Aranit Muraçi
Nëse do të kishim jetuar rreth shekullit të pestë p.e.s, kohë kur fqinjët tanë krijuan për herë të parë si sistem politik demokracinë, nuk do t’i ishim mirënjohës për ‘shpikjen’ apo për ‘dhuratën’ që supozohet se solli dikush, për një lloj pushteti që në fakt, të paktën nga ana e popullit nuk e kishte kërkuar askush. Grekët e lashtë nuk identifikuan dhe, në asnjë kohë, deri më sot të gjitha vendet e tjera demokratike nuk veçuan ndonjë ‘pronar’ absolut të ‘pushtetit të popullit’, për t’i mbetur mirënjohës përjetësisht. I detyrohemi ne edhe më shumë sot antikitetit, përderisa nuk arrijmë dot të bëjmë dallim mes anarkisë e demokracisë, ndonëse nga politika e tyre dhe e jona ka kaluar shumë kohë dhe demokracia si sistem ka pësuar po aq ndryshime, megjithëse në thelb më tepër deformime.
Për një demokrat të lashtë grek (të çdo lloji), të gjitha sistemet tona demokratike moderne do të konsideroheshin si “oligarki” përmes të cilës nënkuptohej sundimi që do të thotë se – për interesin e tyre – të paktët marrin pushtetin ose, më mirë, kontrollin e të shumtëve që i ka votuar ose jo.
Të paktët zgjidhen për të shërbyer nga (i gjithë) populli dhe pasi zgjidhen, në fakt, populli vihet në shërbimin e tyre, megjithëse edhe në Greqinë e lashtë, zgjedhjet konsideroheshin në vetvete si oligarkike. Që kur lindi demokracia sistematikisht dhe, veçanërisht, ata pak qytetarë që ishin jashtëzakonisht të pasur – ose “oligarkë” siç i quajmë ne sot, falë Boris Berezhovsky dhe llojit të tij, janë të gjithë ata të cilët njihen gjithashtu edhe si “plutokratë” (lloj qeverisjeje në të cilën njerëzit e pasur përdorin pasurinë e tyre për të sunduar).
Nga ana tjetër, ka disa të përbashkëta domethënëse midis mënyrave antike dhe moderne të të menduarit politik. Si për demokratët e lashtë ashtu edhe për ata modernë, për shembull, liria dhe barazia janë vlera thelbësore në politikë. Megjithatë, liria për një demokrat të lashtë grek nuk do të thoshte vetëm liri për të marrë pjesë në proceset politike, por edhe liri nga ‘robëria ligjore’ dhe mbi të gjitha liri nga të qenit një skllav i vërtetë.
Liria për të ndarë pushtetin politik nga populli dhe për të sunduar me çdo mjet popullin nuk është liri dhe me këtë ‘modernët’ e shekullit në të cilin jetojmë duhet të kuptojnë se s’ka as demokraci.
Në shekullin e katërt p.e.s, qeveritë në Athinë zhvillonin çdo javë mbledhje të hapura dhe masive me popullin, e barazvlefshme me mbajtjen e një referendumi sot, për çështjet kryesore që shqetësonin publikun, për t’i kujtuar atij se ‘ne jemi thjesht përfaqësuesit’ dhe, ‘pushteti është i juaji’.
Krahasuar me barazinë në demokracinë e lashtë greke dhe tani, barazia sot nuk është veçse një ëndërr, të paktën në aspektin socio-ekonomik, kur 1 përqindëshi më i pasur i popullsisë së botës zotëron pasuri po aq sa 99 përqindëshi i pjesës tjetër të popullsisë. Në Greqinë e lashtë dhe, veçanërisht, në demokracinë e lashtë athinase, kishte padyshim pabarazi, elita nuk ishte e përsosur, por as populli (kuptohet një ndër të shumtët dhe jo të paktët) nuk ishte i përdhosur.
Nuk ka të dhëna statistikore, por të lashtët nuk ishin aspak burokratikë. Ata e konsideronin diferencimin, shkeljen e së drejtës, gjobat dhe ryshfetin një fyerje qytetare. Nuk kishin universitete, por e çmonin dijen. Nuk kishin fabrika, as makineri dhe pajisje teknologjike, por e donin punën. Nuk kishin gjykatë Kushtetuese, por e donin të drejtën. Nuk kishin as media, por e ndanin të vërtetën nga manipulimi. Është argumentuar në mënyrë të besueshme se Athina klasike e trajtonte pronën, dijen, qytetarinë, punën dhe, më kryesorja, dinjitetin e njeriut në respekt të plotë me vlerat e pranuara gjerësisht nga publiku, me qëllim për të ndërtuar dhe zhvilluar një shoqëri sa më të drejtë, të barabartë dhe moralisht të pranueshme.
