Qeveria Amerikane do të investojë 3.9 milionë dollarë në ngritjen e Akademisë së Transparencës për fondet që do i jepen qeverisë shqiptare. Bashkimi Evropian do dërgojë ekspertë për të monitoruar përdorimin e parave. Nga 1.15 miliard që është paketa financiare, 80 për qind jepet në formë kredie dhe borxhesh. Specialistët: Mund të quhej konferencë e kreditorëve
Konferenca e Donatorëve e mbledhur në Bruksel, ka arritur të sigurojë një paketë ndihme për Shqipërinë me qëllim rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit, në masën e 1.15 miliard eurove, nga ku 800 milionë euro janë në formë kredie dhe borxhi dhe pjesa tjetër 350 milionë euro donacione të qeverive të ndryshme. Shuma është e përafërt me atë që deklaroi qeveria shqiptare, e cila pretendon se dëmet e tërmetit të nëntorit të kaluar janë në shifrën e 1.08 miliard eurove. Kryeministri Edi Rama, menjëherë pas mbylljes së konferencës, në një dalje për mediat me presidenten e KE-së Ursula Von der Leyen, e shikon këtë si një sukses të qeverisë së tij por pse jo dhe personal, në marrëdhëniet e tij me botën. “Dëgjova njerëz që vinin baste, se do të ishte gjithçka katastrofë, por e humbën bastin. Mos vini bast, kur bëhet fjalë për mua, qeverinë time dhe marrëdhënien tonë me botën. Pasi thanë se kjo do të ishte një katastrofë, kur kontributet po rriteshin, thanë se nuk mund t’i menaxhojmë, por ne do t’i menaxhojmë siç duhet”, tha Rama. E megjithatë shefi i qeverisë, nuk u shfaq dhe aq entuziast dhe i sigurt kur ra fjala për hapjen e negociatave: “Dua të gjej një hudhër, sepse kur merr vesh një lajm të mirë, ke frikë se mos ndodh diçka e keqe. Ndaj më lini të gjej një hudhër njëherë, se sa të mendoj për hapjen apo jo të negociatave”, tha Rama.
Transparenca
E megjithatë kur bie fjala për menaxhimin e fondeve BE-ja, shfaqet disi mosbesuese në raport me qeverinë shqiptare. Presidentja Von der Leyen tha se BE-ja do të dërgojë ekspertët e saj për ta mbikëqyrur dhe monitoruar procesin e përdorimit të fondeve. “Kemi rënë dakord të kemi një marrëveshje, ku do të përcaktojmë parimet e transparencës së llogaridhënies. Duam që kjo shenjë e jashtëzakonshme solidariteti me popullin shqiptar të investohet në mënyrën e duhur, transparente, llogaridhënëse dhe për këtë jemi të gatshëm të dërgojmë ekspertët tanë, për ta zbatuar në mënyrën e duhur. Marrëveshjen do ta nënshkruajmë së bashku me Ramën”, tha Von der Leyen. Shqipëria për menaxhimin e fondeve të rindërtimit ka ngritur dhe një ministri më vete që kryesohet nga ministri i rindërtimit Arben Ahmetaj.
Çështjen e monitorimit të fondeve e ngriti dhe përfaqësuesi i SHBA-së, Mathey Palmer, i cili kërkoi dhe ngritjen e akademisë së transparencës. SHBA ofroi rreth pesë milionë dollarë që do përdoren për rindërtimin. “Këto fonde do të ndihmojnë të krijojnë akademinë e transparencës, që vjen si kërkesë e kryeministrit për të ofruar transparencë në qeverisje, që t’i përgjigjet qytetarëve, dhe reformës në gjyqësor” tha Palmer. I menjëhershëm ishte reagimi i Ramës, i cili gjatë konferencës me presidenten e BE-së do ironizonte Palmerin “Miqtë tanë amerikanë nuk erdhën me shumë para, por me argumente me mënyrën si të sigurohemi që kaq shumë para të përdoren në mënyrë transparente. Ata janë bujarë për të eksportuar standarde”, u shpreh Rama.
Rritja e borxhit
Por përkundër entuziazmit të qeverisë specialistët e ekonomisë nuk e shohin me të njëjtin këndvështrim çështjen e donacioneve. Gazetari i ekonomisë Klodian Tomorri në një postim në rrjetet sociale shprehet se shteti shqiptar nuk është në vështirësi për të marrë kredi, sepse këtë mund ta bëjë dhe nëpërmjet eurobondit. Sipas tij Shqipëria ka pamundësi për t’i kthyer këto kredi.
