Politika bashkohet për të përkujtuar figurën kryesore të Lëvizjes së Dhjetorit. Demokratët kërkojnë të marrin forcë nga emri i tij, por dëshpërimi lexohet në mesazhet e Besnik Mustafajt dhe Astrit Patozit. E bija, Rudina thotë se është pro hapjes së dosjes së vrasjes së babait
20 vjet nga vrasja e një prej figurave të rëndësishme të lëvizjes së dhjetorit ’90 dhe një prej themeluesve të Partisë Demokratike, Azem Hajdari vlerësohet si një figurë epokale, që ka lënë gjurmë me vlerat, por edhe kurajon e tij.
Për deputetin demokrat të vrarë mbrëmjen e 12 shtatorit të vitit 1998 para selisë së Partisë Demokratike, u organizua një simpozium dhe ekspzitë “Ëndrra e Azemit, Shqipëria si Europa”, që u hap nga vajza e tij, Rudina.
Presidenti Ilir Meta, edhe ai dikur pjesë e lëvizjes studentore të dhjetorit, tha se Azemin e dallonin shumë vlera: “Dua të vlerësoj në mënyrë të veçantë angazhimin e tij për çështjen kombëtare. Azemi ishte njeri i lindur i lirë, i guximshëm dhe këtë e tregoi përgjatë gjithë jetës së tij. Në genin e tij, ishte njeri demokrat”.
Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ndau këto kujtime për Azem Hajdarin: “Rrallë mund të gjendet një figurë në histori që u bë lider brenda një ore. Ai u bë lider duke vënë peng fëmijët e tij. Ai u tha studentëve se po të tradhtonte ata, do të tradhtonte Rudinën dhe Kirin”.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi në ceremoninë përkujtimore të 20-vjetorit të vrasjes së Azem Hajdarit se, “sot, më shumë se kurrë, jeta e shkurtër por e plotë e Azemit, duhet të na frymëzojë”.
“Na bën të reflektojmë për të keqen që i vjen shoqërisë dhe kombit kur krimi dhe qeverisja bëhen një. Shteti i lidhur me krimin është pengesa për ëndrrën e Azem Hajdarit, për Shqipërinë si gjithë Europa”, theksoi Basha nga memoriali i Azem Hajdarit.
Bashkimi ‘fizik’ i demokratëve
20 vite pas vdekjes, Azem Hajdari, themeluesi i Partisë Demokratike ka bërë bashkë demokratët. Në ceremoninë përkujtimore në nderim të figurës së tij, ra në sy pjesëmarrja e ish-figurave me peshë në Partinë Demorkatike të përjashtuar nga lista për deputet në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Astrit Patozi, Arben Imami dhe Igli Cara janë fotografuar nga bashkë në homazhet e zhvilluara në nder të tribunit te demokracisë, ashtu si edhe Besnik Mustafaj apo Mesila Doda tashmë Sekretare e Përgjithshme e PDIU-së.
Por, Azem Hajdari ka mundur të bëjë bashkë jo vetëm demokratët, por edhe të majtën dhe të djathtën, pasi në ceremoninë në nder të tij është vënë re edhe prania e ministrit socialist Pandeli Majko.
Megjithatë ish-numri dy i partisë demokratike Jozefina Topalli ka munguar, në përkujtimore u vu re edhe mungesa e Majlinda Bregut.
Ish-deputeti dhe kreu i Grupit të PD-së Astrit Patozi ka reaguar përmes një postimi në ‘Facebook’ pas homazheve të zhvilluara për 20-vjetorin e vrasjes së Azem Hajdarit.
Patozi thotë se mori pjesë për të nderuar në radhë të parë historinë e Partisë Demokratike dhe po ashtu historinë e Shqipërisë, sepse vepra dhe vdekja e Azem Hajdarit janë lidhje me historinë moderne të vendit.
Gjithashtu ai nuk ka lënë pa sulmuar edhe kreun e PD-së Lulzim Basha. Sipas tij nën drejtimin e Bashës e djathta është është më keq se përpara 20 vjetësh.
