100 ditë para zgjedhjeve – Ndryshime të dyshimta në rregulloren e policisë

Dje kanë hyrë në fuqi disa ndryshime në Rregulloren e Policisë, ku bie në sy se shfuqizohen nenet që garantojnë paanshmërinë politike të punonjësve. Edhe pse veprimtaria e Policisë bazohet në Ligj, ky ndryshim i rregullores, 100 ditë para zgjedhjeve, pa transparencë ngre shumë dyshime. Gazeta MAPO sjell një raport mbi pikat që kanë rënë dhe çfarë domethënie kanë ato

Kur nuk kanë mbetur as 100 ditë nga data e zhvillimit të zgjedhjeve, qeveria ka vendosur të ndryshojë thuajse tërësisht rregulloren e policisë së shtetit, të miratuar po vetë nga qeveria aktuale në vitin 2015. Në fakt janë dhjetëra nene të saj që janë shfuqizuar, ku i lihet më shumë hapësira drejtorit të policisë së shtetit, sidomos në dhënien e gradave, konkurset për to apo zhvillimin e karrierës në polici. Ajo që të bën përshtypje është fakti se bashkë me nenet e tjera është shfuqizuar dhe neni 111 i kësaj rregulloreje që flet për paanshmërinë e punonjësit të policisë. Në fakt paanshmëria është sanksionuar dhe në parimet e përgjithshme të ligjit për policinë e shtetit, dhe ekspertët thanë për MAPO se nuk është normale që të shfuqizohen nga rregullorja e funksionimit të policisë.



Paanshmëria

Por çfarë thotë neni 111, më saktësisht pika katër e tij. “Punonjësi i policisë nuk merr vendime të njëanshme dhe të ndikuara politikisht në lidhje me emërimet, ecurinë në karrierë, si dhe në zgjidhjen e problemeve gjatë ushtrimit të funksioneve”. Ky nen pengon marrjen në punë të militantëve politikë, ose më saktë i vë para një procesi administrativ drejtuesit e lartë të policisë në rast se konstatohen se punësimet janë bërë në bazë të bindjeve partiake.

Heqja e këtij neni për juristët e fushës zhvesh nga përgjegjësia ata drejtues policie që bëjnë të tilla veprime. Megjithëse në Kodin Zgjedhor janë sanksionuar që katër muaj para zgjedhjeve ndalohen aktet nënligjore me qëllime përfitimi për kategori të ndryshme, punësimet apo nxitja e karrierës jo vetëm në polici por edhe në sektorë të ndryshëm të administratës janë lënë evazive.

E thënë më qartë, heqja e këtij neni shkarkon nga përgjegjësia drejtuesit e lartë të policisë, në rast se konstatohen shkelje administrative apo nxitje karriere, dhe transferime në bazë të bindjeve politike. Një pezullim i veprimtarisë së SHÇBA, në lidhje me këtë çështje, qofshin këto dhe në rastet kur ka sinjalizime nga brenda apo jashtë policisë.

Rregullorja

Duket se rregullorja ka ndryshuar rrënjësisht dhe është prekur në shumë ligje të saj. Janë shfuqizuar një mori nenesh që kanë të bëjnë me lëshimin e dokumentave, rregulloret e brendshme të komisariateve, personat që mund të hyjnë në to etj.

Për shembull, në nenin 44 që flet për hyrjen e personaliteteve Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, dhe anëtarët e kabinetit qeveritar mund të hynin në komisariat pa paraqitur një dokument identifikimi.

Deputetët duke provuar statusin e tyre me anë të dokumentit, diplomatët e huaj dhe delegacionet mund të hynin të shoqëruar nga një person i strukturave të marrëdhënieve me jashtë. Tashmë, rregullat e hyrjes në komisariat miratohen me urdhër të Ardi Veliut.

Në vend të nenit 44 është bërë një shtojcë në nenin 46 ku thuhet “Rregullat dhe procedurat për hyrjen dhe daljen e personave, që nuk janë punonjës të Policisë së Shtetit, në ndërtesat/mjediset e Policisë së Shtetit, miratohen me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit”.

