Kryesore

16-ta e dytë




               Publikuar në : 08:30 - 16/03/19 |
mapo.al

Opozita shqiptare del sërish në shesh sot, pas një fushate ku lideri i PD shfaqi më shumë premtimet që do kthejë në realitet nëse vjen në pushtet. Sërish nuk jepen shumë detaje për protestën. Si do jetë ajo dhe si mund të zgjidhet kriza? Flasin analistët Iris Luarasi dhe Alfred Lela


Nga Enton Palushi

Lulzim Bashës duket se po i pëlqejnë ecjet që po bën në qytete të ndryshme të Shqipërisë, duke takuar njerëz të ndryshëm, të cilëve u bën thirrje për pjesëmarrje në protestë. Gjatë këtij muaji, ai më shumë e ka përqendruar retorikën e tij te premtimet që do i bëjë realitet nëse vjen në pushtet. Kryetari demokrat e bën dallimin mes një mitingu të zakonshëm elektoral dhe këtij udhëtimi mes qytetarëve hallexhinj.

Vendi është në pritje të mitingut të dytë të opozitës shqiptare. Edhe ketë herë, pak dihet për organizimin e protestës. Disa thonë se opozita shqiptare do të synojë të tregojë ‘muskujt’ vetëm me numrin e njerëzve të pranishëm në shesh. Të tjerë thonë se mund të ketë sërish tension, pasi zemërimi i qytetarëve, siç u pa edhe në protestat e tjera më të vogla para parlamentit, mbetet i madh. Ka edhe nga ata që kanë spekuluar se protesta ketë herë do jetë me e gjatë se zakonisht, me qëllim dëmtimin e festës që ka përgatitur qeveria dhe Bashkia e Tiranës për t’iu kundërvënë mitingut opozitar.

Pavarësisht se cila do të jetë mënyra se si do organizohet kjo protestë, fakt është se në mes të vendit është ulur këmbëkryq një krizë politike, e cila nuk zgjidhet edhe sikur qeveria të shpresojë që protestat të mpaken. Opozita ka djegur mandatet parlamentare dhe disa thonë se mund të mos hyjë as në zgjedhjet e pritshme lokale në qershor të këtij viti. Pikëpyetja e madhe që ngrihet është se si mund ta zgjidhë mazhoranca e Edi Ramës pikërisht problemin e mungesës së opozitës në sistem.

Deri më tani, sytë e shqiptarëve dhe të politikës janë drejtuar te të huajt. Qëndrimet e para kanë qenë ato që priteshin, me ndërkombëtarët që kritikojnë qëndrimin e opozitës dhe bëjnë thirrje për qetësi mes palëve. Por një deklaratë e së premtes nga ambasada amerikane duket sikur i turbulloi më shumë ujërat, pasi tonet e saj ishin të ashpra në drejtim të opozitës. Megjithatë, tensionet nuk kanë ndërmend të ulen, pasi Gjermania, që drejton ‘anijen’ europiane, po ndërron melodinë për situatën në vend.

Lulzim Basha nga ana e tij u ka bërë vetëm një thirrje të huajve: që të jenë të paanshëm. Një sugjerim e kam. Nuk u kërkoj të jenë palë me asnjë person, me asnjë parti politike, por me vlerat mbi të cilat qëndrojnë vendet e tyre, vlerat e zgjedhjeve të lira e të ndershme, të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të luftës kundër shitblerjes së votës, probleme të cilat i shprehu qartë dhe raporti i Departamentit të Shtetit pak ditë më parë, tha Basha.

E pikërisht këtu lind pikëpyetja e madhe: A janë në pozitë të vështirë ndërkombëtarët, pasi e dinë se zgjedhjet në Shqipëri asnjëherë nuk e kanë marrë vulën e certifikimit si të lira dhe të ndershme? Si mund t’ia mohojnë opozitës të drejtën për një garë të lirë dhe të barabartë?

Kjo pyetje do të na shoqërojë edhe për ca kohë, parashohin analistët. Për disa, zgjedhjet janë zgjidhja dhe një ushtrim normal i demokracisë në vend. Frika nga e ardhmja, se mos protestat dhe djegia e mandateve bëhen precedentë, nuk duhet ta kufizojë atë që duhet të ndodhë sot. Zgjedhjet e parakohshme janë një ushtrim normal në demokraci. Dhe zgjedhjet e lira janë e ardhmja, premton opozita.