“Ne sot jemi më keq se përpara 20 vjetësh, jo thjeshtë në numra, por mbi të gjitha në frymë dhe në atë që po bën opozita dhe atë që përfaqëson sot Partia Demokratike e Lulzim Bashës. Sepse në atë kohë Partia Demokratike ishte në vështirësi e agresuar nga kundërshtari politik, i cili kishte realizuar një gjysmë revolucioni për të ardhur në pushtet, kurse sot Partia Demokratike është në këtë gjendje për shkak të lidershipit të gabuar dhe për shkak të gafave të rënda dhe keqmenaxhimit të Lulzim Bashës, por edhe lidershipit të tij”.
Letra e Besnik Mustafajt
Në ceremoninë përkujtimore me rastin e 20-vjetorit të vrasjes së Azem Hajdarit, Besnik Mustafaj pati një kritikë të fortë për Partinë Demokratike.
Mustafaj lexoi një letër imagjinare që do të donte t’ia kishte dërguar Azemit po të ishte gjallë. Në këtë letër pati kritika për qeverinë, por edhe për Partinë Demokratike.
“Njerëzit i ka kapur një dëshpërim si në vitin 1991. Krimi ka kapur shtetin. Por, nëse atëherë njerëzit u bashkuan me PD-në dhe fituan, sot duan vetëm të largohen”, nisi fjalën e tij Mustafaj, i cili më pas shpjegoi pse duan të largohen.
“Partia Demokratike nuk është sot aty ku do të donte Azemi”, theksoi Mustafaj.
Hapja e dosjes dhe rigjykimi i Izet Haxhisë
20-vjetori i vrasjes së Azem Hajdarit e rigjen sërish emrin e tij të lakuar në median shqiptare. Një prej të akuzuarve për vrasjen e tij, Izet Haxhia, ka kërkuar rihapjen e dosjes së njohur edhe si gjyqi i shekullit.
Por a duhet rihapur dosja e vrasjes së Hajdarit?
“Çdo njeri i përfshirë kërkon të hapë çështjen e tij dhe të shikojë interesat e tij/saj. Familja Hajdari është me drejtësinë. Një pafundësi me çështje le të hapen, ajo është dhe do mbetet gjithmonë “Vrasja e Shekullit” si nga misteri, por dhe përmasa e rëndësisë. Të mos harrojmë që ishte një nga vrasjet më me ndikim në epokën postkomuniste, që ndali demokratizimin e vendit nga ambiciet primitive të atyre, që nuk e shikonin të ardhmen e Shqipërisë në strukturat EuroAtlantike dhe që kishin prirjen perëndimore të hershme të Shqipërisë, të shkatërruar nga komunizmi. Në radhë të parë ata ishin armiqtë e demokracisë dhe të zhvillimit, shëmbëlltyra të krimit dhe të barbarisë,” thotë e bija, Rudina Hajdari në një intervistë për gazetën Panorama.
Nga ana tjetër, personi që plagosi Azem Hajdarin, është propozuar nga të majtët lokalë në Has për dekorim. Vetëm një ndërhyrje e kryeministrit Edi Rama e pengoi dekorimin e Gafurr Mazrekut pas vdekjes.
“Dekorimin e të gjithë atyre që janë dënuar për vepra penale, e kam parë gjithmonë si një regres politik dhe si një përpjekje mjerane e të gjithë atyre që nuk kuptojnë dhe vlerësojnë kontributin historik të individëve për demokracinë. Në rastin konkret dekorimi i Gafurr Mazrekut ishte një akt i shëmtuar. Përgjigjen dhe reagimin e forcës intelektuale e shoqërore e mori vesh kushdo. Nuk dua t’i futem thellë shumë këtij debati, sepse i gjithë opinioni publik e di që ky është një akt shumë i shëmtuar për popullin shqiptar. Për vetë faktin, se ky njeri ishte i pari që bëri një akt kriminal në Parlament. Nuk ka hapësirë për të justifikuar këtë gjë. Por nga ana tjetër të mos harrojmë se ishte Azem Hajdari që e fali këtë njeri. Megjithatë, dekorimi i Gafurr Mazrekut ishte një akt i shëmtuar, jo vetëm kundrejt familjes Hajdari, po kundrejt demokracisë e popullit shqiptar,” thotë Rudina Hajdari.