Në pesë vitet e fundit, deri në maj të 2020-s, buxheti i shtetit ka paguar rreth 100 milionë euro për PPP në shëndetësi. Shuma do të mjaftonte për të ndërtuar dy spitale të reja moderne.
Nga viti 2015, kur filloi për herë të parë zbatimi i kontratave të Partneritetit Publik-Privat (PPP) në shëndetësi, deri në maj të 2020-s, buxheti i shtetit ka paguar gjithsej rreth 12.2 miliardë lekë (gati 100 milionë euro) për tre koncesionet e shëndetësisë. Të dhënat janë përpunuar nga “Monitor”, bazuar në deklarimet në projektbuxhet për pagesat e koncesioneve të check-up, sterilizimit dhe dializës për 2018-2019 dhe nga bilancet e kompanive përkatëse për 2015-2017, (shih tabelën), pasi vetëm nga 2018-a financat, nën presionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, filluan të bëjnë transparencë për këto pagesa. Niveli më i lartë i financimit u arrit në 2019-n, me 3.8 miliardë lekë, ose rreth 31 milionë euro. Për 2020-n, pas pandemisë, financat e kanë rishikuar buxhetin me ulje dhe pagesat totale parashikohen në total 2.8 miliardë lekë, ose 25% më pak se në 2019-n.
Në pjesën e dytë të këtij viti filloi zbatimi i koncesionit të katërt, atij të laboratorëve, për të cilin janë parashikuar 400 milionë lekë. Katër koncesionet, check-up (nga 2015-a), sterilizimi, dializa (nga 2016) dhe së fundmi laboratorët, janë parashikuar për një periudhë 10-vjeçare për një shumë totale prej 45.5 miliardë lekësh, ose rreth 370 milionë euro. Por, sa eficente kanë qenë këto shpenzime/investime të deritanishme nga buxheti (ndërsa dhe 270 milionë euro të tjera do të paguhen në vitet në vijim) për shëndetësinë dhe çfarë vlere të shtuar do t’i sjellin sistemit kur të përfundojnë? Sa ndihmuan këto investime të paguara nga buxheti në infrastrukturën e sistemit shëndetësor, në momentin që vendi u përball me emergjencën e shkaktuar nga COVID-19?
As Ministria e Financave dhe as ajo e Shëndetësisë nuk iu përgjigjën një kërkese për informacion nga “Monitor”, lidhur me arsyet pse u vendos që këto shërbime të jepen me koncesion dhe si ka rezultuar analiza kosto-përfitime për to deri tani. Nga ana tjetër, vetë Ministria e Financave, në një raport për zbatimin e koncesioneve, publikuar në fund të 2019-s, pranonte se për shumë kontrata, risku financiar ishte mbajtur nga shteti, ndërsa dhe parashikimet nuk ishin bërë të sakta.
Gabimet në llogaritje, ose 91 milionë euro më shumë
Pritshmëritë për pagesën e kontratave të shëndetësisë janë rritur vit pas vite, për shkak parashikimeve të pasakta në llogaritjen e shërbimeve që do të faturoheshin. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara në relacionet e Ministrisë së Financave, në vitin 2018, kosto totale e kontratave për katër PPP-të e shëndetësisë ishte parashikuar në 34 miliardë lekë. Dy vjet më pas, në relacionin e 2020-s, parashikimi për vlerën totale të kontratave arriti në 45.5 miliardë lekë, me një rritje prej 33%, ose 91 milionë euro më shumë.
Rritja më e madhe është për koncesionin e sterilizimit, me 64%. Dializa është ulur me 17%. Kontrolli bazë pritet të kushtojë 36% më shumë. Edhe për koncesionin e laboratorëve, që përpara se të fillojë zbatimi, vlera është rishikuar në rritje me 44%. Deri tani nuk ka pasur një sqarim publik, apo mbajtje përgjegjësie për rishikimin në rritje të vlerave të kontratave, pagesat e të cilave vijnë nga taksapaguesit shqiptarë.
Sterilizimi, në 2018-2019, faturoi sa 36% e parashikimit fillestar për 10 vjet
Saniservice është kompania që po zbaton koncesionin e sterilizimit. Shërbimi i shoqërisë është i shpërndarë në 29 qendra spitalore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Vlera fillestare e plotë e kontratës ishte parashikuar në 10 miliardë lekë, ndërsa në projektbuxhetin e 2019-s, ajo u rishikua, duke u rritur me 64% në 16.5 miliardë lekë. Kostoja e këtij koncesioni është rritur ndjeshëm, për shkak të numrit të lartë të ndërhyrjeve kirurgjikale, në raport me parashikimet.
