Ishte 6 maji i vitit 2009 dhe Barcelona udhëtoi drejt Londrës për sfidën e kthimit ndaj Chelsea, për gjysmëfinalen e Champions League, teksa ndeshja e parë në “Camp Nou” përfundoi pa gola. “Blutë” e drejtuar nga Guus Hiddin kishin shënuar një gol dhe ishin pranë kualifikimit, teksa Barcelona po luante me 10 lojtarë sepse Erick Abidal u ndëshkua me karton të kuq.
Në minutën e tretë shtesë, Dani Alves hedh një top në zonë, mbrojtja spastron dhe sfera shkon tek Eto’o, i cili nuk e kontrollin si duhet por Messi merr topin dhe tenton të gjejë hapësirë për të goditur, e pamundur sepse anglezët mbyllën çdo vrimë të mundshme dhe argjentinasi pasoi tek Iniesta. Ndonëse jo i koordinuar si duhet, spanjolli ia doli të lëshojë një goditje të fortë dhe të drejtë që shkoi në trekëndësh.
Një “golazo” nga fantazisti që vrapon drejt tifozëve të tij duke hequr fanellën dhe Guardiola që vrapon pa menduar dy herë drejt lojtarëve të tij.
Ky ishte momenti përcaktues ku Barcelona mori një tjetër rrjedhë, filloi suksesi në epokën Guardiola, që në atë sezon e finalizuan duke fituar tre trofe: Champions League, La Liga dhe Copa del Rey.
Gjithsesi mbetet ndeshja me më shumë polemika në Champions League, Chelsea u ankua për 4 penallti të mohuara, yje si Michael Ballack dhe Didier Drogba lanë fushën duke drejtuar fjalë të rënda publikisht drejt kamerave për lojë të pandershme dhe vendime të urdhëruara për arbitrin kryesor, teksa sulmuesi afrikan e quajti “biznes”.
Pikërisht sot, pas 10 vitesh, Barcelona udhëton sërish për në Angli, këtë herë në Liverpool, rezultati është komod dhe do synojë kualifikimin për në finale, teksa janë në lojë për të fituar edhe Copa del Rey, pasi deri tani kanë siguruar titullin kampion në La Liga.