Në një intervistë retrospektivë në Universitetin Europian të Tiranës, në kuadër të projektit studiomor “Bisedë për Tranzicionin, ish- Presidenti Bamir Topi është pyetur edhe për 21 janarin, protestën që kulmoi me humbjen e 4 jetëve njerëzore.
Topi tha se ka drejtuar thirrje ndaj partive politike më 20 janar të 2011, por që ranë në vesh të shurdhët. Sipas tij, Rama bën çdo vit premtime, por ai nuk është rikthyer për të bërë gjyqin politik, madje komisioni hetimor që u ngrit për hetimin e ngjarjes nuk nxori asnjë raport përfundimtar mbi ngjarjen.
“21 janari nuk erdhi papritur. Ishte diçka e përgatitur, e krijuar nga faktiori politik. Madje, unë nuk e harroj, një natë më parë pata organizuar një takim me trupin diplomatik. Përveç atij fjalimit të strukturuar, kam dalë nga teksti pasi informacionet që merrja ishin shumë shqetësuese. Iu kam bërë një apel partive politike që të ulnin tensionet. Thirrja ka qenë mjaft e drejtpërdrejtë dhe e ashpër, por ra në vesh të shurdhër. E gjithë parathënia e asaj përplasjeje të madhe ishte në kontekstin e shprehjes sime. Bëra një deklaratë për shtyp. Vërtet ngjarja ndodhi te Kryeministria, por ishin vrasjet momenti më tragjik i asaj që ndodhi në bulevard. Nuk ishin përplasje individuale, por institucionale. Pati hetime, komisione etj. Çdo vit bëhen premtime se drejtësia do të zbardhë ngjarjen, vënë edhe ndonje trëndafil në trotuar dhe asnjë gjë tjetër. Ata që mbajnë tragjizmin e kësaj ngjarjeje janë vetëm familjarët. Unë duke mos folur për drejtësinë, sepse nuk është në duart e mia, kam folur për një gjyq politik që duhet të bëhej. Zoti Rama që bën premtime çdo vit, nuk akuzohet pse s’ka mbajt qëndrim drejtësia, por sepse nuk është rikthyer për të bërë gjyqin politik në Parlament. Parlamenti ngriti një Komision Hetimor dhe është i vetmi rast që nuk u finalizua me një raport. Është detyrim i parlamentit, që kur ngrihet një komision, duhet të finalizohet me raport. A është në interesin e të dy palëve, për të mos e hapur gjyqin, është çështje e tyre”, tha Topi.
I pyetur se kë bën me faj për situatën e krijuar dhe humbjen e 4 jetëve, Topi tha se edhe organizatorët kanë faj.
“Unë nuk do ta bëja me faj një organizator proteste nëse do të ishte në rreshtin e parë të protestës. Por në momentin që ti e çon turmën dhe ikën, ky është faliment politik dhe karakterial. Më ka ardhur keq për policët, por edhe për faktin që në vitin 2011 të vriten njerëz në bulevard”, u shpreh ish- presidenti.