Aktualitet

110 mln euro për Becchettin, Alibeaj: Rama të vihet në hetim, janë më shumë para se ndihma për pandeminë





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 12:24 - 10/07/20 |
mapo.al

Ish-deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj i kërkon prokurorisë që të hetojë kryeministrin Edi Rama për shpërdorim detyre, pasi i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm me vlerë 109 milionë euro për shkak të luftës së Ramës me sipërmarrësin italian, Francesco Becchetti.


Ai shtoi se në 7 vjet të qeverisjes së Edi Ramës, shqiptarët kanë provuar në lëkurë se ky kryeministër u ka bërë keq, duke u rritur taksat, duke mbyllur vende pune, duke i zbuar nga vendi dhe, mbi të gjitha, duke i vjedhur.


“Lufta e shpallur ndaj sipërmarrësit italian Francesco Becchetti për arsyen e vetme se zotëronte një media kritike ndaj qeverisë, ndaj Edi Ramës dhe Erion Veliajt, po u kushton qytetarëve të vendit 109.5 milionë euro. Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit i dha të drejtë sipërmarrësit dhe i kërkon Shqipërisë të paguajë dëmin.  Ky duhet të ishte momenti që Edi Rama të jepte dorëheqjen, pasi urdhrin për të shkatërruar biznesin e Beketit dhe për të sekuestruar televizionin e ri ‘Agon Channel’, e dha Edi Rama”, tha Alibeaj.


Ai shpreh shqetësimin se tani, shqiptarëve do t’u duhet të paguajnë për luftën personale të kryeministrit me një sipërmarrës të huaj, kritik ndaj keqqeverisjes se tij, plot 109 milionë euro.


“Janë më shumë para sesa të dyja paketat e ndihmës që qeveria u dha qytetarëve gjatë pandemisë. Me kaq shumë para, bizneset nuk do të ishin sot duke luftuar për mbijetesë, mijëra vende pune nuk do të ishin mbyllur. 109 milionë euro që Shqipëria po paguan për luftën personale të Edi Ramës kundër një biznesi faktojnë se buxheti kishte para, por taksat nuk iu kthyen shqiptarëve, kur ata kishin më shumë nevojë për ndihmë, por u përdorën për të financuar luftën politike personale të Edi Ramës”, vijoi ai.

Sipas Alibeajt, në një shtet normal me një qeveri dhe kryeministër normal, që nuk luan bixhoz me paret e shqiptarëve, ato para duhet t’i paguajë ai që ka shkaktuar dëmin.

“Duhet t’i paguajë Edi Rama. Ai ka me çfarë ta paguajë. Le t’i sekuestrojnë pasuritë e deklaruara dhe të padeklaruara. 10 vjet më parë, një dokument i OSBE-së tregoi se pasuria e kryebashkiakut të kohës, Edi Rama, llogaritej në rreth 200 milionë euro. Është detyrë e drejtësisë të hetojë dhe të marrë nën përgjegjësi penale kryeministrin e vendit për shpërdorim detyre. Shqiptarët nuk kanë pse paguajnë nga taksat e tyre 109 milionë euro për luftën personale të Edi Ramës me median e lirë dhe biznesin”.


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas