Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Republikane kanë dërguar në KQZ kërkesën për t’u regjistruar në zgjedhjet e 13 tetorit, të dekretuara nga presidenti Ilir Meta. Kërkesa e dy partive të koalicionit opozitar, aleate me Partinë Demokratike, vjen në ditën e fundit të afatit që parashikon ligji për regjistrimin e partive politike.
Ka qenë Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari i cili ka depozituar kërkesën pranë institucionit të organizimit të zgjedhjeve. Më pas, KQZ-së i janë drejtuar edhe përfaqësuesit e PR-së. Për kërkesën e LSI dhe PR, KQZ pritet të vendosë ditën e nesërme.
“Unë kam ardhur në emër të LSI për të dorëzuar kërkesën për regjistrim. Ajo çka është e rëndësishme është se data 13 tetor është ditë e ligjshme zgjedhjesh për pushtetin lokal dhe është e respektueshme nga të gjithë”, u shpreh Braimllari.
Dy ditë më parë partitë opozitare i kërkuan KQZ-së të nisë procedurën për organizimin e zgjedhjeve vendore, por mbledhja dështoi pasi i pranishëm ishte vetëm kryetari Klement Zguri.
Nga ana tjetër, për 13 tetorin ende nuk ka një vendim nga PD. Kryedemokrati Lulzim Basha ka deklaruar se kësaj radhe zgjidhja e krizës kalon nga politikanë me pranga në duar, duke theksuar se vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme me një qeveri tranzitore. Basha kërkon ndëshkimin e politikanëve që sipas tij vodhën zgjedhjet dhe përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme.