Gjykata e Lezhës ka dhënë sot vendimin “arrest me burg” për Florian Përvathi, i cili qëlloi me armë bashkëfshatarin e tij, për të marrë gjakun e të atit.
Avokati i 17-vjeçarit tha se pritej masa e sigurisë arrest me burg, kjo edhe për shkak të veprës penale me rrezikshmëri te theksuar shoqërore.
Sipas Andi Durajt, kjo është një ngjarje që ka vetëm viktima, por është edhe një çështje e madhe sociale
“Sot ishte seanca për vlerësimin e arrestit. Nuk është se pritej ndonjë vendim ndryshe, për shkak të veprës. Është vepër me rrezikshmëri të theksuar shoqërore. Është rasti i parë kur ka dy viktima, një që ka ndërruar jetë dhe përfitoj nga rasti ti shpreh ngushëllimet dhe viktima e dytë që mendoj se nuk do jetë e fundit, është autori.
Nga pak të gjithë i kemi bërë fajtorë dhe i kemi nxitur të kryejnë këto krime, qoftë ne duke përcaktuar gjakmarrjen si vepër penale, qoftë media apo opinionin shoqëror duke i mbarsur me një urrejtje të tillë. Ishte mjaft i tronditur. Ai deklaratën e ka dhënë të plotë. Ngjarja është një nga ngjarjet më të rëndë, që siç e thashë ka vetëm viktima. Ju siguroj se është një problem i madh social. Problemi qëndron tek mungesa e kujdesit që ka qenë për këtë person që në momentin kur ka mbetur jetim dhe deri sot”, tha avokati.