Varfëria ka çuar në vetëvrasje një 65-vjeçar në Tiranë. Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e djeshme në Tiranë, pranë shkollës ‘Kushtrimi i Lirisë’, ku 65-vjeçari Gëzim Çome është gjetur i varur në katin e 4-t të apartamentit në rrugën “Gani Domi”. Trupi i pajetë është gjetur nga gruaja e tij, e cila ka lajmëruar më pas policinë. Policia sqaron se janë ende të paqarta motivet e vetëvrasjes, por nga rrëfimi i të shoqes duket se Çome ka kaluar në gjendje depresive për shkak të kushteve të këqija ekonomike. Gruaja e tij, me origjinë nga Mirdita, po merret gjithashtu në pyetje për këtë ngjarje. Ajo sqaroi paraprakisht se 65-vjeçari mund të jetë vetëvrarë si pasojë e një gjendje të rënduar psikologjike, të cilën po kalonte kohët e fundit. Familja Çome jetonte në Tiranë në kushte modeste ekonomike.