Leonard Bakillari
Tiranë Hetimet për ngjarjet e 21 Janarit, ku mbetën të vrarë katër qytetarë dhe u plagosën disa të tjerë, pritet të pasurohen me të tjera informacione për personat e dyshuar si të përfshirë në ngjarje. Akuza ka kërkuar zyrtarisht tabulatet telefonike për tre të arrestuarit, ish-komandantin e Gardës së Republikës, gjeneral Ndrea Prendin; shoferin e tij Margarit Kume dhe specialistin e IT-së në Kryeministri, Armando Kasaj. Burime pranë prokurorisë thanë se tashmë u janë dërguar shkresat zyrtare kompanive celulare respektive dhe pritet që në ditët në vijim t’u vihen në dispozicion tabulatet e tre të dyshuarve. Objekt i prokurorisë mësohet të jenë telekomunikimet e tre të arrestuarve më 21 Janar, por edhe pas kësaj dite, për të siguruar informacione mbi persona të tjerë të dyshuar për ngjarjet e dhunshme gjatë demonstratës së opozitës. Sipas burimeve, mësohet se ende nuk ka një përgjigje zyrtare nga kompanitë celulare, por interesi më i madh i hetimit ka të bëjë me telekomunikimet e komandantit të Gardës dhe specialistit të IT-së, i cili nuk ka pranuar asnjëherë që të ketë kopjuar dhe më pas fshirë pamjet filmike që ndodheshin në serverin e kamerave të Kryeministrisë. Në pritje të përgjigjeve, grupi hetimor ka kryer një sërë verifikimesh për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ku përveç pyetjes së tre të arrestuarve, ka marrë dëshmi edhe nga kolegët e tyre, apo persona të tjera, emrat e të cilëve kanë dalë gjatë hetimeve. Janë dërguar për ekspertim pranë Policisë Shkencore dy kompjuterat tip lap-top, të sekuestruar në banesën e specialistit të IT-së, me qëllim evidentimin e përmbajtjes së tyre, dhe më pas seleksionimin e të dhënave të vlefshme të hetimit, nëse do të disponohen të tilla materiale. Mësohet se deri tani grupi hetimor ka marrë në pyetje thuajse gjithë efektivët e Gardës së Republikës, të caktuar me shërbim pranë Kryeministrisë më 21 Janar, të cilët kanë shpjeguar pozicionin e tyre dhe detyrat që kishin marrë nga eprorët. Po ashtu, grupi hetimor është duke kryer hetime dhe verifikime edhe për dy vrasjet e tjera të ndodhura më 21 Janar të vitit të shkuar, të cilat mbeten ende pa autor. Vrasja e Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës, të cilët u qëlluan me plumb në kokë, deri tani nuk janë zbuluar ende nga prokuroria. Hekuran Deda është qëlluar nga një plumb me goditje tejshpuese dhe të vetmet elemente që ka aktualisht hetimi janë dëshmitë e personave që ndodheshin pranë tij në momentin e ngjarjes, përfshi edhe mikun e tij, dëshmitarin Hysni Peposhi, si dhe pamjet filmike të transmetuara nga mediat. Ndërsa për predhën e gjetur në trupin e Aleks Nikës, ekspertët e FBI-së kanë deklaruar se ka elemente të ngjashme me predhën e gjetur në trupin e Ziver Veizit, vrasje për të cilën dyshohet majori i Gardës së Republikës, Agim Llupo. Megjithatë, kjo ekspertizë nuk është përfundimtare, fakt ky i pohuar edhe nga Prokurorja e Përgjithshme në daljen e saj publike për këtë çështje. Ish- komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, dhe shoferi i tij u arrestuan me vendim Gjykatë, pasi dyshohet se kanë ndërruar tytat e armëve, pasi Prendi ka qëlluar drejt turmës duke i shkaktuar vdekjen shtetasit Faik Myrtaj. Po ashtu prokuroria kërkoi burg edhe për specialistin e IT-së në Kryeministri, Armando Kasaj, i cili dyshohet se ka kopjuar dhe më pas ka fshirë pamjet filmike të demonstratës së 21 Janarit, të cilat janë filmuar nga kamerat e Kryeministrisë. Gjykata rrëzoi kërkesën e prokurorisë, duke caktuar ndaj të dyshuarve masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërsa prokuroria vendosi të apelojë vendimin e Shkallës së Parë, duke kërkuar sërish burg për të dyshuarit.