Ministria e Financave, në një raport për zbatimin e kontratës koncesionare për sterilizimin, ka pranuar se risku i financimit është marrë përsipër tërësisht nga buxheti dhe deri tani janë materializuar risku i kërkesës dhe risku i negocimit, gjë që ka bërë që buxheti të paguajë rreth 5 milionë euro më shumë vetëm për vitin 2018. Sipas raportit të financave, pagesat për këtë kontratë realizohen sipas skemës (pay x use), prandaj tejkalimi në nivel vjetor i numrit të ndërhyrjeve të planifikuara sjell kosto shtesë për buxhetin e shtetit.
Kompania sqaron në raportin e saj vjetor se, në fund të çdo muaji, vlerat e ndërhyrjeve dhe shërbimi i ofruar raportohet drejt Drejtorive Rajonale të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), nëpërmjet një raporti të gjeneruar nga sistemi i menaxhimit të brendshëm të shoqërisë. Pas vlerësimit dhe kontrollit të raporteve mujore nga Drejtoritë rajonale përkatëse, bëhet faturimi mujor i shërbimit sipas kategorive për katër llojet e ndërhyrjeve të parashikuara në kontratë, me kompleksitet të ulët, të mesëm, të lartë dhe paketë me avull. Në vitin 2019, shoqëria ka deklaruar humbje prej 10 milionë lekësh, pas fitimeve të larta prej 265 milionë lekësh të deklaruara vitin e mëparshëm. Humbjet erdhën si rrjedhojë e rritjes së shpenzimeve për amortizime dhe të tjera të veprimtarisë.
Check-up, paguhet për kontrolle të pakryera
I ashtuquajturi koncesion i check-up është një kontratë e Partneritetit Publik-Privat dhe ka si qëllim kontrollin mjekësor bazë, që është një program kombëtar, i cili synon depistimin e popullatës për faktorët e rrezikut dhe sëmundjet më të përhapura. Kjo kontratë, që zbatohet nga 3P Life Logistic, ka filluar të zbatohet në datë 31.03.2015. Shoqëria koncesionare ka marrë përsipër të ndërtojë, pajisë me aparaturat mjekësore të nevojshme, të operojë dhe menaxhojë 20 laboratorë. Vlera totale e saj, sipas projektbuxhetit 2020, është 8.7 miliardë lekë, ose 36% më e lartë se vlerësimi në projektbuxhetin 2018.
Për këtë kontratë, Partneriteti Publik-Privat në nivel vjetor janë parashikuar 475 000 përfitues të shërbimit, pra 39 583 raste në muaj, për të cilat kompania koncesionare i merr pagesat, pavarësisht nga fakti nëse ato realizohen apo jo. Por, numri real i kontrolleve të kryera për periudhën 2015-2018 ka qenë shumë më i ulët, përkatësisht 244 420 në vitin 2015; 329 555 në 2016; 316 601 në 2017 dhe 2018 në 428 891. Në total, për këta 4 vjet, diferenca mes kontrolleve të paguara dhe atyre të realizuara rezulton 580 533.
Koncesionari paguhet çdo vit 876 milionë lekë, ose 1 844 lekë për çdo kontroll të planifikuar. Si rrjedhojë, sipas përllogaritjeve të “Monitor”, rezulton se koncesionari ka marrë rreth 1.1 miliardë lekë (8.5 milionë euro) në periudhën 2015-2018 për kontrollet që realisht nuk i ka kryer! Edhe në rastin e këtij koncesioni, Ministria e Financave pranon se risku financiar është marrë përsipër nga shteti. Koncesionari e ka ndërprerë përkohësisht aktivitetin pas pandemisë, duke cituar shkaqe madhore.
Dializa
Shoqëria DiaVita ka si objekt zbatimin e kontratës së koncesionit/PPP “Për shërbimin e hemodializës pranë spitaleve rajonale në Shkodër, Lezhë, Korçë, Vlorë dhe Elbasan”. Kjo kontratë është nënshkruar më 10 shkurt 2016 ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe shoqërisë DiaVita SHPK dhe është bërë efektive në qershor të vitit 2016. Kosto totale e saj është 7.2 miliardë lekë. Sipas të dhënave nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, nga 1250 pacientët që u trajtuan me hemodializë në vitin 2018, 30% prej tyre morën shërbimin nga koncesionari i Partneritetit Publik-Privat (PPP) nëpërmjet kompanisë DiaVita, 11% në publik dhe pjesa tjetër, në privat. Çmimi i paguar për një seancë hemodialize nga fondi i programuar për këtë paketë ndaj institucioneve shëndetësore që ofrojnë këtë shërbim ishte 12,106 lekë.