Derisa kjo të bëhet realitet, asaj i duhet që të shtunën në shesh të tregojë se protesta është masive. Dhe që u përket qytetarëve.

 

Iris Luarasi: Protestat prodhojnë ndryshime, por jo pushtet në tavolinë

Flet për gazetën pedagogia dhe analistja e njohur

Zonja Luarasi, situata politike në Shqipëri duket e ngërthyer në ngërç. Robert Hand, njohës i mirë i çështjeve të rajonit, deklaroi nga Uashingtoni ‘se e gjithë ideja e politikës është që të duket se të gjitha palët fitojnë dhe jo që një palë të humbë gjithçka’. Sipas tij, ‘ky është problemi që kemi tani’. A mund të kemi një zgjidhje të tillë dhe cili mund të jetë skenari?

Politika, sipas meje, është e ngritur mbi negocimin dhe për sa kohë që quhet e tillë duhet të funksionojë në këtë mënyrë. Përgjithësisht praktika tregon se në rastin që dy palë ulen për të negociuar, ka një pritshmëri që ato janë mentalisht të përgatitura për një proces ku japin e marrin. Ministri gjerman i shtetit Michael Roth pak ditë më parë deklaroi se dialogu duket shumë i vështirë dhe këtu i referohej veçanërisht opozitës dhe asaj që ai e quante papërgjegjshmëri politike nga ana e saj në dorëzimin e mandateve. Çdo krizë politike në Shqipëri ka treguar se palët duhet të ulen e të dialogojnë, ndryshe do përballemi me konflikte nga të cilat një gjë është e qartë që populli qoftë majtas, djathtas apo i qendrës duket se nuk ka fituar asnjëherë.

Çfarë mund të sjellë protesta e radhës, kur dihet se është e vështirë që protestat të prodhojnë ndryshime të mëdha siç kërkon opozita? A mund të presim diçka ndryshe këtë herë? Çfarë do i këshillonit opozitës?

Protesta e një muaji më parë (16 shkurtit) u trumbetua se do ishte protesta më qëndrestare e parë ndonjëherë në Shqipëri nga opozita. Liderët e saj iu krijuan bindjen pasuesve të tyre se pas kësaj proteste Edi Rama largohej nga drejtimi i qeverisë dhe vendi shkonte shumë shpejt në zgjedhje të parakohshme. Madje zërave të liderëve të opozitës iu bashkëngjitën edhe thirrjet për dhunë nga studio televizive. Ajo që pamë përveç pjesëmarrjes masive dhe dhunës nuk kishte asgjë qëndrestare dhe të paparë ndonjëherë në historinë e protestave në Shqipëri. Unë mendoj se protestat prodhojnë ndryshime, por jo pushtet në tavolinë. Ato i bëjnë mirë Shqipërisë dhe qeverisë dhe protesta e 16 shkurtit përveç akteve vandale për të sulmuar institucionin e kryeministrisë, në shumicën e saj kishte njerëz civilë që protestonin kundër vjedhjes së votave dhe korrupsionit. Por përveç protestave, duhet dialog. Nëse do vazhdojmë me praktikat që i dua të gjitha ose nuk i dua fare, sigurisht që do kemi një stinë të gjatë protestash pa rezultat. Këshilla ime për opozitën do ishte një mea culpa publike për zgjedhjet e vjedhura nga ajo vetë, nëse duan t’ju tregojnë njerëzve se vërtet e kanë sinqerisht kërkesën për zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndryshe kjo histori që “hajduti thërret kapeni hajdutin” bëhet jo vetëm e pakuptimtë dhe amorale, por edhe qesharake.

Opozita pretendon se të gjitha opsionet e zgjidhjes do përplasen te pamundësia e mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme me kryeministër Edi Ramën. A qëndron ky argument dhe si mund të trajtohet problemi i zgjedhjeve në Shqipëri?

