Editorial

100 mijë gishtat me ngjyrë






               Publikuar në : 09:00 - 29/06/19 |
Mapo.al

Mapo.al


Me sa duket, 30 qershori do të ndodhë. Edi Rama nuk është tërhequr nga kursi i tij, dhe asnjë prej zhvillimeve, apeleve dhe shqetësimeve, sidomos të brendshme, nuk e ndali. Përtej aktorëve kryesorë të këtij konflikti politik, është një ushtri e heshtur me njerëz që janë protagonistë të së Dielës që po vjen.

Janë mbi 100 mijë punonjësit e administratës të cilët të hënën duhet të tregojnë te shefat e tyre gishtin me bojën e matrikulimit të KQZ-së, dëshmi që tregon se ata kanë votuar.

Në përgjithësi, 30 qershori nuk do të mbahet mend si ditë e lavdishme. Shqiptarët nuk patën mundësi të zgjedhin, sepse opozita, alternativa, nuk ishte prezente.

Por gjithsesi, pjesa më e madhe e qytetarëve e patën sërish një mundësi zgjedhjeje. Duke pranuar, ose refuzuar këtë proces.

Ndërsa këtë shans gjithsesi demokratik, nuk e kanë 100 mijë frymë, të paktën aq sa llogariten të jenë nëpunësit e administratës, që marrin rrogat në shtet.

Për të ruajtur vendin e punës, ata janë të detyruar të paraqiten të Dielën për të votuar. Denoncimet janë se për më tepër, rrogëtarëve u është kërkuar të marrin dhe familjen. Shënime do të mbahen.

Secili nga ne, e ka dikë në rrethin familjar që është gjithë këto ditë në stres. Duhet të marrë fëmijët me vete në mitingje, të brohorasë e të tregojë entuziazëm në rrjetin social duke bërë share çdo postim të shefave të mëdhenj.

Mirëpo, kulmi i presionit është për ditën e Diel.

Të paktën 100 mijë gishta me ngjyrë do të verifikohen të hënën në mëngjes herët.

Tregoje pak! Ok, paske votuar. Vazhdo!

I shkurtër pritet të jetë komunikimi.

Kjo nuk është ndodhi e një kohe të largët, e ndoca viseve që nuk njohin prej jetësh liri e demokraci në Afrikën nënsahariane, apo në zona bjelloruse.

Kjo pritet të ndodhë nesër në Shqipëri, në verën e vitit 2019, 29 vite pas rënies së komunizmit. Do të ndodhë në një vend anëtar të NATO-s dhe që shpreson të çelë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Kjo trysni ndaj burrave e grave që marrin një rrogë për të mbajtur familjen e shpirtin gjallë, është skandaloze, po aq kriminale, në mos edhe më shumë se shantazhi i banditëve të përgjimeve.

Nuk ka dyshim se një pjesë e mirë e të punësuarve i përkasin mazhorancës dhe do të shkojnë me qejf ta bëjnë detyrën e partisë. Po sikur mes tyre, gjysma të jenë të detyruar, kjo është thjesht e vajtueshme.


Etiketa: , , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas