Propozimi i PD dhe LSI për vettingun në politikë merr udhën drejt Venecias. Kryeparlamentari Gramoz Ruçi nis tetë pyetje për interpretim nga Komisioni i Venecias. Kundërshtia e opozitës dhe fati i një drafti në duart e të huajve. Rama-Basha përplasen edhe për propozimin që shpifja të dënohet me burg dhe gjobë.
Vettingu në politikën shqiptare nuk varet më vetëm nga aktorët tanë të politikës, por pritet një interpretim nga ekspertët dhe juristët e Komisionit të Venecias. Mes debatesh dhe replikash, dje kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi bëri me dije se i ka dërguar për interpretim Komisionit të Venecias propozimin për “vettingun në politikë”. Kreu i legjislativit shqiptar i kërkon opinion për 8 çështje që lidhen me nismën e PD dhe LSI për vettingun në politikë. Në letër ngrihen pyetjet nëse; Nisma është legjitime, a ka dallim ndërmjet standardeve të vlerësimit të figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe të zgjedhurve, a e cenon nisma konventën europiane të të drejtave të njeriut dhe jurisprudencën e Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe mbi të gjitha a ndikon vettingu në politikë në punën e strukturës posaçme prokurorisë së posaçme dhe njësisë së posaçme hetimore? E shtruar në këtë formë pyetësori, nga shumë juriste parashikohet që nga Komisioni i Venecias të mbërrijë përgjigje negative, kundër këtij drafti, sidomos kur bëhet fjalë për “interferime” në vettingun në sistemin e drejtësisë. Opozita e ka kundërshtuar që në fillim idenë e mazhorancës që kjo çështje të shkojë për interpretim në Komisionin e Venecias. Përfaqësues të opozitës janë shprehur kundër për ta çuar draftin për interpretim në Komisionin e Venecias, pasi sipas tyre ky komision ishte shprehur një herë për sa i përket “vettingut në drejtësi” dhe drafti ishte i ngjashëm.
Vettingu si politikë
Në shtator opozita erdhi me disa qëndrime dhe propozime ligjore dhe një ndër ta ishte që vettingu të shtrihej edhe në radhët e politikës. Fillimisht këtë nismë e përmendi kryedemokrati Lulzim Basha, që për pak orë gjeti mbështetje me deklarata edhe të kryeministrit Edi Rama, por gjithçka u sfumua me kalimin e kohës kur nisën përplasjet. Opozita kërkoi që të hetohen politikanët e lartë shtetërorë, përfshi edhe deputetët për lidhje personale me krimin, apo edhe me persona të dënuar për vepra të rënda penale. Drafti kishte për bazë ligjin e vettingut në sistemin e drejtësisë, por pikërisht këtu mazhoranca dhe opozita zunë “llogoret” në një luftë të ashpër deklaratash dhe akuzash. Lëvizja e opozitës duke paraqitur nismën ligjore për vettingun në politikë pati efekt pozitiv edhe në opinionin publik. Në vazhdën e përplasjeve, mazhoranca ngriti argumentin për konsum ditor se kjo nismë e PD dhe LSI u ndërmor për të sfumuar institucionet e reja të drejtësisë që do të hetojnë politikanët e nivelit të lartë në vend. Vetë opozita e bëri fakt të kryer duke depozituar në parlament draftin ligjor për vettingun në politikë dhe pritej të thuhej fjala e mazhorancës. Taktikisht PS mendoi të luajë ndryshe duke mos e rrëzuar draftin me vota, por kërkoi që kjo çështje të shkojë për interpretim nga ekspertët e huaj.
Venecia si shpëtim
Është kthyer në zakon që kur ka nisma të rëndësishme ligjore palët jo vetëm nuk kanë dakordësi, por pas shumë përplasjesh “shpëtimin” e gjejnë në Komisionin e Venecias. I tillë ishte edhe ndryshimi kushtetues dhe aktet ligjore për vettingun në sistemin e drejtësisë. Ekspertëve të Komisionit të Venecias iu desh të merreshin gjatë me interpretimet ligjore që mbërrinin nga vendi ynë. Në fund komisioni u shpreh dhe mbi bazën e interpretimeve të ardhur nga ekspertët më të mirë të jurisprudencës u ngrit “ngrehina” e ligjit të vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët. Nuk është e thënë që ekspertët e huaj të rrinë të qetë, pasi nga Shqipëria mbërrin një tjetër draft që kërkon interpretim. Në letrën e paraqitur nga kryeparlamentari Ruçi, një nga pikat kryesore që shkon për interpretim është pjesa ku konsiderohet si përplasje mes vettingut në politikë dhe atij që do vijë nga sistemi i drejtësisë. “A mund të sjellin implikime, ndikim të papërshtatshëm apo edhe mbivendosje parashikimet e projektligjit për vettingun e politikës në drejtim të zbatimit dhe efektivitetit të dispozitave që rregullojnë funksionimin e gjykatave të posaçme (neni 135/2 i Kushtetutës), Prokurorisë së Posaçme dhe Njësisë së Posaçme Hetimore (neni 148/4 i Kushtetutës), të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPI), ligji nr. 9367/2005), të institucioneve që merren me procesin e dekriminalizimit (ligji nr. 138/2015)?”, është një nga pikat që pritet të mbërrijë përgjigje nga Venecia. Ky është edhe thelbi që mazhoranca ka kundërshtuar opozitën, pasi sipas saj vettingun në politikë duhet ta bëjnë vetëm institucionet e pavarura si SPAK dhe BKH që pritet të ngrihen në sistemin e ri të drejtësisë. Opozita pretendon të kundërtën, kur shprehet se nuk ka asnjë përplasje apo mbivendosje institucionale pasi institucionet e reja të drejtësisë do i hetojnë çështjet penalisht, ndërsa vettingu në politikë është një formë vetëpastrimi që të largojë politikanë dhe zyrtarë të lartë që janë implikuar me personazhe të krimit.