Tashmë janë bërë më shumë se sa një vit nga tërmeti shkatërrues për Durrësin me magnitudë 6.4 ballë i shkallës rihter.
Lëkundja e fortë e 26 nëntorit të vitit 2019 shkaktoi me mbi 20 jetë të humbura vetëm në Durrës ndërsa mijëra familje humbën banesat.
Kur kanë kaluar 13 muaj ende me qindra qytetarë presin të aplikojnë për të përfituar kompensimin për banesat e dëmtuara.
Sot me qindra qytetarë ishin mbledhur para Bashkisë Durrës duke pritur për të bërë aplikim.
Përveç faktit se këto pamje janë vërtet të frikshme, në një kohë pandemie që po jetojmë, më i frikshëm është fakti që shteti ende nuk ka adresuar problemin e këtyre qytetarëve.
“Kam ardhur në orën 5 të mëngjesit po rrimë këtu kot me kot dhe nuk kemi asnjë shpresë se çfarë do të bëhet. Në orën policore kam ardhur, nga halli,”- tha ai.
Pushteti vendor në Durrës ka rihapur mbrëmjen e kaluar pa ndonjë njoftim zyrtar aplikimet.
Të gjithë qytetarët, banesat e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti i 26-nëntorit 2019 dhe janë klasifikuar si të dëmtuara me pasoja të lehta dhe të mesme (DS1, DS2 dhe DS3), duhet të paraqiten para zyrave për të aplikuar.
Por kjo gjë, siç edhe shihet ka sjellë dyndje.