Bashkimi Europian planifikon të përforcojë me 10 mijë trupa të tjerë rojet kufitare për të ndalur emigrimin e paligjshëm deri në vitin 2020.
Por, ai bëri thirrje për më shumë solidaritet, në vend të “zgjidhjeve ad-hoc” për njerëzit që vijnë drejt Europës me gomone a varka të papërshtatshme për lundrim, duke ndërmarrë udhëtime të rrezikshme për jetët e tyre.
Fjalimi i tij preku gjithashtu edhe çështjet më të ndjeshme të bllokut, si populizmi, terrorizmi dhe padyshim “Brexit”.
Në atë që shënon periudhën e fundit 12-mujore të tij në detyrë, Juncker propozoi gjithashtu një aleancë të re mes Europës dhe Afrikës, bazuar mbi bashkëpunimin dhe jo bamirësinë, që do të çojë drejt një marrëveshje për tregtinë e lirë mes dy kontinenteve.
Ai rekomandoi gjithashtu që monedha e përbashkët Euro të përdoret në mënyrë më strategjike, duke qenë se është monedha më e fuqishme pas Dollarit amerikan.
Por, mbi të gjitha, ai bëri thirrje për një lidership të fuqishëm sa i përket çështjes “Brexit”.
“Ne i kërkojmë qeverisë britanike të kuptojë se, dikush që largohet nga unioni nuk mund të jetë në të njëjtin pozicion të privilegjuar me një vend anëtar, – tha ai. – Nëse largohesh nga unioni, atëherë po zgjedh të mos jesh më pjesë e tregut tonë të përbashkët, e padyshim jo në pjesë të caktuara që ti mund të zgjedhësh nga torta e tërë”.
Që prej fillimit të mandatit të Komisionit Europian, në vitin 2014, emigracioni ka qenë një nga krizat më të rënda. Ajo ka çuar drejt rritjes së populizmit dhe ka sjellë ndryshim qeverish në Itali, Austri, Hungari e Poloni, ndërkohë që Suedia është vendi i fundit që regjistron një rritje të votave për partitë antiemigracion në një palë zgjedhje.