Krahasimi nuk do të thotë se Greqia e lashtë mund të na ofrojë sot ndonjë shembull për imitim demokratik. Ne priremi të besojmë formalisht në barazinë absolute të të gjithë qytetarëve, kur e dimë fare mirë se e vetmja barazi mund të jetë e drejta e votës, pavarësisht nga gjinia, sikurse të gjithë dyshojmë se vota mund të tjetërsohet në emër të ‘skllavërisë ligjore’ dhe e gjitha kjo pasohet me padrejtësi të tjera të mëdha që dalëngadalë bëhen ‘kala’.
Ka një sërë nocionesh dhe teknikash të lashta demokratike, që sot duan të na kujtojnë sesa të varfër kemi mbetur në kulturë demokratike. Një prej tyre është përdorimi i renditjes, për shembull – një metodë e rastësishme e votimit me llotari që synonte të prodhonte një mostër përfaqësuesish të zyrtarëve të zgjedhur, me qëllim që një i tillë të mos ishte ekskluzivitet i kryetarit. Një tjetër është praktika e ostracizmit – e cila lejonte popullin të mos pranonte një kandidat më tepër se dhjetë vjet, duke i dhënë fund kështu karrierës së tyre të gjatë në politikë dhe duke mundësuar ndërrimin e elitave.
Krahasimi, ose më mirë kontrasti, i demokracive tona sot, kudo, me ato të Greqisë së lashtë shërben për të nxjerrë në pah atë që quhet ‘kriptooligarki zvarritëse’ në sistemet tona demokratike dhe që janë shumë të ndryshme nga njëri vend në një tjetër. Studiuesit kanë renditur rreth 2 mijë lloje të democracive në botë. Demokraci e ka emrin ajo në Shqipëri, Kenia, SHBA, Sri Lanka, Rusi apo Siri.
Jemi të gjithë demokratë sot, apo jo?
SHBA dhe Britania e Madhe nisën një luftë në Irak në vitin 2003, edhe pse as presidenti i SHBA George W Bush dhe as kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Tony Blair nuk kishin marrë miratimin për atë vendim nga shumica e qytetarëve të tyre.
Qytetarët në “demokracitë” e zhvilluara shpenzojnë deri në një të pestën e jetës së tyre të qeverisur nga një parti, një kandidat i vetëm apo një grusht njerëzish, të cilët, ndodh shpesh, pasi kanë akumuluar abuzivisht pushtet ekonomik, prej tij kontrollojnë edhe atë politik, sigurisht duke përdorur në ‘shërbim të popullit’ pushtetin juridik dhe atë mediatik. Në “demokracinë” tonë të brishtë qytetarët fatkeqësisht shpenzojnë tërë jetën, ose gjysmën e jetës të qeverisur nga një kandidat i vetëm.
Për më tepër, zgjedhjet kudo në botë nuk janë “të lira dhe të drejta”: ato fitohen pothuajse sistematikisht nga pala që shpenzon më shumë para dhe, për rrjedhojë, janë pak a shumë të korruptuara. Megjithatë demokracitë bëhen disi funksionale aty ku funksionojnë institucione të besueshme për publikun. Donald Trump pretendon sot, në demokracinë më të zhvilluar të botës, se zgjedhjet u manipuluan, ndonëse ai ishte jo vetëm në pushtet kur ndodhi ‘manipulimi’ i pretenduar, por edhe Presidenti më i pasur në historinë e SHBA-ve. Pala tjetër akuzohet se ka korruptuar pushtetin juridik dhe atë mediatik! Çfarë humbën dhe çfarë fituan zgjedhësit? Sipas palës së akuzuar ndoshta asgjë, përveç humbjes së Trump-it!
Kur bëhet fjalë për fitore në zgjedhje, asnjë parti nuk ka ardhur kurrë në pushtet pa mbështetjen (me interesa të hapura) të më të pasurve dhe lobeve të caktuara, në një formë apo në një tjetër. Dhe, ndoshta më e keqja nga të gjitha, shumica dërrmuese e njerëzve mbeten të përjashtuar sistematikisht nga vendimmarrja publike.
/Liberale.al/