Finalja e Superkupës së Europës mes Bayern Munchen dhe Sevillas, 24 shtator ora 21:00, paraqet një rrezik për Hungarinë, që është edhe vendi i cili do të organizojë aktivitetin, kjo pasi UEFA ka dhënë dritën jeshile për pjesëmarrjen e 20 mijë tifozëve.
Për UEFA-n ky do të shërbejë si një test për të vendosur më pas nëse do të lejojë ose jo rikthimin e tifozëve në stadiume.
Qeveria hungareze ka marrë të gjitha masat për të respektuar protokollet anti-COVID, por sërish është e vështirë që të menaxhosh 20 mijë veta.
Andras Csilek, një epidemiolog hungarez u shpreh se nuk është momenti i duhur për të bërë një lëvizje të tille, pasi Europa është në prag të një vale të dytë dhe rastet në Hungari i kalojnë 600 të infektuar në ditë.
“Nëse autoritetet shëndetësore hungareze, në bashkëpunim me UEFA-n thonë se një gjë e tillë mund të bëhet, atëherë sigurisht që mund të bëhet. Por askush nuk e di se çfarë efektesh do të ketë. Nëse ky është një eksperiment, atëherë është i gabuar, pasi nuk mund të luhet me jetët e njerëzve”, tha epidemiologu.
Hungaria për momentin është një nga vendet më të rrezikuara në Europë për t’u goditur nga një valë e dytë dhe autoritetet duhet të kenë kujdes në menaxhimin e situatës.
Etiketa: Bayern Munchen, Covid-19, Koronavirusi, Sevilla, superkupa e europes