Aktualitet

2019 e ekstremeve, ndasia dhe bashkimi i madh





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 12:02 - 30/12/19 |
Mapo.al

Mbrapshtitë e vitit që po rrokulliset në këto orë të fundit, janë të pacak. Sdi nga t’ia nisësh nëse do i numërosh, ato gurgullojnë prej agut të janarit e deri në këtë skaj të dhjetorit. Të mirat, të mbarat, pak, ose aspak, nuk të vjen hiçgjë ndërmend.


Po përtej kronikës që e di çdokush, janë dy elementë që feksin mbi të tjerët, dhe ja vlejnë në mos të analizohen, më së paku, të kujtohen.



Viti 2019 ishte viti i një ndasie të madhe mes nesh, një krisje e atillë në shoqëri, që solli jo pak tension e armiqësi.


Deri aty, sa njëra palë përdori gaz lotsjellës kundër palës tjetër. Pra vuri në punë, një mjet lufte. Jo një herë, por dhjetra herë.

Pala në pushtet e përdori këtë instrument ushtarak edhe ndaj banorëve të Bregut të Lumit, dhe ndaj atyre të Astirit.

Nuk kanë se si të shkojnë më larg, dhe më mbrapsht njerëzit në një vend. Më keq se kaq, është larg qoftë, kur ka luftë civile.

Një ndasi tjetër e madhe, ishte se njëra palë shkoi në zgjedhje pa palën tjetër. Njëra palë mori gjithçka, çdo të korrë e çdo gjë mbi sofër, pala tjetër, në cep, në margjinë.

Gjuha dhe mesazhet e të dy palëve, si të njerëzve në hasmëri, e jo të një vendi të vogël, që zvogëlohet dita ditës edhe më shumë.

Aty nga fundi i nëntorit, si për të treguar se ka edhe më keq se një qeverisje e politikë si kjo, ra tërmeti i tmerrshëm që trandi një vend tashmë të rraskapitur nga konflikti, nga varfëria, korrupsioni e mungesa e drejtësisë.

Bilanci tragjik. 51 jetë të humbura, me dhjetra mijë banesa të dëmtuara, e po aq frymë pa strehë.

Por mbi këtë gërmadhë, nxori krye, bashkimi më i madh i njerëzve mes vedi, në këtë truall që kish njohur këto vitet e fundit veç shemri.

Solidaritet i jashtëzakonshëm. I qytetarëve me njëri tjetrin. I gjithë kombit. Shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi, të diasporës e mërgatës, në një fjalë, në një vullnet. Si asnjëherë më parë.

Ky bashkim, solli gëzim të madh, entuziasëm e qe melhemi mbi një plagë të rëndë që shkaktoi natyra.

Kaq afër nuk kishin qënë jo vetëm palët politikë e qytetarët e Shqipërisë, po krejt shqipet kudo ku janë, që prej luftës së Kosovës.

Një bashkim i tillë, ekstrem, erdhi pikërisht në këtë anë të botës me ndarje ekstreme mes sho-shoqit. Ky ishte reagimi i njerëzve. E prapë, nuk vonoi politika të shkonte shpejt në pozicionet e veta. Dhe sidomos rilindja, ia doli të kthehet në shtratin e vet klasik të arrogancës, dhe pa u mbyllur viti, prodhoi një debat të fortë që do të lërë gjurmë, me Shqipërinë e epërme, me Kosovën.

Një rrugë e sigurtë për të gjetur shërim nga këto lëngime, është identifikimi i sëmundjes. Viti që po ikën, na ka mësuar se ndasia, përcarja është burimi kryesor i krizës, dhe debati deri në konflikt mes udhëheqjes së Tiranës e Prishtinës, askujt nuk i shërben, përpos armiqve historikë.

Pra, duke identifikuar këto simptoma, krejt natyrshëm vjen çdokush në konkluzionin, se çfarë urojmë për 2020 është e kundërta e përçarjes, pra bashkimi. Bashkimi i shqiptarëve për të dalë nga kriza e thellë politike, kushtetuese, ekonomike në Tiranë e në mbarë vendin. Dhe komunikimi i mirë, bashkimi i interesave, mbrojtja e moslendimi më i tyre, me shqiptarët e Kosovës e në gjithë trojet.

Kjo patjetër nuk do vijë vetiu. Janë tashmë të vetidentifikuar ata që ndajnë, që përcajnë, e nuk bashkojnë. Thjesht, qytetarët, njerëzit e zakonshëm që treguan se dinë të bashkohen, duhet tu japin udhët atyre që ndajnë e përçajnë.

Mapo.al


Etiketa: , , , , , ,

Pas