Votuesja më e vjetër në Kosovë, 107-vjeçarja Xhezide Aliu, ka treguar se i ka besuar Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit. Ajo tha për Klan Kosova se votën ia dha figurave kyçe të Lëvizjes Vetëvendosje, sepse i janë dukur më të mirët.
“E sundoftë këtë vend me faqe të bardhë”, – ka qenë porosia e 107-vjeçares për Kurtin, i cili nuk ngurroi ta përmendë në fjalimin e tij si kryeministër i ardhshëm i Kosovës.
“Kjo ditë do të mbahet mend si dita kur populli kaloi përçarjet dhe ndasitë. Ka për t’u mbajt mend edhe për votimin e gjyshes Xhezide Aliu. 107 vjeçe është dhe në këtë të ftohtë dimri e akulli, ajo mund të qëndronte në shtëpinë e saj, por doli të votonte. Ajo dha një mesazh për të rinjtë”, – u shpreh Kurti.
Dje, në qendrën e votimit në fshatin Dardani, Ferizaj, e moshuara tha se ka marrë pjesë gjithmonë në zgjedhje, dhe se kësaj radhe pret ndryshim për të rinjtë.
“Prej që e mbaj në mend se ka filluar votimi, unë kam votuar. Të rinjtë shpresoj që marrin rrugë të drejtë. Pres ndryshim për të rinjtë, të rriten, gëzohen e të përparojnë. Të rinjtë të dalin në dritë dhe kryetari i ri t’i kënaqë të gjithë. Nuk kam lënë asnjëherë pa votuar”, – u shpreh Xhezide Aliu.