Është shtuar dhe neni i transferimeve ku tashmë punonjësi i policisë mund të transferohet dhe në poste të tjera të administratës, që kanë ose jo lidhje me Ministrinë e Brendshme etj. Gjithashtu është shfuqizuar neni i cili flet për shërbimet jashtë rrethit, ku flitet për dietat dhe shpenzimet etj. Gjithsej janë shfuqizuar rreth 42 nene, dhe është prekur thuajse çdo nen i saj nga 245 gjithsej.

Dyshimet

Është e vërtetë që rregullorja e policisë së shtetit ka të bëjë me procedimet disiplinore të saj, si ulje në gradë, në detyrë apo deri në shkarkim nga puna. Por është e dyshimtë mënyra se si është vepruar për ta miratuar këtë rregullore e cila ndryshohet rrënjësisht vetëm 6 vjet pas hyrjes në fuqi.

Në faqen e QBZ thuhet se vendimi për këto ndryshime në qeveri është marrë nga qeveria më datë 9 dhjetor 2020, por në listën e vendimeve të marra në atë datë nga qeveria, pikërisht ky vendim mungon.

Mungesa e transparencës lë vend për dyshime, pasi në një vështrim të përgjithshëm që i bëhet ligjit, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë i jepen kompetenca të pafundme, sidomos kur bëhet fjalë për gradat apo zhvillimin e karrierës së punonjësve.

Kufizohen hapësirat e auditeve që kanë të bëjnë me kontrollin e administratës së policisë, sidomos kur bëhet fjalë për emërime e shkarkime. Gjithsesi, mbetet për t’u parë më tej qëllimi i këtij ndryshimi të rrënjësishëm të rregullores së funksionimit të policisë së shtetit, por ndërmarrja e një hapi të tillë pa u konsultuar me grupet e interesit siç mund të jenë sindikatat e policisë, vetëm 100 ditë para zgjedhjeve ngre jo pak hije dyshimi për një ndërmarrje të tillë, sidomos po të kemi parasysh sjelljen e elementëve të caktuar të policisë në zgjedhjet e kaluara. Dosja 184 e Dibrës, është dëshmia më e qartë për këtë.


Fatal error: Uncaught ___C_0: (E_ERROR) Trying to access array offset on value of type bool in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config:252 Stack trace: #0 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(13): ___C_5->_errorHandler(2, 'Trying to acces...', '/home/gazetamap...', 13) #1 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_demo_style() #2 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(74): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_image_size() #3 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(63): JNews\Module\Block\Block_9_View->build_column(Array, 'jeg_col_2o3') #4 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(47): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_column(Array, 'jeg_col_2o3') #5 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/BlockViewAbstract.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_output(Array, 'jeg_col_2o3') #6 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/ModuleViewAbstract.php(165): JNews\Module\Block\BlockViewAbstract->render_module(Array, 'jeg_col_2o3') #7 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(1265): JNews\Module\ModuleViewAbstract->build_module(Array) #8 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(205): JNews\Single\SinglePost->related_post(false) #9 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(307): JNews\Single\SinglePost->related_post_hook('') #10 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(331): WP_Hook->apply_filters(NULL, Array) #11 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/plugin.php(474): WP_Hook->do_action(Array) #12 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/fragment/post/single-post-1.php(66): do_action('jnews_single_po...') #13 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(772): require('/home/gazetamap...') #14 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(716): load_template('/home/gazetamap...', false, Array) #15 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/general-template.php(204): locate_template(Array, true, false, Array) #16 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/single.php(16): get_template_part('fragment/post/s...') #17 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template-loader.php(106): include('/home/gazetamap...') #18 /home/gazetamapo/public_html/wp-blog-header.php(19): require_once('/home/gazetamap...') #19 /home/gazetamapo/public_html/index.php(17): require('/home/gazetamap...') #20 {main} thrown in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config on line 252