Mëngjesi i kësaj të hëne ishte tragjik për familjen Mata në Tiranë.
Bujar Mata, 63-vjeç dhe bashkëshortja e tij 59-vjeçare Xhevahire Mata u ekzektutuan me armë zjarri në shtëpinë e tyre në rrugën “Kristaq Mone”, në zonën e Astirit. Trupat e tyre u gjetën të pajetë nga policia rreth orës 06:56 të mëngjesit. Autor i këtij krimi makabër, sipas policisë është dhëndri i çiftit Majlind Lila, 52-vjeç.
Lila u gjet nga policia i dëmtuar poshtë ballkonit të familjes Mata. Ai u dërgua drejt spitalit, por ndërroi jetë. Pasi ekzekutoi vjehrrit e tij, autori u vetëplagos me thikë dhe më pas u hodh nga ballkoni.
“Sot rreth orës 06:56, në Astir, në rrugën “Kristaq Mone” janë gjetur në banesë të vrarë me armë zjarri shtetasit B. M., 63 vjeç dhe Xh. M., 59 vjeçe. Poshtë ballkonit të banesës së shtetasve B. M., dhe Xh. M., është gjetur i dëmtuar dhëndëri i tyre, shtetasi M. L., i cili është transportuar për ndihmë mjekësore në spital ku dhe ka ndërruar jetë. Po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, tha Policia e Tiranës në një njoftim paraprak për mediat.
Por cila është historia e këtij krimi makabër?
Raportohet se Majlind Lila ishte me origjinë nga Burreli, kurse familja Mata me origjinë nga Korça.
Lila kishte bashkëjetuar prej disa kohësh me Nevila Matën, vajzën e çiftit të ndjerë, por nuk ishin martuar me letra. Prej një viti, çifti kishte pasur probleme dhe ishin ndarë. Të dy kishin edhe një vajzë të vogël.
Nevila jetonte në Suedi dhe Majlindi shkonte atje vazhdimisht për t’i kërkuar Nevilës që të lidheshin sërish. Herën e fundit, Nevila refuzoi që të kthehej në Shqipëri me vajzën, pavarësisht kërkesës së Majlindit.
Ky i fundit u kthye vetë në Shqipëri para dy ditësh dhe menjëherë pati një telefonatë të acaruar me vjehrrin e tij. Një ditë më vonë, në mëngjes, ai mbërriti në shtëpinë e tyre private në zonën e Unazës së Re, i armatosur dhe me një synim të qartë.
Raportohet se Bujar Mata u gjet i pajetë në dhomën e ndenjies, kurse e shoqja u gjet në korridor, në tentativë për t’u larguar. Fqinjët thanë se kanë dëgjuar vetëm të shtënat.
“Ishin familje e mirë. Dëgjuam të shtëna, por nuk e kuptuam se çfarë ndodhi. Dhëndrin nuk e kemi parë duke hyrë. Kemi dëgjuar që kanë pasur konflikte,” thanë ata.
Majlind Mata njihej si konsumator alkooli. Edhe pse policia e gjeti me shenja jete, ai ndërroi jetë pak më vonë.