UEFA ka bërë sot të ditur listën e lojtarëve të nominuar për të fituar çmimin e “Futbollistit më të mirë” për sezonin 2017-2018. Tre kandidatët janë Luka Modric, Cristiano Ronaldo dhe Mohamed Salah.
Luka Modric fitoi Champions League për herë të tretë radhazi si pjesë e Real Madrid, ndërsa në Kupën e Botës 2018 ishte kapiteni i Kroacisë që shkoi deri në finale. Ai u shpall futbollisti më i mirë në “Rusi 2018”.
Cristiano Ronaldo fitoi Champions për herë të pestë në karrierë dhe për herë të gjashtë u shpall golashënuesi më i mirë në këtë veprimtari. Gjatë verës, ai u transferua nga Real Madrid te Juventus për 100 milionë euro.
Kandidati i tretë është Mohamed Salah, finalist i Champions League dhe golashënuesi më i mirë i Premier League me Liverpool.
Bie në sy se Lionel Messi, “ylli” i Barcelonës i cili ka ngelur jashtë podiumit renditet i pesti, pas Antoine Griezman, futbollistit të Atletico-s që mban vendin e katërt.
Çmimi do të jepet më 30 gusht në një ceremoni ‘gala’ në Montekarlo.
Renditja nga vendi i katërt në vendin e dhjetë: 4.Antoine Griezmann (Atlético & Francë), 5.Lionel Messi (Barcelona & Argjentinë), 6.Kylian Mbappé (Paris & Francë), 7.Kevin De Bruyne (Manchester City & Belgjikë), 8.Raphaël Varane (Real Madrid & Francë), 9.Eden Hazard (Chelsea & Belgjikë), 10.Sergio Ramos (Real Madrid & Spanjë).
80 trajnerët në fazën me grupe të Champions League dhe Europa League, krahas 55 gazetarëve ishin ata që votuan për këtë çmim.
Kandidatët për çmimet e tjera
Portieri i sezonit: Alisson Becker, Gianluigi Buffon, Keylor Navas
Mbrojtësi i sezonit: Marcelo, Sergio Ramos, Raphaël Varane
Mesfushori i sezonit: Kevin De Bruyne, Toni Kroos, Luka Modrić
Sulmuesi i sezonit: Lionel Messi, Cristiano Ronaldo, Mohamed Salah
Më i miri në Europa League: Diego Godín, Antoine Griezmann, Dimitri Payet.