360 000 lekë
Partia Demokracia e Re Europiane 420 000 lekë
Partia Demokracia Sociale 3 240 000 lekë
Partia Demokrate për Integrim e Prosperitet 30 000 lekë
Partia Demokratike 4 590 000 lekë
Partia Demokratike e Bashkimit Mysliman 60 000 lekë
Partia Demokristiane 2 910 000 lekë
Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet 1 650 000 lekë
Partia e Çështjeve Shqiptare 90 000 lekë
Partia e Gjelbër 960 000 lekë
Partia e Pajtimit Kombëtar 90 000 lekë
Partia e Punës e Shqipërisë e Riorganizuar 690 000 lekë
Partia e të Drejtave të Mohuara e Re 780 000 lekë.
Partia e Unitetit Kombëtar 570 000 lekë
Partia G 99 1 350 000 lekë
Partia Komuniste 1 260 000 lekë
Partia Konservatore 300 000 lekë
Partia Kristian Demokrate e Shqipërisë 30 000 lekë
Partia Lëvizja e Legalitetit 3 300 000 lekë
Partia Lëvizja Punëtore Shqiptare 60 000 lekë
Partia Lëvizja Punëtore Shqiptare 840 000 lekë
Partia Mendimi i Djathtë Liberal 90 000 lekë
Partia Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen 180 000 lekë
Partia Ora e Shqipërisë 240 000 lekë
Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve 120 000 lekë
Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve 120 000 lekë
Partia Personat me Aftësi të Kufizuar 30 000 lekë
Partia Reformatore Demokratike 240 000 lekë
Partinë Republikane Shqiptare 780 000 lekë
Partia Rruga e Lirisë 240000 lekë
Partia Socialdemokrate 4 350 000 lekë
Partia Socialiste e Moderuar 660 000 lekë
Partia Socialiste e Shqipërisë 7 260 000 lekë
Partia Socialiste e Vërtetë 912 250 000 lekë
Partia Toleranca e Re e Shqipërisë 120 000 lekë