Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për dy administratorët e kompanisë ‘Masabi Fruits’, që kishin porositur konteinerin me banane, ku u gjetën edhe 143 kg kokainë
Të dy të arrestuarit, të cilët janë edhe kushërinj me njëri-tjetrin, kanë mohuar që të kenë lidhje me trafikun e drogës. Ata thanë pas arrestimit se operonin në fushën e importit të frutave prej 5 vitesh dhe çdo javë prisnin konteinerë nga Amerika Latine.
Policia dyshon se ngarkesa prej 143 kg drogë ka ardhur në Shqipëri për llogari të 3 grupeve të ndryshme kriminale. Policia ka sekuestruar telefonat celular të dy të arrestuarve si edhe gjithë dokumentacionin e kompanisë.
Ngarkesa iu nënshtrua skanerit, pasi u vlerësua si një konteiner me risk. Mësohet se konteineri ku u gjet droga është shkarkuar nga anija e konteinerëve “Dance”, anije me flamur portugez që vinte në Durrës pas ndalesës në portin grek të Pireut. Burime nga grupi hetimit thonë se rasti konkret është zbuluar falë bashkëpunimit nga partnerët e huaj.
Siç shihet në pamjet e siguruara nga Gazeta Mapo, droga ishte fshehur në tavanin e konteinerit e ndarë në 200 pako të mbështjella me natriban dhe me mbishkrime përcaktuese si dhe fotografinë e trafikantit famëkeq Pablo Escobar. Në pakot e kokainës ishte shkruar në spanjisht ‘El Mejor” (më e mira) dhe ‘Viejon’ (i moshuar).
LEXO EDHE:
“El Mejor, (më e mira)”-Kokaina në Portin e Durrësit me imazh të Pablo Escobar