Qeveria shqiptare i ka ardhur në ndihmë Greqisë duke dhuruar 100 mijë euro. Këto para do shkojnë në ndihmë të të prekurve nga tragjedia e zjarrit të madh, i cili ra dy ditë më parë në zonën e Atikës, në Athinë.
Përmes një njoftimi në faqen zyrtrae të Twitter-it të Qeverisë Shqiptare, shkruhet:
“Lutjet dhe mendimet tona kanë qenë me fqinjët tanë të mirë grekë dhe për shqiptarët që jetojnë atje. Ditët e fundit kanë qenë tmerrësisht tragjike, dhe në shpresojmë që ky kontribut i joni modest, t’u vijë në ndihmë në këto kohë të vështira”.
Ky fond do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2018, ndërkohë që ministritë përgjegjëse për zbatimin e këtij vendimi me firmën e kryeministrit Rama janë ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe ajo e Financave.
Ministri i MEPJ, Ditmir Bushati në një postim në rrjetet sociale shprehu solidaritetin e shtetit shqiptar dhe gatishmërinë e vendit për të ndihmuar fqinjët tanë, ndërsa bën të ditur se ambasada shqiptare në Athinë vijon të mbetet në kontakt me autoritetet greke dhe komunitetin shqiptar të prekur nga tragjedia.