Xhani mund të shk ruajë keq, por ironinë e ka të një niveli mbi mesatar. Por nëse lexon ditarin e tij, atëherë kushdo mund të nxehej me përshkrimin që i bën Nexhat Bizhdilit të Besës. “M’u shfaq para një njeri që m’u duk pak ezmer e më shumë arixhi. Shumë shumë i dobët, sikur nuk qe ushqyer kurrë. I veshur tepër sportiv, por me një gusto shumë të ngatërruar. Në njërën anë të dorës një byzylyk të shtrenjtë, në anën tjetër një orë kallapaçke! U ngrita, i zgjata dorën, i urova mirëseardhjen dhe e ftova të ulet në kolltuk”, shkruan Xhani në ditarin e tij. Mjafton kaq për të revoltuar shumicën e personave që do t’i përmendte në këto rreshta. Por, jo për Nexhat Bizhdilin. Presidenti i Besës së Kavajës e ka marrë me sportivitet këtë pjesë dhe nuk ka dashur të bëjë polemikë me të.
REAGIMI
Bizhdili nuk flet as shpejt dhe as “mbytur” në telefon, siç përshkruhet në ditarin e Xhanit. Ai është i sjellshëm, shumë i qartë në fjalët që thotë dhe pa dyshim dashamirës. “Nuk bëj replikë me Bertin… Bertin e kam mik. Kemi qenë miq atëherë, po kështu jemi edhe tani. Ai ndonjëherë lëshon kësi gjërash në media dhe në fakt as në të kaluarën nuk i kanë munguar ironitë, por unë e njoh atë. E njoh Bertin prej vitesh dhe është njeri i mirë. Nuk mërzitem me atë dhe as mos prisni që të replikoj”, thotë Bizhdili për “Panorama Sport”.
DASMA E DJALIT
Ka edhe një arsye të fortë se përse Bizhdili këtë javë nuk ka ndërmend t’i përgjigjet keq jo vetëm Bert Xhanit, të cilin thotë se e ka mik, por askujt tjetër. “Qafsh m’u, nuk kam dëshirë të bëj llafe në gazeta tani. Kam edhe dasmën e djalit. Nuk shkon kjo punë tani. Madje edhe vetë Berti (Xhani) më uroi pak më parë (dje paradite) për dasmën e çunit…”, të thotë presidenti i Besës me humor. Pas kësaj fjalie, është e kotë të këmbëngulësh dhe ta pyesësh nëse është e vërtetë që i ankohej Albert Xhanit dikur apo se çfarë marrëdhëniesh ka së fundmi me “Dukën V”… / Panorama