Aktualitet

1600 policë për 133 bimë kanabis






               Publikuar në : 11:42 - 21/08/19 |
Nga Mapo.al

Policia e Shtetit në dy ditët e fundit ka nisur një aksion të gjerë antikanabis dhe njofton zyrtarisht se janë angazhuar 1600 forca. Rezultatet zhgënjyese të ditëve të para.


Dyshimi se grupet kriminale janë riaktivizuar në mbjelljen e drogës dhe strategjia për të “kontrolluar” në këmbë malet… Përse nuk po funksionon njësia e specializuar antikanabis?

Ndërsa mediat ndërkombëtare, por edhe raportimet në terren ngrenë alarmin për riaktivizimin e grupeve kriminale në kultivimin e kanabisit, policia dje nisi një njoftim zyrtar ku theksonte se 1600 forca policie kanë nisur një aksion të madh në mbarë vendin, por u gjetën vetëm 133 bimë narkotike.

Në njoftim thuhet se “1 600 forca policie, prej ditës së hënë dhe paradites së djeshme, kanë ushtruar kontroll masiv, me qëllim goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit, prodhimit, mbajtjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Si rezultat i kontrollit, në të gjithë vendin janë evidentuar dy raste, një rast në Malësinë e Krujës me 93 bimë dhe një rast në Gjorm të Vlorës me 40 bimë narkotike, të dyshuara kanabis”. Policia thotë më tej se po bën kontrolle me dron në vendet ku efektivët e kanë të vështirë të kontrollojnë për shkak të terrenit.

“Po në kuadër të kontrollit të territorit, vijon monitorimi nga ajri nga ana e Guardia di Financa, duke bashkëpunuar dhe koordinuar veprimet me grupet e kontrollit nga toka, me qëllim verifikimin e çdo koordinate, ku dyshohet se mund të ketë të kultivuara bimë narkotike”-thuhet në njoftim, duke shtuar se “kontrolli i territorit dhe monitorimi nga ajri do të vijojë edhe në ditët e ardhshme në përmbushje të prioritetit kryesor, atë të parandalimit të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike”.

Por situata me drogën duket se nuk është kaq rozë sa strukturat e rendit po e trajtojnë. Janë disa zona problematike ku deri më tani duket se i kanë shpëtuar “vëzhgimit” policor. Zona me risk të theksuar, ose e paraqitur në hartë me njolla të kuqe mbetet një pjesë e mirë e Malësisë së Krujës, Zona e Lumit të Vlorës, pjesa e Tepelenës gjithashtu një trevë problematike, por edhe në malet në Skrapar dhe fshatrat e Përmetit.

Nga burime pranë Policisë së Shtetit gazeta “Mapo” ka mësuar se po synohet që të rrihet në terren shumë pjesë të Shqipërisë, pasi monitorimi nga ajri nuk ka evidentuar parcela të mëdha, të dukshme, por kultivuesit janë përqendruar në mbjelljen e drogës në zona të pyllëzuara, në livadhe natyrale të vogla, pa synuar hapje tokash. Duke nxjerrë efektivët e policisë në terren pa orientim të saktë, por në rrahje të zonave në këmbë ngjan një strategji e gabuar, pasi është më se e pamundur të mbulohen zona të tëra malore me forca njerëzore.

Për më shumë efektivët e policisë vuajnë pasojat e mjeteve dhe teknologjisë së duhur dhe u duhet që të udhëtojnë me orë të tëra në këmbë në terrene mjaft të vështira. Sektori antidrogë më shumë duhet të kishte punuar me agjentë në terren duke identifikuar grupet e mundshme të kultivuesve dhe për t’i mbajtur ata në vëzhgim, por diçka e tillë nuk ka ndodhur. Shënohet vetëm një rast në Krujë ku ka pasur hetim të mirëfilltë dhe u arrit që të gjendej si sasia e kanabisit të kultivuar ashtu edhe të kryhej arrestimi i disa të rinjve.

Pas një muaji është edhe “momenti i të korrurave”, që do të tregojë edhe të vërtetën mbi drogën në vendin tonë. Kapja e disa qindra kilogramë kanabis në Greqi dhe Itali kohët e fundit mbesin një tregues që krahasuar me vitin e kaluar në këtë periudhë kultivimi i kanabisit është më i lartë. Nuk bëhet fjalë për përhapje masive si në vitet 2016-2017, por sërish ky fenomen po lulëzon./MAPO.AL/


Etiketa: ,

Pas