“Më kujtohet kur letrat mbylleshin me :”Përshëndetje revolucionare” apo “Të rrojë partia”. Ky është vetëm një nga pasazhet që Ylli Demneri sjell për të rindërtuar rrugëtimin e kujtesës tek “Më kujtohet 2”, i cili sapo ka dalë në treg nga “Odeon”.
Shkrimtari që tashmë ndan jetën në Francë ishte i ftuar në klubin e librit në UET me Alda Bardhylin për të folur mbi letërsinë por dhe të shkuarën që lidhet me jetën e tij si aktor. Libri i Demnerit bën pjesë në letërsinë fragmentare ku ngjarjet ndërtohen përmes letrave.
“Më kujtohet” ka ardhur pas “E dashur A” ku shkrimtari i dërgoi të dashurës së dikurshme 17 letra dashurie që në thelb ishin jeta e tij pas ndarjes me të. Duke folur për jetën si aktor nën komunizëm, Demneri tha se të qënit aktor ia bënte më të lehtë mbijetësën pasi puna e tij ishte thjesht interpretimi.
Por duke folur mbi atë kohë, ai ka vlerësuar letërsinë e Kadaresë si e vetmja dritare ku të rinjtë shqiptarë gjetën rrugën për tek jeta e vërtetë.
“Kadare është një vlerë e madhe pasi ai duke qenë ndoshta disi më i priviligjuar, arriti të kuptonte tmerret e komunizmit e të shkruante për to. Shkrimtarë të tjerë e bënë këtë duke qenë në burg, por merita e tij është se e njohu komunizmin pa qenë i dënuar”,- tha Demneri.
I pyetur mbi debatin e Teatrit Kombëtar, ai u shpreh se “teatri nuk duhet shembur, por rindërtuar”. “Teatri duhet rindërtuar ashtu sicc është, pasi aty është shpirti i teatrit e teatri e ka vlerën jo tek bukuria por tek shpirti”,- tha Demneri.
Shkrimtari ndau me studentët dhe shkrimet e tij të fundit. Pas gati 30 vite në Francë në bllokun e shënimeve që mbante me vete ai kishte nisur të shkruante kujtimet nga kjo përvojë. Ndoshta “Më kujtohet 3” do të jetë me pasazhe nga jeta në Francë. Ylli Demneri është shkrimtar dhe artist i imazhit që jeton prej shumë kohësh në Francë.
Ai ka lindur më vitin 1961, në një nga familjet më të vjetra të Tiranës. Mbaron liceun për pikturë. Në vitin 1979 fillon akademinë e arteve për regjisurë. Kursi i parë i regjisurës (Petagogë, Pirro Mani, Vangjush Furrxhi, Esat Oktrova, Viktor Gjika, Dhimitër Anagnosti, Kristaq Dhamo, etj). Gjatë kësaj kohe Viktor Gjika të angazhon në filmin “Në çdo stinë”.
Pas katër vjet studimesh, emërohesh si asistent-regjisor në Kinostudio. Realizon dy dokumentarë : “Kur flasim për poezinë” dhe “Hapa në park”. Të dy dokumentarët vlerësohen me çmim në festivalin e filmit. – Në vitin 1988 të akordohet një bursë për studime post-universitare në Francë.
Studion në “Conservatoire libre du cinéma français”, dhe dy vitet e fundit në “Université de Jussieu”.
– Përgjatë tre viteve fillon e jep mësim si asistent-petagog në po këtë universitet (praktikë teatri).
– Me ndryshimet politike që ndodhën në Shqipëri në vitet ’90, qëndron në Francë.
– Bashkëpunon me Pierre Aubry për realizimin e dokumentarit “Kadaré, un chateau de liberté”.
– Pastaj, shkëputesh nga kinemaja dhe fillon si drejtor artistik në revistën “Le journal de l’action sociale”, ku vazhdon edhe sot.
Në vitin 2011 boton librin e parë “Më kujtohet”. Në vitin 2013 – “E dashur A.” 2016 – “Bloc-notes” 2017 “Njëqind e njëmbëdhjetë haiku”.