Studentët e fakulteteve të Tiranës nuk janë të kënaqur me Vendimet e Këshillit të Ministrave dhe do të protestojnë sot sërish para Kryeministrisë.
Klajdi Bello, një nga studentët protestues, ka postuar një video në faqen e tij ne Facebook, teksa nje student është duke gozhduar derën e një prej Fakulteteve.
“Mirëmëngjesi! Përgatitjet kanë filluar. Meqenëse disa dekanë dhe rektorë kanë kërkuar të fillojë mësimi, studentët po ia kthejnë përgjigjen në mënyrën e tyre”, shkruan ai.
Përfaqësues të këshillave studentorë nga e gjithë Shqipëria janë mbledhur në Qytetin Studenti te godina “Liria” për të listuar të gjithë kundërshtitë që kanë në lidhje me draftin e “Paktit për Universitetin” të hartuar nga qeveria.
Sipas studentëve, drafti për universitetin nuk është i plotë dhe i saktë, ndaj edhe protestat do të vazhdojnë. Përmes një drafti të ri, studentët kanë listuar kundërshtitë që kanë për çdo vendimmarrje të qeverisë në lidhje me 8 kërkesat e tyre.
Në krye të kërkesave të studentëve qëndron thirrja që çdo vendimmarrje të kalojë me amendamente në ligjin e arsimit të lartë dhe jo me VKM. Studentët kujtuan se çdo VKM e miratuar nga qeveria në dhjetor 2018 mund të rrëzohet me një vendim, ndërkohë që amendamentet në ligjin e arsimit të lartë do të kërkojnë votë në Parlament.