Nuk besoj se ka ndonjë shqiptar që nuk e ka dëgjuar pas çdo zgjedhje refrenin e përhershëm që zgjedhjet janë vjedhur. Po të ishte kjo një histori e re, do isha dakord që kjo do ishte zgjidhja e vetme. Por kjo jo vetëm që nuk është e re, por është aq shumë e përsëritur, sa po krijon problemin që ta konsiderojmë edhe si normalitet. Përpara se të shkonte në vendimin ekstrem të lënies së mandateve, opozita duhej të ezauronte të gjitha hapësirat ligjore që ofron ligji dhe vetëm nëse kjo nuk do sillte asnjë ndryshim, atëherë ndoshta mund të shkonte në këtë vendim “in extremis”. Por, pa ezauruar hapat ligjorë, ligjvënësit e opozitës treguan se nuk kanë besim te ligjet që kanë miratuar vetë dhe me dakordësi. Supozimi se ata e dinë se si do shkonte procesi, pa e filluar procesin, nuk të çon askund dhe nuk është argument. Në praktikën legjislative asnjë supozim nuk është fakt e, nëse do ju kishin shkuar deri në fund proceseve ligjore, kjo do i kishte dhënë shumë më tepër fakte dhe argumenta opozitës se ata kishin të drejtë në supozimin e tyre fillestar. Sot ata nuk e kanë mundësinë ta vërtetojnë një supozim të tillë. Nga ana tjetër, nuk mendoj se hapat negociues duhet të merren vetëm nga opozita. Qeveria nga njëra anë dhe prokuroria nga ana tjetër duhet të tregojnë me aksione dhe veprime konkrete që janë të angazhuara në zbardhjen e procesit të zgjedhjeve të vjedhura dhe duke çuar fajtorët në procese gjyqësore duke bërë një hap konkret përpara në historinë e kësaj gangrene që vazhdon prej pothuaj 30 vitesh në Shqipëri.

Personalisht mendoj se ka ardhur koha që të marrë fund çifligarizmi i kryetarëve të partisë ku kryetari ose kryetarja vendos se kush është deputeti i listës. Proporcionali kombëtar është baras me fiktivitetin e zgjedhjeve në Shqipëri e ka ardhur koha që ky sistem të ndryshojë.

 

Alfred Lela: Protesta duhet të jetë masive, këmbëngulëse dhe me simbolikë

Flet analisti dhe drejtuesi i portalit Politiko.al

Situata politike në Shqipëri duket e ngërthyer në ngërç. Robert Hand, njohës i mirë i çështjeve të rajonit, deklaroi nga Uashingtoni ‘se e gjithë ideja e politikës është që të duket se të gjitha palët fitojnë dhe jo që një palë të humbë gjithçka’. Sipas tij, ‘ky është problemi që kanë tani’. A mund të kemi një zgjidhje të tillë dhe cili mund të jetë skenari? 

Unë mendoj se jemi përtej ngërçit, atij që amerikanët quajnë ‘deadlock’, dhe kemi rënë me të dyja këmbët në krizë. Ngërç është, për shembull, mungesa e instrumentit thelbësor institucional të Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që mungesa e saj ‘favorizuar’ nga vektorë të tjerë politikë, socialë, përbën një krizë, sipas secilit përkufizim të mundshëm.

Kriza është e dukshme, por edhe e padukshme. Të dukshmen e thelloi dalja e opozitës nga sistemi. Ndërkohë që fillesat e saj hodhën rrënjë te një shkujdesje qeveritare, për të mos thënë platformë, për të lejuar kanabizmin e vendit, me të gjitha rrjedhojat e veta, implikimi personal apo familjar i dy ministrave të Brendshëm, pafuqia e ekonomisë dhe politikave ekonomike, të rënë në pak duar biznesesh të lidhura me qeverinë, për t’i bërë vend kapitalit të huaj të markave të mëdha, e me radhë.

Kriza e padukshme ka të bëjë me ‘eksodin e ri’ të shqiptarëve, më i madh edhe se në vitin 1997, ndarjen e pushteteve, që ka rënë edhe si koncept edhe si realitet, si edhe humbjen e shpresës që shoqëron të gjitha fenomenet e krizës, të dukshme ose jo.

