Për shkak të zgjedhjeve në Amerikë dhe zhvillimeve dramatike në Vjenë, një ngjarje e pasdites së djeshme në Shqipëri po mbetet pa shumë vemendje. Dhe sigurisht pa transparencë.
2.6 ton kanabis me kamion dhe shofer shqiptar u kapën në shtetin fqinj, në Podgoricë.
Ngarkesa ka kaluar serbes në territorin tonë, në pikat tona kufitare.
Me shumë gjasë, është edhe mall i prodhuar këtu. I mbjellë, i rritur, i korrur, i magazinuar, i amballazhuar në Shqipëri.
Po nuk ka shumë detaje nga hetimet.
Sikur të mos jetë kështu, sikur të ketë ardhur nga ndonjë vend tjetër, sërish, më e pakta ka kaluar në dy pika kontrolli.
Burime mediatike bëjnë të ditur se, dyshimet janë që është bimë narkotike e parcelave tona.
2.6 ton, janë një sasi që denoncon, që ulëret, që akuzon.
As nuk mund të kultivohet, as të transportohet pa dijeninë e një shefi policie. Pa bekimin e një kryetari Bashkie. Pa lehtësimin e ndonjë drejtori të madh në Ministri apo në Policinë e Shtetit.
Dhe për më tepër, kjo sasi që nuk ishte parë e dëgjuar që nga viti i bollëkut, 2016, akuzon drejtpërdrejt Ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj.
Ky gjeneral, me mburrje ka thënë vazhdimisht se ai e ka shkulur marijuanën nga rrënjët.
Madje u ka predikuar të rinjve që të merren me domate e të mos rrezikojnë kot, se herët a vonë do të kapen.
Ky që u ndal së fundmi, u arrestua në Podgoricë. Pra nuk ra në betejën e fortë të Sandër Lleshajt.
Mund të behen shembull ca fermerë tek tuk me ndoca rrënjë, apo ndonjë trafikant i vogël.
Por kjo sasi e 2.6 tonëve, flet për kapot e vërtetë që e kanë territorin dhe sistemin nën kontroll.