Nga disa rrethe të vendit janë nisur qytetarë për të marrë pjesë në protestën e opozitës, e cila do të nisë në orën 19:00 në Tiranë.
Nga qyteti i Kukësit dhe zonat përreth, sipas PD-së janë nisur rreth 2000 anëtarë të PD, simpatizantë dhe qytetarë me autobus dhe makina private.
Nga Hasi janë 800 demokratë që kanë udhëtuar me makinat e tyre në drejtim të Tiranës edhe afro 1200 mbështetës janë nisur nga Tropoja për të protestuar në Tiranë. Shifrat janë dhënë nga drejtuesit e PD-së në rrethe.
Gjithashtu rreth 1 mijë demokratë janë nisur nga Shkodra në orën 15:00, për të marrë pjesë në protestën e thirrur nga kreu i kësaj force politike, Sali Berisha. Partia Demokratike ka kërkuar 2 orë leje në policinë e Tiranës.
Mbi 1200 efektivë të policisë do të jenë të angazhuar në terren mes të cilëve forca të rendit, të Ndërhyrjes së Shpejtë, repartit Shqiponja dhe punonjës të Gardës.