Aktualitet

25 Prilli – Astrit Patozi: Mandati i Bindjes në Shkodër, ngjarje e sigurt














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 14:04 - 08/03/21 |
mapo.al

Kryetari i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, në një intervistë për një media lokale, ka folur për arsyet se përse zgjodhi pikërisht Shkodrën për nisjen e fushatës elektorale, për vendimin se përse nuk zgjodhi të jetë krah Partisë Demokratike, si për rezultatin që hamendëson në zgjedhjet më 25 prill.





Patozi u shpreh se Bindja Demokratike e ka të sigurt mandatin në Shkodër, dhe se pretendimet janë shumë të forta dhe në qarqe të tjera të Shqipërisë, por sidomos në Tiranë.


Më poshtë, intervista e plotë me gazetarin Ergys Kavaja:




Jeni në Shkodër, keni prezantuar kandidatët, një listë e cila ka shumë emra, ka përfaqësim nga të gjitha zonat e qarkut të Shkodrës. Pse zgjodhët pikërisht Shkodrën për të nisur fushatën elektorale duke prezantuar këto emra, të cilat si është bërë dhe gjatë prezantimit garantojnë shumë për Bindjen Demokratike në Shkodër?


Shkodra është një lloj simboli! E para nga tradita, kultura, por mbi të gjitha për zhvillimet demokratike. Shkodra është një pararendëse e rrëzimit të komunizmit në Shqipëri, bashkë me Kavajën. Ne nuk e nisëm rastësisht nga Shkodra, sepse Shqipëria ka nevojë për ndryshim, njësoj siç kishte në vitet 90’ për tu shkëputur nga komunizmi. Është kënaqësi që e kemi nisur në Shkodër fushatën elektorale dhe me një ekip mbresëlënës, ekip përfaqësues i cili është harmonik dhe përfaqëson të gjitha krahinat e Shkodrës dhe ne mendojmë që ndryshimi duhet të fillojë këtu.


Megjithatë, opinioni publik ka një lloj skepticizmi sa i takon partive të vogla…

Mendoj se termi më i drejtë do të ishte partitë e reja.

Ka një lloj skepticizmi? Haset kjo dhe në opinionin publik? Apo ka ardhur koha që njerëzit mos të zgjedhin më partitë e mëdha, por të zgjedhin individët?

Ne jemi të përgatitur për këtë lloj skepticizmi dhe publiku ka të gjithë të drejtën e botës që të dyshojë tek çdo forcë e re, por ne do ta thyejmë tabunë, do ta thyejmë mitin që është krijuar nga kryetarokracia, pra është i qëllimshëm nuk është faji i qytetarëve. Është përgjegjësi  e politikanëve që i kanë shkaktuar dëme këtij vendi dhe e kanë çuar në këtë lloj krize ku jemi sot, por ne e kemi shumë të lehtë me ta. Ne u themi që keni një mundësi tjetër. Në rast se ne nuk do të ishim, Shqipëria do të ishte njësoj si në vitin 2017, me të njëjtat lista, me të njejtët njerëz, me të njëjtat fytyra, por pa asnjë projekt të ri. Për ne nuk është qëllim vetëm rotacioni i pushtetit. Sigurisht që ne jemi përballë qeverisë së korruptuar të Edi Ramës, jemi forcë e djathtë, jemi tërësisht të angazhuar që Shqipërisë mos ti sjellim vetëm ndryshim e kryeministrit, por ti sjellim një model të ri në politikëbërje. Ndaj unë besoj që qytetarët shqiptarë këtë e ndjejnë. Ne e kemi nisur me listën e hapur dhe kjo bënë diferencën midis partive të mëdha dhe partive të reja, por un nuk mund të flas për të tjerët, mund të flas vetëm për partinë politike, të cilës i përkas. Një shkodran nuk e ka mundësinë të votojë përfaqësuesit e vetë nëse i përket Partisë Demokratike apo Partisë Socialiste, sepse duhet të votojë ose Lulzim Bashën, ose Edi Ramën. Mund të mos dojë Astrit Patozin apo Tonin Uldedaj, i cili është koordinatori ynë për Shkodrën dhe Lezhën, por ka mundësi të tjera sepse ka kandidatë të cilët ai mund ti ndjejë më afër, dhe e ka këtë mundësi zgjedhjeje sepse ne kemi listat e hapura. Ne jemi të gjithë për një qëllim dhe për ne nuk ka rëndësi numri, ndërsa partitë e vjetra do të mbajnë frymën deri në datën 8 mars, në orën 12 të natës, do të mbajnë frymën nëse do të jenë apo jo në preferencat e kryetarit dhe kjo është një diferencë e cila jepet paradhënie, përpara se zgjedhjet të mbahen. Sigurisht kemi dhe arsye të tjera pse të jemi alternativë e besueshme. Ne do të përfaqësohemi me politikanë të rinj dhe me karrierë, dinjitozë, nuk do të kenë asnjë cen në biografinë e tyre, duke filluar që nga lidhjet me krimin e organizuar gjatë këtyre 30 viteve tranzicion, por do të jenë politikanë që do të mbajnë përgjegjësi dhe përgjegjësi do të thotë që ti të përpiqesh për atë që bënë dhe atë që thua. Nuk do të kemi në listë asnjë kandidatë që nuk angazhohet së pari për parimin e listës së hapur dhe së dyti për përgjegjësitë që ai ka.

Përmendët keqqeverisjen e Edi Ramës gjatë këtyre 8 viteve në pushtet. A nuk do të ishte më mirë ndoshta që Partia Bindja Demokratike të kishte një aleancë me Partinë Demokratike në këtë betejë?

Po të mos kishe ndjekur zhvillimet demokratike në Shqipëri gjatë viteve të fundit, ky do të ishte opsioni i vetëm ndoshta dhe opsioni i domosdoshëm, por ne na janë mbyllur rrugët e bashkëpunimit me Partinë Demokratike, për shkak të tyre. Ne nuk kishim asnjë arsye për të komunikuar me Partinë Demokratike, për sa kohë që ata u ulën me Damian Gjiknurin edhe me Edi Ramën praktikisht dhe vendosën që ta lënë Shqipërinë si është, duke pasur si qëllim vetëm rotacionin dhe ne mendojmë që rotacioni është mjaftueshëm. Nuk është rotacioni ajo që presin shqiptarët, ata presin ndryshimin dhe ndryshimi nuk mund të vijë nga forcat të cilat thjesht këmbejnë njëri-tjetrin në pushtet.

Bindja demokratike do të jetë përcaktuese pas zgjedhjeve të 25 Prillit?

Synimi ynë ky është. Ne duam të jemi forcë përcaktuese qeverisëse, bashkë me të tjerët të bëjmë mazhorancën e këtij vendi dhe ne të japim kontributin për transformimin e politikës në Shqipëri, sepse ne mund të futemi në koalicion me të tjerët vetëm me kushtet tona dhe kushtet tona janë që Shqipëria duhet të ketë një drejtim të ri dhe një administrim të ri të pushtetit. Kjo do të thotë se listat e hapura duhet të garantohen me ligj, se tani që po flasim ato nuk janë të garantuara dhe është zgjedhja jonë që nuk vlen edhe për të tjerat. Shqipëria duhet të garantojë mbajtjen e përgjegjësisë së politikanëve, duhet të garantojë që partitë mos të jenë bunkier i mbyllur apo ndërmarrje biznesi me një sipërmarrës të vetëm i cili është kryetari, por partitë duhet të administrohen demokratikisht me ligj dhe ne do të insistojmë që të ndryshojë ligji për partitë politike në Shqipëri. Kemi dhe reforma të tjera të cilat do i shfaqim me programin tonë javën e ardhshme.

Në Shkodër pritet apo është deklaruar që do të kandidojë edhe një personalitet i rëndësishëm, ish kryetarja e parlamentit, ish nënkryetarja e PD-së, kryetarja e kuvendit, zonja Jozefina Topalli. Të paktën mediatikisht u përfol edhe për një lloj koalicioni mes jush, por gjërat mbetën ashtu, duke garuar më vete. E shihni si një rivale në këtë betejë për Shkodrën, duke iu referuar kandidimit të saj, duke pasur parasysh dhe ndikimin e saj?

Lexo edhe :  Rama nga Shkodra: PD është fiks siç do ta donte Enver Hoxha

Jo, ne kemi respekt dhe vlerësim për njëri-tjetrin jo vetëm për të kaluarën e përbashkët apo rrugëtimin e përbashkët për shumë vite në krah të njëri-tjetrit, por mbi të gjitha për të njëjtat qëllime që ne kemi. Politika është dinamike, nuk mund të thuash që për shkak se me një person ke qenë për shumë kohë i rreshtuar ne të njëjtën barrikadë politike, është deri në fund të jetës, sepse pluralizmi është koncept tjetër. Por ne na bashkojnë qëllimet dhe synimet e përbashkëta, pra ne kemi konstatuar që edhe zonja Topalli edhe partia që ajo përfaqëson kërkon të ndryshojë politikën në Shqipëri dhe në këtë rrafsh ne jemi në të njëjtën gjatësi vale. Ne kemi vendosur me njëri-tjetrin që të mos e dëmtojmë në këtë fushatë, kemi vendosur për një lloj aleance taktike do të thoja, e cila me siguri që do të japë frytet e saj pas zgjedhjeve.

