Nga Aranit Muraçi
Shqiptarët ndonëse nuk renditen ashtu si në Itali, në krye të tabelës, për sa i përket numrit të studentëve të huaj që zgjedhin një vend perëndimor për të studiuar, janë të shumtë në numër dhe një zë i rëndësishëm, thuajse në çdo vend të BE-së. Gjatë 30 viteve të tranzicionit shqiptarët nuk largohen vetëm për të punuar apo për një jetë më të mirë, por edhe për të studiuar, ndërkohë kërkohen politika afatgjata, studime si dhe investime konkrete për ndryshimin e këtij trendi.
Vendet e zhvilluara evropiane si Gjermania, Spanja, Italia, Franca dhe Holanda përmes politikave favorizuese dhe vizionit që kanë për arsimin e lartë, në mënyrë të vazhdueshme po thithin pjesën më të madhe të studentëve të huaj në botë – duke përfituar në vitet e fundit veçanërisht edhe nga mbyllja e Kinës dhe Brexit. Më parë ishte Britania e Madhe, vendi më i preferuar i Europës për studentët brenda Bashkimit Europian dhe të mbarë botës.
Studentët e huaj nga ana tjetër vazhdojnë të zgjerojnë gamën e vendeve që ata i konsiderojnë si destinacione të mundshme studimi jashtë vendit. Ky zhvillim i ri fitoi popullaritet gjatë pandemisë, kur disa vende dhe institucione ofruan vetëm mësim online ose në distancë, për një kohë më të gjatë se të tjerët.
Vendet e zhvilluara po bëhen edhe më konkurruese për të thithur studentë të huaj, falë edhe politikave, investimeve e qasjeve në arsim. Për shembull, Kanadaja kohët e fundit fitoi pjesën e studentëve të huaj që kishte humbur më herët me SHBA-të dhe veçanërisht me Australinë.
Në Kinë, Zelandën e Re dhe Japoni, numri i studentëve të huaj ra gjatë viteve të fundit për shkak të mbylljes së tyre të zgjatur të kufijve. Mbretëria e Bashkuar ishte kthyer prej kohësh vendi më e popullarizuar për studentët e huaj, si rezultat i të drejtave më bujare të punës, pas studimit. Por në përgjithësi, vitet e fundit është pjesa tjetër e Evropës ajo që është bërë më tërheqëse për studentët e huaj nga e gjithë bota. Pavarësisht afërsisë së tyre gjeografike, vendet e ndryshme evropiane janë duke tërhequr studentë prej vendeve të tjera jashtëzakonisht të ndryshme nga njëri-tjetri.

Në Mbretërinë e Bashkuar, megjithatë, regjistrimet e studentëve të huaj u rriten me 9% në 2020/21 krahasuar me vitin e kaluar, kur numri ishte 605,130. Dy nga tregjet kryesore të Mbretërisë së Bashkuar janë studentët e huaj që vijnë nga Azia Jugore (Pakistani dhe India) dhe nga Azia Lindore (Kina dhe Hong Kongu). Mbretëria e Bashkuar po tërhiqet më shumë për studentët nga Evropa, sepse dhjetë “tregjet e saj kryesore” nuk janë më si dikur Franca apo Gjermania, por po sheh rritje të konsiderueshme të regjistrimet nga Nigeria, gjatë dy viteve të fundit.
Franca, e cila aktualisht pret rreth 370,000 studentë të huaj, njeh vetëm një vend aziatik me numrin e studentëve të huaj në nivele të larta (Kina) dhe jo rastësisht tërheq një numër të madh studentësh nga disa vende afrikane frankofone.
Në Gjermani, e cila ka parë rritje të regjistrimeve të huaja gjatë gjithë pandemisë në rreth 330,000, përfaqësimi aziatik shtrihet, përtej Kinës dhe Indisë, në Lindjen e Mesme (Iran dhe Siri) si dhe Rusi. Lista e dhjetëshes së parë të studentëve të huaj që studiojnë në Gjermani mund të jetë më eklektik nga tre vendet e tjera për sa i përket diversitetit të saj rajonal, me një numër të konsiderueshëm studentësh që vijnë nga Azia, Lindja e Mesme, Rusia, Evropa dhe Afrika që zgjedhin universitetet gjermane.
