Aktualitet

20 vite nga Çlirimi i Kosovës/Mapo mes njerëzve në Prishtinë






               Publikuar në : 20:34 - 12/06/19 |
mapo.al

Nga Prishtina, Alessia Selimi


Më 12 qershor të vitit 1999, fiks 20 vite më parë, u çlirua gjysma jonë e kombit, Shqipëria e epërme, që mbahej e shtypur, e sunduar nga serbët për shumë dekada. Në Prishtinë po bëhet një ceremoni e madhe zyrtare. Emocionet janë tejkaluar nga prania e presidentit amerikan Bill Clinton, që firmosi vendimin e lirisë së Kosovës. Ne jemi në rrugët e kryeqytetit, në një përpjekje për të marrë përshtypje, mendime, dëshmi, mes njerëzve. Mes atyre që e kanë përjetuar shtypjen, natën e madhe të ndërhyrjes dhe lirinë në këto 20 vite.

Gjenocidi serb ende i ka gjurmët, nuk është fashitur. E megjithatë, Kosova u dëshmon vendeve europiane, veçanërisht Serbisë, se nuk ka buzëqeshje më fisnike se ajo e një shpirti të lënduar.

Një pjesë e mirë e kosovarëve në sheshin “Skënderbeu” janë në lot, teksa mbajnë në duar dhe shpinë flamurin amerikan. Por ka dhe gëzim, shumë gëzim dhe mirënjohje për SHBA-në dhe vendet europiane që u bashkuan në çlirimin e Kosovës.

MAPO bisedoi me shumë prej tyre. Do të njiheni me dhimbjen e një përkthyeseje e cila ka humbur gjatë luftës prindërit; entuziazmin fëminor të një avokati; emocionet e çiltra të një flamurshitësi 26-vjeçar; mendimin analizues të një gazetari të njohur; gëzimin fjalëpak të një shitësi ambulant në bulevardin “Nënë Tereza”; vuajtjet edhe sakrificat e një nëne me tre fëmijë; patriotizmin e thekur të një pensionisti 84-vjeçar, si dhe dashamirësinë e një punonjësi në Ministrinë e Brendshme.

“20-vjetori i Çlirimit të Kosovës është padyshim dita më gjithëpërfshirëse dhe më historike për mua. Po t’iu rikthehem ditëve kur forcat ajrore të NATO-s luftuan kundër serbëve, e shoh veten tepër të lumtur. E them pa frikë se ka qenë dita më e bukur e jetës sime. Serbët më vranë prindërit dhe ndonëse asokohe isha 30 vjeç, u ndjeva jetime. Ende ndihem e tillë! Është një humbje që më ka shënjuar jetën”, -thotë Afërdita Hoxha nga Ferizaj. Afërdita është 52 vjeç, përkthyese. Ajo mban një palë syze të zeza dhe nuk e lëshon cigaren. Pohon se ironia e fatit e kishte bërë të merrej me gjuhën sllave, që nuk ngurroi aspak ta konsideronte “të mallkuar”.

“Ish-presidenti amerikan Bill Clinton është engjëlli mbrojtës i Kosovës. Kjo ditë po festohet prej nesh falë tij. Nënë Tereza nuk iu drejtua më kot. ‘Biri im, bëj diçka për shqiptarët’, -kështu i tha përgjatë një bisede telefonike. Ai mund të zgjidhte të na kthente kurrizin, por jo. Përkundrazi, Clinton plotësoi një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”, -thotë Franklin Dedaj. Avokati 72-vjeçar e tregon vokacionin e tij edhe me gjeste. Është mbështjellë i gjithi me flamurin amerikan.

Rrugët e Prishtinës janë plot. Mezi ecën. Gumëzhijnë, çdo gjë flet, kërkon të thotë diçka. Aty takojmë dhe gazetarin e njohur në Kosovë, po dhe në Tiranë, Berat Buzhala. I spikatur për mendimin kritik, autonom.

“Nuk them se po e festoj këtë ditë, për të vetmen arsye se historia shtron pikëpyetje për ditën e saktë (11 apo 12 qershor), se kur trupat serbe janë tërhequr realisht nga Kosova. Kam zgjedhur të respektoj ardhjen e ish-presidentit amerikan, duke menduar se nëse përpara 20 vitesh do të ishte në krye Donald Trump, a do të ishim çliruar realisht? Si një njeri që i kam përjetuar bombardimet duke qëndruar 78 ditë nëpër male së bashku me familjarë, ndihem i lumtur për të tashmen e Kosovës. A më kanë ngelur plagë të hapura? Nuk di të jap një përgjigje konkrete, thjesht di të them se asokohe jam njohur keqas me vdekjen e njerëzve pranë meje.”

Hidije Gjonbalaj, 56 vjeçe, teksa shprehu lumturi për të tashmen dhe të ardhmen e premtuar, e kishte të pamundur të mos zhytej në kujtime të hidhura.

