Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame ka reaguar pas publikimit të rastit të një dite më parë nga një emision investigativ, ku doli me video e audio shefi i Kadastrës së Sarandës duke i kërkuar para një qytetari për legalizim.
Në një deklaratë për mediat, Lame u kërkoi publikisht falje qytetarëve, ndërsa shtoi se mund të ankohen kur kanë të drejtë, ose në drejtoritë rajonale, ose te ai në Tiranë.
“Mund të them se duhet të jesh tërësish idiot për të mos kuptuar se ç’po bëhet vitet e fundit, në luftën kundër korrupsionit. Është rast i veçuar dhe jo i përhapur. Mund të them shumë gjëra të këtij lloji, por nuk do e them. Do i kërkoj ndjesë shqiptarëve në emër të institucionit që drejtoj. Do i kërkoj ndjesë edhe punonjësve të ndershëm të Kadastrës. Falenderime i shkojnë edhe mediave. Kjo për faktin se mikrofoni mbërrin edhe atje kur dora ime nuk mbërrin. E them këtë sepse nuk vihen në diskutim përpjekjet tona në këtë drejtim. Vitet e fundit në Sarandë janë larguar nga puna 8 punonjës. Ju nuk më keni parë të dal e të mburrem për shifra. Unë mundohem t’i largoj vetë personat problematik. Janë kallëzuar në prokurori 8 raste abuzimesh. Janë marrë mbi 100 masa ndaj punonjësit. Të gjithë ne që nga unë, punojmë në një sektor të paragjykuar. Jemi të paragjykuar se punojmë në një sektor me risk të madh. Po përpiqemi të vendosim rregullin. Jemi të paragjykuar se punonjësit janë dhe produkt i ambientit kur jetojmë të gjithë. Ajo që po ndodh me shërbimet online është epokale. Po ndryshon si nata me ditën shpejtësia e shërbimeve. I drejtohem edhe njëherë veç e veç punonjësve të kadastrës. Mos e merrni veten në qafë dhe të josheni nga shuku i parave. I drejtohem qytetarëve. Kini besim te Kadastra e Shqiptare, nëse gjendeni në situata si ajo e djeshmja kërkoni me forcë të drejtën tuaj, ose në drejtorinë rajonale, ose te unë në Tiranë”, tha Lame.
Denoncimi çoi emisionin “Stop” në qytetin e Sarandës. Qytetari i cili prej më shumë se 25 vjetësh jeton në Angli denoncoi korrupsionin në Kadastrën Sarandë, i cili kalon në disa rrjete sekserësh dhe zyrtarësh.
Sipas TvKlan, për legalizimin e hotelit fillimisht në 2018, nëpërmjet një sekseri Jorgo Kreku i morri 2000 Euro ku e lidhi asokohe me drejtorin e Legalizimeve, Laert Pasha, i cili i premtoi që do i nxirrte legalizimin e hotelit, por nuk e bëri duke e zvarritur për 3 vite.
“Si fillim më kërkoi 16 mijë Euro ryshfet. Lamë pazarin përfundimisht tek gjysma, tek 8 mijë Euro. Pagova 2 mijë Euro si paradhënie. Ia dhashë Jorgos se më tha që do marrin të tërë me radhë ata që do të bëjnë punën dhe pjesën tjetër kur të mbarojnë legalizimet. Duke nxjerrë justifikime se Aluizni u bashkua me Kadastrën dhe e kam pyetur çfarë është bërë me dokumentet e mia, gjithmonë më nxirrte nga një sebep më thoshte që kur të bashkohen Hipoteka me Aluiznin bashkë. Në 2019 ndodhi që ra dhe tërmeti dhe ishin pasojat e tërmetit. Hapte ca historia pa lidhje fare dhe nuk ma bënë legalizimin”, tha denoncuesi. /Liberale.al