Nënkryetarja e LSI-së, Erisa Xhixho, në një konferencë për shtyp ka kërkuar sot nga institucionet e drejtësisë të hetohen zyrtarët e qeverisë për humbjen e gjyqit 109 milionë euro me biznesmenin italian Francesco Becchetti.
Xhixho tha se qytetarët duhet të paguajnë me taksat e tyre për veprimet arbitrare dhe antiligjore të qeverisë dhe se këto para mund të ishin investuar fare mirë në sektorin e turizmit.
“Shqiptarët duhet të paguajnë sot, 109 milionë euro ose thënë thjesht 140 miliardë lekë si pasojë e veprimeve arbitrare dhe mafioze të qeverisë ndaj biznesmenit Francesco Becchetti. Në situatën që jemi sot, këto para mund të ishin përdorur për të zgjidhur problemet kritike me të cilat po përballen shqiptarët dhe bizneset si pasojë e pandemisë. Në mënyrë të veçantë sektori i turizmit”, – tha Xhixho.
Duke e cilësuar si një krim shtetëror atë që ka ndodhur me procesin kundër biznesmenit italian, Xhixho kërkoi ndërhyrjen e SPAK për të nxjerrë autorët përgjegjës.
“Tashmë, gjykatat ndërkombëtare kanë folur, mediat po ashtu, qytetarët gjithashtu. Të vetmit që nuk kanë folur janë kryeministri dhe prokuroria. SPAK ka detyrimin kushtetues për të hetuar dhe hapur çështjen penale, në mënyrë që, duke filluar nga kryeministri deri te zyrtari më i fundit të merren nën hetim”,– theksoi Xhixho.