fbpx

Editorial

10 urdhëresat e Merkelit që do të zgjidhin krizën politike





               Publikuar në : 21:38 - 18/09/19 |
Nga Gentian Gaba

Nga Gentian Gaba


Fati i negociatave me Bashkimin Europian nuk do të shkruhet pas një muaji. Sikurse çdo betejë ‘fitohet përpara se të luftohet’, mbledhja e Këshillit të BE-së do të shërbejë vetëm për formalizmin e një vendimi të marrë përpara 18 tetorit, për të cilin vendet pretenduese, duhet të kenë bërë detyrat e shtëpisë me kohë dhe me vakt. Detyra të cilat mesa duket Maqedonia e Veriut i ka bërë, ndërsa vendi ynë jo.



Sepse ndryshe nga ne, fqinjët tanë lindorë nuk shpallën fitoren vitin e shkuar. Nuk shpërndanë medalje në shenjë triumfi pas ‘betejës tre ditore dhe dallgëve të brendshme të Europës’. Ata përveshën mëngët dhe punuan. Për këtë arsye, sikurse pohojnë burime të ndryshme nga kancelaritë e rëndësishme, në 18 tetor Maqedonia pret një përgjigje pozitive. Një PO pa kushte që jo vetëm ekspozon dobësinë e Ramës karshi Zaevit, por hedh poshtë edhe ‘teorinë’ sipas së cilës problemet e brendshme të BE-së do të mbyllin shtegun e negociatave. Në fakt ndodhi krejt e kundërta. Pasi problemet e brendshme të Shqipërisë krijuan kushtet që të rrezikoheshin negociatat edhe për Maqedoninë e Veriut.


Prandaj, sipas informacioneve të Deutsche Welle pritet që Maqedonia të fillojë bisedimet qysh në janar, ndërsa Shqipëria do t’i nisë ato vetëm kur të plotësohen nëntë kushtet.

Kjo nëntëshe që vjen nga Gjermania, busulla e Bashkimit Europian, si një dokument që do të formulojë qëndrimin teutonik në Këshillin Europian, dhe mban peshën e partisë së kancelares Merkel, merr për Shqipërinë vlerën e urdhëresave biblike. Kushte të domosdoshme për të kaluar nga ferri në të cilin ndodhemi, në purgatorin e negociatave që të çojnë në parajsën europiane.

Leximi i tyre është si një ekskursion në krizën aktuale, sepse secila urdhëresë përkon me një ndalesë të konfliktit politik aktual:

Funksionimi i Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese; miratimi i reformës zgjedhore, implementimi i reformës zgjedhore; ndjekja penale e gjykatësve dhe e prokurorëve që nuk e kanë kaluar provimin e Vettingut; ndjekja penale e akuzave për shitblerjen e votave; vënia në punë e prokurorisë speciale për luftimin e korrupsionit, SPAK; rezultate në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe kapja dhe ndjekja penale e personave kyç të krimit, të të ashtuquajturve “peshq të mëdhenj”; përparime në reformën e administratës publike; sqarimi përfundimtar me vendim të Gjykatës Kushtetuese i ligjshmërisë së zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019. Dhe nëse këto çështje janë në themel të konfliktit midis mazhorancës dhe opozitës, zbatimi i tyre sjell për rrjedhojë zgjidhjen e tij. Veçse kjo nuk është një zgjidhje që mund të kënaqë të gjitha palët. Një lëçitës i vëmendshëm e kupton fare thjeshtë se disa prej tyre janë edhe kuajtë më të fortë të betejës së opozitës. Kësodore, kur lexojmë ‘ndëshkim i të akuzuarve për shitblerjen e votave dhe ‘vendim mbi ligjshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit’, deduktohet një përputhje e axhendës së opozitës me ato që do të jenë urdhëresat e partnerëve ndërkombëtarë ndaj qeverisë shqiptare.

Ndoshta kjo mirësia me kushte e Berlinit është produkt i lobimit të Bashës, i cili jo më larg se para një jave shqipëroi këto kërkesa në asamblenë e PPE-së; apo një sipërmeje e lindur nga vrojtimi i kushteve aktuale të Shqipërisë, dhe vullneti për të shkuar te rrënjët e krizës. Megjithatë, këmbëngulja e CDU-së për të vendosur pengesa nga të cilat mazhoranca nuk mund të kalojë pa dorëzuar ata që Bild bëri të famshëm në Gjermani, tregon se jemi përballë urdhëresës së dhjetë. E pa shkruar, por e nënkuptuar, e cila vjen si rezultati logjik i përmbushjes së nëntë të parave, urdhëresa Rama ik!


Etiketa: , , , , , , ,

Pas