Ju cilësojnë si parti të reja, si paterica të Edi Ramës. Akuzat kryesisht vijnë nga persona të Partisë Demokratike.

Mua s’më bëjnë përshtypje, kam një ndjenjë keqardhjeje, nuk preferoj të përgjigjem sepse e kam dhënë njëherë përgjigjen para një viti e gjysmë.

Duket sikur më shumë e shqetësoni ju dhe zonja Topalli Partinë Demokratike, se sa Partia Socialiste.

Ky është problemi i tyre dhe kjo nuk duhet të ndodhte sepse kjo është një lloj stalinizmi dhe stalinizmi, sidomos në Shkodër ku ka filluar dhe revolta me bustin e Stalinit, bënë përshtypje për keq. Ky është problem i tyre sepse ata e konsiderojnë opozitën si një lloj prone, ku ndihen kryesorë dhe pronarët e vetëm, e çdo njeri tjetër që u futet në oborr e shikojnë si kërcënim dhe dihet kush është aksioma për ta demonizuar kundërshtarin apo rivalin politik. Menjëherë e hedh në prehrin e armikut, por mua kjo s’më bënë asnjë lloj përshtypje. Unë, zonja Topalli ndoshta, gjithashtu dhe të tjerët nuk kanë asnjë gjurmë dhe asnjë sekondë bashkëpunimi me të majtën apo me Edi Ramën në veçanti. Mua nuk më ka ndodhur kurrë të ulem në kafe me Edi Ramën, nuk më ka rënë rasti, por edhe mund të ndodhi, nuk është armiku im është kundërshtar, unë e respektojë si të tillë por kjo s’ka ndodhur. Ndoshta mund të mos ndodhi asnjëherë, kurse ata kanë bashkëqeverisur 6 muaj me Edi Ramën, pas një marrëveshje shumë të debatueshme, shumë të anatemuar nga vetë demokratët dhe jo nga të tjerët. Ndaj them që nuk ja vlen të merrem. Unë nuk kam ndërmend të humb asnjë sekondë të jetës time, por sidomos të fushatës, duke u marrë me akuza të tilla që janë krejtësisht banale.

Meqë s’kemi hyrë ende zyrtarisht në fushatën elektorale dua t’ju bëjë një pyetje deri diku personale, duke pasur parasysh kontributin në Partinë Demokratike. Ka vend për rikthimin tuaj në këtë forcë politike nëse ndryshojnë disa drejtime të rëndësishme brenda kësaj force?

Nuk e çoj fare nëpër mend këtë gjë për sa kohë që ne kemi një shtëpi të re politike të cilën e kemi ngritur me pasion dhe me shumë dëshirë, sepse ne besojmë në këtë lloj projekti. Partia Bindja Demokratike është një ide e re dhe nuk kemi asnjë arsye pse të kthehemi në një shtëpi të vjetër, të dikurshme. Politika është dinamike dhe s’mund ti parashikosh asnjëherë gjërat 1 vit, 5 vite apo 10 vite më para, kështu që gjithçka mund të ndodhi. Ajo që është e rëndësishme, mendoj unë, edhe për vetë Partinë Demokratike, është që Shqipërisë i duhet një qeveri më e mirë dhe një opozitë më e mirë se kjo që është sot. Nuk e di cili është fati i Bindjes Demokratike pas zgjedhjeve të 26 Prillit, por ne do të donim të ishim në qeveri dhe të jepnim edhe kontributin tonë në qeveri, por të jepnim edhe një lloj modeli të ri të administrimit të pushteti. Gjithçka do të varet nga ajo që do ndodhi në Partinë Demokratike, në varësi të rezultatit të zgjedhjeve, para koshiencës politike të atyre që tashmë janë në parti.

Dhe një pyetje të fundit sa i takon Shkodrës; Jeni i bindur që do të ketë një mandat Bindja Demokratike në këtë qark?

Unë mendoj se kjo është një ngjarje e sigurt, por unë mund të jem edhe subjektiv sepse futet në mes edhe dëshira, futet në mes edhe pasioni jonë. Jemi në një lloj konflikti interesi, por unë shikoj që rrethanat janë pozitive edhe për shkak edhe të asaj që ndodhi sot, por edhe të indikatorëve që ne kemi për të matur mbështetjen në terren. Unë besoj që mandati jonë në Shkodër është ngjarje e sigurt, por ne nuk do të mbetemi vetëm në Shkodër. E gjithë historia është që ne kemi pretendime shumë të forta dhe në qarqe të tjera të Shqipërisë dhe sidomos në Tiranë.

1


Etiketa: ,

Share
Mbyll
CLOSE
CLOSE
Pas