“Pjesa më e madhe e kësaj shume, rreth 700 milionë euro janë kredi. Këto angazhime praktikisht janë të pavlefshme për dy arsye. E para, Shqipëria nuk mund t’i përdorë dot sepse nuk ka hapësirë fiskale. Kreditë e premtuara nga donatorët shkojnë direkt në rritje të deficitit fiskal dhe rrjedhimisht edhe borxhit publik. Shqipëria nuk ka hapësirë buxhetore për të rritur borxhin. Arsyeja e dytë është edhe më e thjeshtë. Shqipëria nuk ka nevoje për borxhe konferencash. Qeveria shqiptare nuk është në pamundësi për të gjetur borxh. Vendi ynë sot del lirisht në tregjet ndërkombëtare të financave dhe mund të marrë borxh në çdo moment, madje me kosto të lirë. Herën e fundit, eurobondi shqiptar u emetua me interes 3.5 për qind, çka është një normë relativisht e ulët borxhi”, thotë Tomorri.
Edhe specialisti i ekonomisë Dritan Shano, thotë se ajo mund të quhet konferenca e Kreditorëve, por jo e donatorëve. “Nga kompozimi i premtimeve në grante dhe kredi, ku dominon në mënyrë absolute kredia (80%), kjo nuk ishte Konferenca e Donatorëve por Konferenca e Kreditorëve. Mbetet të shihen kushtet që do paraprijnë dhe shoqërojnë si grantet ashtu dhe kreditë e premtuara. Njohja e tyre do na jepte një ide të qartë për kalendarin e disbursimeve të këtyre premtimeve; për rolin dhe detyrat që duhet të përmbushë qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë, që të mos bëhen pengesë për disbursimin e shpejtë të këtyre fondeve të premtuara”, thotë Shano.
Mesazhi që i dha Franca Ramës, me bujarinë e saj
Mesazhin më domethënës në konferencën e donatorëve e ka dhënë Franca. Ky shtet ka akorduar rreth 100 milionë euro ndihma për Shqipërinë, për të rimarrë veten nga pasojat e tërmetit. Një shumë e barabartë me atë që dha i gjithë Bashkimi Evropian. Franca ishte ajo që bllokoi herën e fundit negociatat me Bashkimin Evropian, duke e konsideruar vendin tonë si burim të trafikut të drogës, dhe qeverinë shqiptare si të korruptuar. Pra në rastin e Francës kemi dy qëndrime. I pari që kur ka të bëjë me qeverinë ka një qëndrim tjetër, ndërsa kur bie fjala për të ndihmuar një popull të varfër dhe në nevojë siç janë shqiptarët, një qëndrim tjetër. Edi Rama në fjalën e tij, falënderoi Bashkimin Evropian për bujarinë e tij, por nuk tha asnjë fjalë për Francën dhe Presidentin Macron. Kjo bujari e Francës duket se ka lënë pa gojë dhe armatën e atyre që pas refuzimit të negociatave e konsideruan si një shtet racist dhe armiqësor ndaj shqiptarëve. Por e vërteta është ndryshe. As Franca as Holanda dhe as vendet e tjera nuk kanë asnjë paragjykim për shqiptarët kur bie fjala për t’u pranuar në Bashkimin Evropian. Ata e kanë bërë të qartë se problem mbetet korrupsioni i pandëshkuar, krimi dhe trafiqet me përkrahjen direkte apo indirekte të zyrtarëve të lartë të qeverisë. Mbetet pastrimi i parave, dhe keqmenaxhimi i parave publike. Dhe nuk janë shqiptarët e thjeshtë ata që i bëjnë këto. Janë të tjerë, dhe tërmeti i 26 nëntorit i nxori zbuluar, kur buxheti i shtetit nuk kishte asnjë qindarkë për emergjencat civile.
Donacionet/ Basha: Fondet të përdoren me transparencë
Konferenca e Donatorëve ka mbledhur 1.1 miliard euro donacione dhe kredi për Shqipërinë, pas tërmetit të 26 nëntorit. Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shprehet se të gjitha donacionet ndërkombëtare për popullin shqiptar për dëmet pas tërmetit të 26 nëntorit, janë të bekuara dhe të mirëpritura. “Të gjitha donacionet ndërkombëtare për popullin shqiptar për dëmet e pas tërmetit të 26 nëntorit janë të bekuara dhe të mirëpritura. Falënderime dhe mirënjohje për çdo vend, çdo organizatë dhe çdo institucion ndërkombëtar që i gjendet pranë qytetarëve shqiptarë në këtë moment të vështirë. Detyra jonë është të bëjmë gjithçka që këto kontribute të shërbejnë vërtet për ndihmë ndaj njerëzve në nevojë. Është e rëndësishme që të nisë menjëherë puna dhe fondet të përdoren me përgjegjshmëri dhe transparencë për të ndalur keqpërdorimin dhe abuzimin me to”, tha Basha.
LEXO EDHE: