“Open Week” në UET është karakterizuar nga një shumëllojshmëri aktivitetesh të shtrira përgjatë gjithë javës. Ditën e premte, në kuadër të kësaj jave është organizuar dita Erasmus Day në Ballkan, në ambjentet e Universitetit Europian i Tiranës, i cili ka zhvilluar një takim me gjithë studentët Erasmus që kanë kryer një apo më shumë semestër studimi në universitetet perëndimore të cilat janë po ashtu pjesë e këtij programi të shkëmbimit studentor. Eventi u fokusua në aftësitë dhe mundësitë që IAL-të shqiptare kanë për të përthithur fonde tashmë si Partner Koordinator, duke vlerësuar rastet e suksesit të UET dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT). Gjithashtu, këto suksese dëshmojnë kontributin dhe vlerën e shtuar të bashkëpunimeve midis universiteteve publike dhe private.
Rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Dr. Tonin Gjuraj shprehet se përfitimet nga një program i tillë shkëmbimi janë të shumta.
“Sot dhe nesër ka mjaft aktivitete dhe evente të ndryshme që i kushtohen Erasmus+, një program që e dimë të gjithë se sa i dobishëm ka qenë gjithë këto vite për sektorin privat dhe publik të arsimit. Zhvillohen plot aktivitete pothuajse në të gjithë universitetet në vendet e BE-së sot dhe nesër. Të gjitha këto në kuadër të promovimit të këtij programi, që ka qenë mjaft i dobishëm edhe në planin individual për stafin akademik, administrativ, por edhe për universitetet apo për një grup universitetesh që në varësi të projekteve krijojnë ato që quhen konsorciume.”
Në fokus të eventit kanë qenë dhe dy shembujt e suksesit të raundit të fundit të aplikimeve Erasmus+ CBHE nga Shqipëria, përkatësisht: Enhancing And Validating Service Related Competences In Versatile Learning Environments In Western Balkan Universities- E-VIVA, Universiteti Europian i Tiranës si dhe MSc in Sustainable Food Production Systems- STEPS, Universiteti Bujqësor i Tiranës.
Për projektin E-VIVA ka folur më tepër edhe Ketrina Çabiri Mijo, drejtuese e Zyrës së Projekteve dhe Partneriteteve në UET.
“Sot për mua personalisht dhe zyrën që drejtoj, është një ditë që meriton vërtetë duartrokitje sepse pas një eksperience të gjatë dhe të mundimshme, por të qëndrueshme, UET arriti që të ketë një projekt ku krenohet të jetë lider i një konsorciumi me 16 partnerë, nga të gjitha vendet e Ballkanit dhe disa shtete anëtare të BE me një buxhet rreth 1 milionë Euro dhe me një kohëzgjatje rreth tre vjeçare.”
Oltion Pengu si përfaqësues i Zyrës Kombëtare Erasmus + në Shqipëri, shprehet se programi Erasmus + është një mundësi e mirë për të përfituar studentët, janë programe që kanë mbështetur studimet për integrimin europian.
“Ditët e Erasmusit janë një iniciativë mbarë europiane për të promovuar impaktin që programi Eramsus+ ka në shoqëritë europiane dhe nëpërmjet impaktit të nxisë qoftë institucionet qoftë individët që të përfitojnë më shumë nga programi. Kjo vjeshtë çel vitin e katërt që programi Erasmus+ zbatohet në Shqipëri. Besoj rezultatet e programit, të paktën për pjesën e arsimit të lartë janë në sytë e të gjithëve, përfshirë përfshirë 6 projektet e reja që u miratuan në thirrjen e vjetshme. Bashkimi Europian ka vendosur ta rinovojë edhe një 7-vjeçar tjetër programin Erasmus +.Financimi për komponentët e programit do të rritet pra mundësitë e përfitimit janë aty”, tha Pengu.
Ndërkohë që e pranishme në këtë aktivitetet ishte edhe Klotilda Marku, pjesë e Fakultetit të Bieoteknologjisë dhe Ushqimit në Universitetin Bujqësor të Tiranës e cila foli për projektin për ngritjen e kapaciteteve STEPS: “Është një ndër programet i cili do të ketë 36 muaj kohë. Nga janari i 2019 deri në dhjetor të vitit 2021. Janë aktualisht 11 partnerë ku UBT është lead-partner dhe UET partner kryesor në këtë program. Është një ndër programet për rritje kapacitetesh, për mobilitete. Objektivi kryesor është hapja e një kurrikule, hapja e një Masteri Shkencor, kryesisht në sistemet e qëndrueshme të prodhimit të ushqimeve, prandaj është dhe akronimi STEPS.”, tha Marku.
Universiteti Europian i Tiranës është pjesë e skemës Erasmus+ që prej lançimit të kësaj skeme nga Komisioni Europian në 2014. Që prej atëherë UET ka përfituar një sërë projektesh për shkëmbimin e stafit dhe studentëve, si edhe për ngritjen e kapaciteteve në universitete. Në kuadër të mobilitetit të studentëve, UET dërgon çdo vit me dhjetëra studentë të tij, të studiojnë në universitetet më në zë të Europës, duke pritur njëkohësisht studentë europianë në auditorët e tij.