Duke llogaritur edhe kthimin, pas një qendrimi të shtrenjtë disa ditor në SHBA, bilanci i vizitës së Kryeministrit, sipas asaj që ai komunikon vetë në tëeeter, është; 15 mijë kilometra dhe një faturë goxha e kripur në këtë sezon, për të kuptuar se sigurimi i vaksinës është i vështirë dhe se vendet e vogla dhe me buxhet të ulët janë të disavantazhuara.
E vetmja gjë që ngelet, është një foto me bosin e kompanisë Pfeizer, dhe premtimi për të mbajtur të hapura kanalet e komunikimit.
Nuk dihet se sa do ti vlejë kjo Ramës për propagandën dhe fushatën që po vjen, në tezën e tij, se nuk lë gur pa lëvizur, por është e sigurtë se Shqipërisë kjo rrugë i ka kushtuar ndoca dhjetra mijë euro, duke patur parasysh koston e lartë të biletave të Ramës dhe delegacionit që e shoqëron, dhe qendrimin në hotele atje.
Shqipëria është padyshim tek vendet e vogla, me buxhet të ulët dhe të disavantazhuara, kjo kur bëhet fjalë për shërbimet ndaj njerëzve, ndërsa nuk ngjan aspak e tillë, kur vjen puna për shtegtimet e shefit të qeverisë.
Ndërkohë, këto 4 ditë, qysh se kumtoi se po nisej për SHBA, Rama ka lanë pas një vend me përkeqësim të situatës së pandemisë, ku ambulancat me të prekur rreshtohen në oborret e spitaleve sepse nuk ka vende, për shkak të mungesave dhe menaxhimit, për shkak të mosinvestimit sa duhet.
Dhe ka lënë pas një vend që bëri një regres të fortë e dramatik në deficitin demokratik e në cenimin e të drejtave të njeriut, ku një i ri 25 vjeçar u vra nga policia në derën e shtëpisë së tij, për shkak se qarkullonte pas orarit të lejuar.
Se kujt do ja shesë Rama si sukses, si heroizëm epik këtë vizitë njohëse dhe vendosje kontakti, ngelet për t’u parë.
LEXO EDHE:
Rama me sipërmarrësin e “Pfeizer” – Takimi pozitiv, vaksina e vështirë