Kështu që, për t’iu kthyer thelbit të pyetjes dhe deklaratës së zotit Hand, mund të thuhet se nuk bëhet më fjalë për humbjen e një pale politike, por e një pale popullore. Pakica ka fituar dhe shumica ka humbur. Nuk ka pikë rëndësie ajo që thonë ambasadorët e huaj këtu se, mazhoranca është legjitime. Po, ajo është legjitime në kontekstin e një procesi politik, me të gjitha të metat e mëdha shqiptare, por nuk është legjitime në kontekstin e gjerë, të përgjithshëm dhe real social, kulturor, dhe antropologjik. Një qeveri që ‘dëbon’ nga mëmëdheu 20 për qind të popullatës në pak vjet, mund të jetë legjitime në proces, por është ilegjitime, madje një mallkim në politikëbërje dhe qeverisje.

Çfarë mund të sjellë protesta e radhës, kur dihet se është e vështirë që protestat të prodhojnë ndryshime të mëdha siç kërkon opozita? A mund të presim diçka ndryshe këtë herë? Çfarë do i këshillonit opozitës?

Protesta ka për detyrë, ose mision të vetin, duke transportuar kështu thelbin e opozitës në Bulevardin kryesor të Tiranës, që të jetë, masive së pari dhe, këmbëngulëse së dyti.

Mund të jetë edhe kjo e dyta, sepse protesta e Teatrit Kombëtar tregoi se fitohet edhe me numra të vegjël, por me vendosmëri, me këmbëngulje, me përfaqësim të denjë dhe me simbolikë.

Këtë do t’i këshilloja opozitës: simbolikën. E kam përsëritur shpesh, ndoshta deri në padrejtësi, se opozita e Bashës nuk mund të komunikojë si opozita fundviteve ’90 me ‘Vizion 2000’.  Do t’u këshilloja të merrnin studentët që u prinë shtabeve të komunikimit të protestave studentore nëpër fakultete që t’ua përgatisin komunikimin, të paktën atë simbolik.

Të rinjtë e asaj qëndrese e dinë komunikimin sepse komunikojnë vetveten. Opozita duhet ta komunikojë vetveten duke e tejkaluar veten. Sepse opozita e ka tashmë misionin, i duhet vetëm ta përcjellë atë si dhe sa duhet.

Komunikimi politik strategjik, është gjë tjetër dhe jam i sigurt që z. Basha i ka gjetur njerëzit e përshtatshëm për këtë.    

Opozita pretendon se të gjitha opsionet e zgjidhjes do përplasen te pamundësia e mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme me kryeministër Edi Ramën. A qëndron ky argument dhe si mund të trajtohet problemi i zgjedhjeve në Shqipëri?

Opozita e ka komunikuar si duhet këtë kërkesë të sajën. Në thelb të saj qëndron ndarja që opozita kërkon t’i bëjë Partisë Socialiste dhe socialistëve të zakonshëm nga Edi Rama dhe ‘trusti i Rilindjes’. Madje duhet t’i mëshojë kësaj teze. “Nuk kërkojmë largimin e qeverisë socialiste; e pranojmë një kryeministër socialist në krye të një qeverie tranzitore, por jo Edi Ramën”.

Ekzistojnë tashmë informacione dhe dëshmi të shumta se, kryeministri me zor pranon të ndahet nga elementë të dyshuar në politikë dhe shoqëri. Vetë ikja e ministrit Xhafaj ka të bëjë pikërisht me këtë fakt. Ministri që deshi të arrestonte Dakon u largua dhe erdhi nga paradhoma e kryeministrit një ministër që mund të arrestojë vetëm ndonjë plakë protestuese.

Sa i takon problemit të zgjedhjeve, ai duhet trajtuar si thelbësor, si pikë vendimtare e procesit demokratik. Për t’iu larguar termave të drunjtë, zgjedhjet nuk mund të lihen të braktisura dhe të  katandisura në një derexhe të tillë, sa të përshkruhen nga batuta, tashmë e famshme, e të birit të një deputeti socialist, që u arrestua për dhunë dhe intimidim të një vajze. Nëse e mbani mend, gjatë një prej daljeve nga makina e policisë për në gjykatë, ai pat lëshuar një sokëllimë drejt kryetarit të opozitës: Lul Basha, do ta shohim në zgjedhje!

Sa më takon mua nuk ka ilustrim më të qartë të rënies dhe prishjes së zgjedhjeve.


Etiketa: , , , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Pas