Aktualitet

25 Prilli – Java e fundit, para zgjedhjeve më të rëndësishme të 30 viteve














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:33 - 19/04/21 |
Mapo.al

Kemi hyrë në javën e fundit para zgjedhjeve të 25 prillit, që konsiderohen më të rëndësishmet e 3 dekadave për drejtimin që do të marrë vendi. Është java kur nga retorika e fjalëve kalohet në veprim, fushata intensifikohet akoma më shumë, po ashtu dhe strategjitë elektorale, dhe organizimi i partive për komisionerët, numëruesit dhe vëzhguesit. Sondazhet tregojnë një rritje të opozitës






Kjo e hënë është dita e parë e javës së fundit të votimeve të 25 prillit. Mesazhet janë të qarta, dhe jo më kot këto zgjedhje janë cilësuar si më të rëndësishmet në 30 vitet e fundit. Në lista janë regjistruar mbi 3.5 milionë shqiptarë, por siç e ka treguar dhe eksperienca e viteve të kaluara shumë prej tyre janë në emigracion, ndërsa ka jo pak të tjerë që preferojnë të mos dalin në votime. Gjithsesi kampet janë mobilizuar ndjeshëm. Gazeta MAPO kreu një vëzhgim në zyrat elektorale në disa zyra të Tiranës, dhe ajo që u vu re ishte lufta e strukturave qoftë dhe për një votë të vetme. Në ndryshim nga vitet e shkuara, pritet që në këto zgjedhje të ketë pjesëmarrje të madhe. Dhe kjo natyrisht nuk është asnjëherë në favor të pushtetit…


Skandali
Ndoshta kjo është dhe arsyeja se përse Kryeministri nuk shfaq më të njëjtën kryeneçësi si në fillim të fushatës, kur me arrogancë e vendosi emrin e tij të 8-in në listën e Durrësit dhe atë të Vlorës. Javën që lamë pas një skandal i përmasave të mëdha pushtoi mediat e vendit. Portali Lapsi.al do publikonte lajmin se jo pak por 910 mijë qytetarëve të Tiranës u ishin marrë të dhënat personale nga portali e-Albania, dhe iu ishin vënë në dispozicion militantëve të PS. Shumë shpejt databaza u shpërnda, te shumë individë dhe shumëkush sot ka mësuar se kush është personi që kishte dijeni mbi orientimin e tij të votës. Janë jo pak, por rreth 9020 patronazhistë që u janë shpërndarë listat sipas zonave. Kryesisht punonjës të administratës, të cilëve u është ngarkuar të marrin informacion për rreth 100 persona në zonën ku banojnë. Kjo ka shkaktuar jo pak indinjatë dhe te vetë votuesit e majtë, një goditje jo e vogël në këtë prag fushate për Edi Ramën. Duke parë reagimet, Rama do iu dilte në mbrojtje patronazhistëve, por pa harruar gjuhën negativiste të fushatës që e ka karakterizuar ndaj kundërshtarit. Edhe dje nga Tropoja, mundohej të bënte diversion në lidhje me personat që e shoqërojnë kryetarin e opozitës në këtë fushatë. Rama do thoshte se brenda makinave qëndrojnë ish-drejtorë të policisë të akuzuar ose të implikuar për korrupsion. Në fakt, e thënë nga Rama, të cilit i janë shkarkuar dy ministra për implikim me rrjetet kriminale të drogës, apo dhe shumë drejtorë të policisë të shpallur në kërkim, kjo frazë merr një kuptim paksa qesharak.





Sjellja e Bashës
Nga ana e tij Basha, ka preferuar sërish të mos merret me kundërshtarin. Në këto kushte Rama u mundua të krijonte një frymë diversioni, kur do i bënte ftesë Bashës për bashkëpunim pas zgjedhjeve të 25 prillit, por me qëllim që të shmangej Berisha dhe Presidenti Meta. Ndoshta për të krijuar një frymë të ngjashme me atë të vitit 2017, kur dhe logon e fushatës e ngriti te dy gishtat, që është simboli i PD-së. Përgjigjja e Bashës do ishte e shkurtër, e prerë dhe e ftohtë. “Rreziku më i madh për Shqipërinë është një mandat i tretë për Edi Ramën, ndaj të bëhemi të gjithë bashkë për ndryshimin e vërtetë, s’ka ndryshim pa larguar Edi Ramën dhe shërbëtorët e tij, s’mund të ketë bashkëqeverisje me atë që në 8 vite dështoi e tani kërkon 4 vite të tjera, kjo s’ka për të ndodhur”, do thoshte ai në një nga takimet e tij, përgjigje që e bëri Ramën të tërhiqet. Të shtunën e 16 prillit, Basha do të zhvillonte nëntë takime, duke filluar në Sarandë dhe duke mbaruar në Tropojë.



Sondazhet
Basha javë pas jave ka fituar përparësinë e tij në sondazhe, ndërkohë që fitues të enjten e shkuar doli dhe tek Euronews Albania, sondazhet e të cilit në janar, shkurt dhe mars nxirrnin Ramën dukshëm në krye. Fitues, Bashën e nxjerrin dhe një sërë sondazhesh të tjera, siç është ai i Noto Sondazhi në Ora News, që në zgjedhjet e vitit 2017 ishte më afër rezultatit. Edhe kompania amerikane “Smith Research & Consulting”, nxjerr fitues Lulzim Bashën dhe opozitën në zgjedhjet e ardhshme. Pyetjes se për kë do të votojnë, 44.7 për qind e të anketuesve i janë përgjigjur pro PD dhe Bashës. Së bashku me LSI-në, për të cilën kanë shprehur përkrahjen rreth 11.3 % e të anketuarve shifra shkon në rreth 56% kundrejt 42.5% që kanë votuar për PS-në. Rreth 75% e të anketuarve deklaruan se do të dilnin në votime, kundrejt 25% të tjerëve që s’e kishin vendosur ende.


Atmosfera
Duhet theksuar se kjo është dhe java më e nxehtë e fushatës. Nëse deri më tani fushata është bazuar te fjalët nga eksperienca kemi mësuar se këto janë ditët e veprimit. Denoncimet për blerje votash kanë qenë jo të pakta. Mjaft prej emrave si sekserë të votave janë bërë publikë. Gazment Bardhi, drejtues politik i qarkut Elbasan para disa kohe do denonconte 43 prej tyre, ndërsa ditën e djeshme Edi Paloka, drejtues politik i opozitës për Durrësin, denoncoi emrat e drejtorëve të administratës të përfshirë në manipulime. Gjithsesi, atmosfera është dukshëm kundër bilancit të munguar të qeverisë dhe në një situatë të tillë zgjedhjet e kaluara kanë treguar se sado partia që ka pushtetin të mundohet të manipulojë, rrotacioni është i pashmangshëm. Atë s’mund ta ndalojnë as legalizimet, as vaksinat që shiten si arritje e qeverisë dhe as fondet e rindërtimit që po iu shpërndahen kryesisht militantëve.

1


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas