Ish-studentët e rrjetit të shoqatës së Alumnit në Universitetin Europian të Tiranës janë mbledhur dje në një ceremoni speciale duke dëshmuar karrierën e tyre profesionale, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Nën atmosferë festive, të rinj e të reja kanë sjellë përvojat e tyre të suksesit, ku edhe janë ndarë dy çmimet e Karrierës Alumni 2018, për ish-studentët që punojnë brenda dhe jashtë Shqipërisë
Ish-studentët e rrjetit të shoqatës së Alumnit në Universitetin Europian të Tiranës janë mbledhur dje në një ceremoni speciale duke dëshmuar karrierën e tyre profesionale, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Nën atmosferën festive, të rinj e të reja kanë sjellë përvojat e tyre të suksesit. Tashmë është bërë traditë ky takim që prej themelimit të UET, përmes së cilës edhe studentët kanë ndërtuar historinë e tyre personale. Në këtë perspektivë themeluesi i UET, Henri Çili, tha se krijimi i traditës dhe historisë është nga gjërat më të vështira për një institucion arsimor, ku UET ndihet krenar që ka legjitimuar në shoqërinë shqiptare edhe termin Alumni. Në një dekadë studentët janë përballur me tregun e punës që për UET shënon një vit jubile të “testimit madhor të efektshmërisë dhe vendit që zë”.
Duke përshëndetur edhe punën e rrjetit të Alumnit, Çili tha përpara ish-studentëve se: “Nuk ka asgjë më të vështirë sesa të krijosh histori ose të krijosh traditë. Ju vetë e keni provuar në botën e punës, sesa përpjekje milimetrike duhen çdo ditë për të krijuar CV-në tuaj ose historinë tuaj. Është e njëjta gjë edhe për universitetin tonë dhe 8500 të diplomuarve tanë në 9 vite, sepse viti tjetër është viti i dhjetë i diplomimit. Këto janë detajet e historisë së Universitetit Europian të Tiranës. E dyta që doja të thoja është fakti që UET ndihet krenar bashkë me ju që ka legjitimuar në shoqërinë shqiptare termin “Alumni”. Ne jemi shoqata e parë Alumni në Shqipëri në vitin 2010 me kryetar Rudin Lalën. Kemi vazhduar më tej me Ervin Saljanin, me Eneda Tarifën dhe Adela Danaj. Unë them që Alumni ka filluar ta japë efektin e vet. Besoj se secili prej jush kanë filluar ta mbështesin njëri-tjetrin dhe kjo është një nga detyrat themelore të një universiteti. Një universitet i këshillon të rinjtë të zgjedhin karrierën, i përgatit ata por edhe i shoqëron më tej gjatë gjithë jetës. Mesazhi i tretë dhe i fundit që doja të thoja është ideja e një dekadë me studentët tanë në tregun e punës.
Një dekadë e universitetit është një aspekt, por një dekadë në tregun e punës nga viti që vjen, i cili do të jetë një vit jubile. Ju ftoj në një proces të madh që nis nga shtatori për të identifikuar 100 studentët tanë më të suksesshëm në tregun e punës, 100 më të mirët dhe sipërmarrës, si edhe 100 talentet sepse janë vërtet talente. Duhet të jesh talent që të ecësh në tregun ndërkombëtar të punës. Sa më shumë universiteti rritet aq më shumë diploma juaj forcohet”. Presidente e UET Alumni, Adela Danaj, tha se ky takim realizohet çdo vit, dhe se mbledhja e djeshme merrte më shumë rëndësi duke shpallur dy çmime karriere.
Çmimi i karrierës së UET Alumni International 2018 iu dha Arjola Limanit, dhe çmimi i karrierës UET Alumni 2018 iu dha Fation Shehut.
Ky vlerësim vjen si rezultat i një tjetër tradite që UET ka kultivuar ndër vite. Duke qenë se një pjesë e madhe e studentëve tanë kanë patur një karrierë profesionale të shkëlqyer jashtë Shqipërisë, menduam se do të ishte më mirë që çmimi i Karrierës mos t’u takonte vetëm atyre që janë këtu, por edhe atyre që punojnë jashtë.
Dekani i UET, Tonin Gjuraj duke e cilësuar një mbrëmje speciale mbledhjen e ish-studentëve të UET kujtoi se më 1 maj 2010 është nisur takimi i Alumnit, duke forcuar këtë traditë për tetë vite me radhë. “Në atë kohë një bërthamë e vogël ish të diplomuarish, ndërsa sot Universiteti Europian i Tiranës ka rreth 8500 të diplomuar. Pra, jemi rritur shumë dhe jemi zgjeruar. Ne në këtë institucion kemi disa zyra, disa institucione të rëndësishme dhe disa njësi themelore. UET Alumnin e kemi një prej qendrave, hallkave apo zyrave më të rëndësishme. Tek Alumni shohim historinë tonë, e cila ka qenë histori suksesi. Nuk ka qenë histori suksesi vetëm i UET, por i gjithë sektorit privat. Shohim të ardhmen e këtij institucioni ndërmjet jush. Dhe së treti, ne e shohim veten tonë në raport me tregun e punës. Ne jemi të vendosur që ta zgjerojmë universitetin Europian në dekadën e tij të dytë me programe të reja studimi. Para një muaji ne kishim një tjetër takim Alumni në kuadër të javës “filantropike”. Nga një universitet i përqendruar në tri fakultete studimi të certifikuara nga ana ligjore dhe e cilësisë, tani do të jemi një universitet universal. Me programe të reja studimi duke filluar nga artet, programet e sportit, inxhinieri, arkitekturë, dhe mjekësi. Jemi në hapat e fundit për t’i certifikuar këto programe. Në këtë kuptim kontributi juaj për këtë institucion do të jetë përcaktues në tri drejtime kryesore: së pari, sa u takon praktikave, sepse jeni ju shumë të zotë dhe shikoni si funksionon dhe sa vlejnë internshipet dhe praktikat në këtë institucion. Së dyti, në prezencën tuaj në bordet e tregut të punës për të bërë një eksponencë të programeve të studimit. Së treti, së bashku me ekipin drejtues, me përgjegjës departamenti dhe dekan jemi të vendosur të zgjerojmë prezencën tuaj në auditor për ata që dëshirojnë mësimdhënien. Në këtë mënyrë ne do të shohim veten edhe nga jashtë”.
Ndërsa administratori i ri i UET, prof. asc. Arbi Agalliu tha se “Nëse deri dje UET krenohej me arritjet në akademi, sot e në vijim UET ka dhe një certifikim të ri në një nga 4 kompanitë më të mëdha të auditimit, që na certifikon për administrimin e ri sipas standardeve ndërkombëtare”. Më pas Danaj ka prezantuar dy ish-studente që kanë ndërtuar karrierën e tyre profesionale jashtë Shqipërisë, kandidate për çmimin e karrierës së Alumnit, që janë Joana Meta e cila është diplomuar në vitin 2014 për financë bankë, dhe Ori Kuçi, e cila ka përfunduar studimet më 2011 në fakultetin juridik.
Në një video të regjistruar ish-studentja Meta kujtoi vitet e studimit pranë UET, duke thënë se në UET kanë kaluar breza mjaft të përgatitur.
Ndërsa ish-studentja tjetër, që punon në Shqipëri, Ori Kuçi u ndal në përvojën e mësimdhënies akademike në kohën kur studioi në UET. “Ky institucion ka ruajtur një ekuilibër midis pedagogut dhe studentit. Kjo është gjëja më e madhe dhe universale që ka ky universitet. Jam e lumtur sepse shpesh në këtë qytet të vogël shpresat veniten dhe gjen disa komunitete që thonë se ky vend do të bëhet”.
Ka qenë një numër i madh studentësh që u nominuam për çmimin e Karrierës 2018, mes të cilëve u selektuan Arjola Limani (fituesja), Artila Morava, Besara Nezaj, Bora Hysi, Elinda Guri, Fation Shehu, Fationa Koka, Joana Meta, Malvina Spahu.
Fituesi i çmimit të Karrierës Alumni 2018, Fation Shehu duke folur për vlerësimin që iu bë, tha: “Është vlerësim i dyfishtë sepse vjen nga universiteti që ka ndikuar më shumë në karrierën time. Unë jam brezi i parë i UET dhe brezi ynë është brezi që ka parë rritjen e këtij universiteti ditë pas dite. Ne si brez i parë kemi zgjedhur dy elemente të rëndësishme tek UET. Kemi zgjedhur besueshmëri dhe cilësinë maksimale të stafit të përzgjedhur”.