Gjirokastër- Divorcet dhe ndarja e çifteve në Qarkun e Gjirokastrës vazhdojnë të jenë një fenomen i mprehtë social. Gjatë vitit 2011, në Gjykatën e Shkallës së Parë në Gjirokastër janë regjistruar rreth 200 çështje për ndarje familjare. Sipas burimeve zyrtare në Gjykatën e Shkallës së Parë, numrin më të madh të kërkesave për t’u divorcuar e zënë ato të depozituara në gjykatë nga bashkëshortet. Ndërkohë, për sociologët, në numrin në rritje të divorceve të çifteve në rrethet e Përmetit, Tepelenës dhe Gjirokastrës ndikojnë emigracioni masiv në këto zona, problemet ekonomike dhe sociale me të cilat ballafaqohen familjet, dhuna në familje apo tradhtia bashkëshortore. “Emigracioni është një fenomen që ndikon në shtimin e numrit të divorceve”, – thonë sociologët. Gjithashtu, për sociologët edhe problemet ekonomike apo sociale me të cilat ballafaqohet familja dhe kryesisht çiftet e rinj, ndikojnë negativisht në shtimin e numrit të ndarjeve familjare. Një ndikim më të pakët në shtimin e numrit të divorceve sipas sociologëve kanë edhe dhuna në familje apo tradhtia bashkëshortore.