“Është një ndjesi që nuk mund ta përshkruaj. Jam përballur familjarisht me humbje të mëdha materiale. Dhe për të mos mjaftuar, më dogjën edhe shtëpinë. Vëllai m’u tërhoq zvarrë nga shtëpia, për të përfunduar në burg. Fatmirësisht ia kursyen jetën. Vuajtjet tona mund të kishin qenë më të rënda….” – tha nëna e tre fëmijëve, duke shtuar se për jetën e këtyre të fundit i detyrohet një familjeje shkodrane. “Na kanë strehuar pa kurrfarë dileme. U jam përjetësisht mirënjohëse. I konsideroj të afërm dhe i kemi mbajtur kontaktet”.

“Zot, i qofsha falë kësaj dite. Unë nuk mbaj mend asgjë nga ajo periudhë e errët, por me ç’më kanë treguar prindërit, vuajtjet kanë qenë tepër të mëdha. E gëzoj faktin që tashmë jemi shtet i lirë dhe demokratik” – u shpreh i ekzaltuar Remzi Gashi. Flamurshitësi 26-vjeçar, teksa mban në duar flamuj të Kosovës, SHBA-së dhe Bashkimit Europian, ua atribuon lirinë pikërisht këtyre të fundit, si dhe veteranëve të luftës.

E ndërkohë pensionisti 84-vjeçar Ahmet Muçliu, me origjinë nga Kamenica, e cilësoi brezin e ri si të lindur me këmishë fati.“Kam jetuar për 47 vite në Stuttgart të Gjermanisë. Nuk dua t’i rikthehem gjakut të derdhur dhe mizorisë serbe…I kam zili të rinjtë, janë tepër me fat. Ndonëse ndaj mendimin se fati nuk është gjithçka në jetë. Do dëshiroja shumë që të punonin fort për vendin e tyre, ta çonin përpara. Ëndrra ime më e madhe është që afrohemi gjithnjë e më shumë me botën, për t’i treguar se edhe ne ekzistojmë”, -thotë Muçliu, teksa për një moment të ngjan se e humbi fillin e bisedës.

Por jo, thjesht kujtimet pararendën përgjigjen që pritej të thoshte. “Përpara se të fillonin bombardimet e NATO-s, djali im, i cili studionte në Novisad të Serbisë, kur u kthye në vendin e tij, u ndalua nga trupat ushtarakë serbë. I vendosën qytën e automatikut m’u në fytyrë. Shkollimi i tij iu shndërrua në parzmore”- tregoi i moshuari duke u dridhur mbi bastunin që mbante në dorën e djathtë.

“12 qershori është definitivisht një datë historike për Kosovën.Mizorinë e serbëve e kemi përjetuar unë dhe familja ime...Dhunë psikologjike, patjetër që po! Mjaftonte një rrotullim koke dhe shikimi errësohej. Shihje vetëm kosovarë të keqtrajtuar, të drobitur, tymnajë masive që shkaktohej nga djegia e shtëpive. Nuk e kuptoj, sheshi ‘Skënderbeu’ duhet të kishte më shumë njerëz sot. E kuptoj faktin që sot është ditë pune, por duhet të ishim të gjithë bashkë! Më të bashkuar se kurrë, sot dhe për mot!” – u shpreh arkitektja 51-vjeçare, Festa Nixha.

Ndërsa Xheraldin Farziu, nga Prishtina, nuk e përmban dot mllefin e akumuluar prej vitesh. “Çfarë ka bërë shkjau, nuk del një jetë që t’i paguajë. Edhe pse sot ne festojmë, nuk duhet të harrojmë se lufta vazhdon. Kur përmend fjalën luftë nënkuptoj rrugët politike, me qëllim mirëqenien e vendit.”

“Kosova ka sot bukurinë e këtyre luleve që kam në duar, ndonëse janë përpjekur t’ia shkulin petalet…”-thotë Ahmet Berisha, një shitës ambulant.

Kurse 62-vjeçarja Qamile Gjoka, ka qejf të tregojë përjetimin e fëmijëve të saj, të cilët sot janë vetë prindër. “Mua më dridheshin leqet e këmbëve kur dëgjoja zhurmën shurdhuese të bombardimeve, ndërsa fëmijët e mi argëtoheshin. E kuptoja që e përkthenin si lojë, mirëpo kjo kontradiktë më çirrte shpirtin. Ashtu sikurse doja që të mos përjetonin panik, dëshiroja t’u jepnin fund edhe reagimeve ekzaltuese”.

Arben Dodaj punon në Ministrinë e Brendshme. Ai ndihet mirë që një gazetë nga Tirana është në Prishtinë në këtë 20-vjetor. “I emocionuar, i lumtur, ndiej çdo ndjenjë pozitive sot. Kosovarët e meritojnë këtë ditë, gjithnjë e kanë merituar”-thotë Arbeni.


Këto janë rrëfime të shkurtra dhe të sinqerta. Njerëz që iu falen tokës së tyre të përgjakur dhe nderojnë të dashurit e zemrës. Të mbledhura së bashku, nuk na tregojnë veçse përmasat e dhimbjes dhe dramës që ka kaluar kombi ynë, gjysma jonë e epërme, që 20 vite më parë fitoi lirinë dhe doli nga sundimi gjakatar serb.


Etiketa: , , ,

Pas