Ashtu si në Gjermani, kombësia e studentëve të huaj që studiojnë në Itali është gjithashtu mjaft e larmishme – grafiku i mëposhtëm tregon origjinën e vendeve kryesore prej nga kanë ardhur studentë e huaj për vitin 2019/20. Në total, sipas shifrave zyrtare të Institutit italian të statistikave universitetet italiane regjistruan afër 100,000 studentë të huaj në vitin 2020/2021.

Numrin më të lartë të studentëve të huaj në Itali e mban Rumania, 10.510. Kujtojmë që Rumania është një vend me një popullsi rreth 30 milion banorë dhe është pjesë e Bashkimit Europian, ndryshe nga Shqipëria, një vend me një popullsi rreth dhjetë herë më të ulët dhe jashtë BE-së. E megjithatë Shqipëria, sipas të dhënave zyrtare, mban vendin e dytë për numrin e studentëve të huaj në Itali (8.950). Vendin e tretë dhe të katërt në Itali e mbajnë dy vendet aziatike me mbi 1 miliard banorë, siç janë Kina dhe India.
Në Spanjë, ndërkohë, Amerika Latine është një burim i madh i rekrutimit për universitetet duke pasur parasysh afinitetin e gjuhës spanjolle midis dy rajoneve. Në 2019/2020, plot 208,370 studentë të huaj ishin në universitetet spanjolle ose 12% më shumë nga 185,145 që ishin dy vjet më parë.
Holanda priti 12% më shumë studentë të huaj në vitin akademik 2021/22 krahasuar me vitin e kaluar, për një total prej 115,070, sipas një raporti të ri të publikuar nga Nuffic, organizata holandeze për ndërkombëtarizimin e arsimit. Tregjet kryesore për universitetet holandeze janë kryesisht ato evropiane dhe përfshijnë: Gjermania (24.500), Italia (7200), Kina (5300), Belgjika (4797), Spanja (4687), Bullgaria (4607), Franca (4,294), Greqia (3,862), Polonia (3,554) dhe India (3,363).
Vendet evropiane po konkurrojnë Britaninë e Madhe teksa po shohin interes të shtuar nga brenda rajonit. Studentët evropianë po shikojnë vitet e fundit të studiojnë rreth brenda rajonit të tyre. Ata mjafton që të gjejnë institucione të renditura mirë si dhe tarifa shkollimi relativisht tërheqëse.
Ndërkohë, studentët afrikanë dhe aziatikë, të cilët mund të kishin zgjedhur Kinën, Rusinë ose Ukrainën si destinacionet e tyre kryesore, nuk mund të shkojnë aktualisht në ato vende, sepse kufijtë e Kinës mbeten të mbyllur dhe për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Si rezultat, destinacionet brenda Evropës po bëhen më të kërkuarat gjatë viteve të fundit për studentët afrikanë dhe aziatikë – sepse tarifat e shkollimit konsiderohen më të përballueshme në shumë universitete evropiane, krahasuar me atë që studentët do të paguanin në destinacione të tjera të rëndësishme studimi, si Kanadaja ose Shtetet e Bashkuara.
Me politika më vizionare, afatgjata dhe efikase për arsimin e lartë, Shqipëria mund të ishte një destinacion shumë i mirë për shqiptarët anembanë rajonit, edhe për diasporën e saj, apo qoftë edhe për qytetarët e tjerë të Ballkanit Perëndimor, pse jo edhe për disa nga vendet aziatike dhe afrikane, prej të cilave kërkojmë fuqi punëtore. Por sa e arritshme është kjo? Sigurisht, Shqipëria në një periudhë urgjente vendi ynë duhet të gjejë një zgjidhje për frenimin ose ngadalësimit e të rinjve që duan të largohen për të studiuar jashtë, ose të kthehet në një treg sa më tërheqës për ata që kanë studiuar dhe janë duke u arsimuar në vendin e tyre.