Aktualitet

25 prilli – Opozitës i mungojnë 58 mijë vota nga zgjedhjet e 2013-ës














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:12 - 12/05/21 |
mapo.al

Pavarësisht se pati rritje të ndjeshme, sërish opozita nuk arriti dot të grumbullonte votat e 2013-ës. Sot i mungojnë dukshëm votat e PDIU-së, sidomos në qarqe si Fieri, Elbasani, apo dhe Tirana e Vlora. Nga ana tjetër, jo pak drejtues politikë kanë shfaqur performancë të dobët, sidomos në njësitë e Tiranës nga të cilat opozita arriti të fitonte vetëm një. Po të ishte vepruar më mirë me aleatët, vendosjen e kandidatëve në listë, sot ndoshta PD vërtet nuk do arrinte ta kalonte masën e manipulimit, por do ishte në pozita që do e rrezikonte seriozisht mandatin e tretë të Ramës






Partia Demokratike në vitin 2013, kur duhet të llogaritet rezultati pas tetë viteve qeverisje, arriti të mbledhë 680 mijë vota së bashku me aleatët, rezultat që nuk e arriti dot në zgjedhjet e vitit 2021, me gjithë rënien drastike të LSI-së, ku një pjesë e atyre votave mendohet që t’i jenë kthyer dhe PD-së. Sot në llogarinë e partisë më të madhe të opozitës mungojnë 58412 vota, që do të prodhonin së paku katër mandate deputetësh. Mosarritja e shifrës së atij viti vihet re në thuajse të gjitha qarqet.


Më shumë rezultatit i është afruar Tirana, ku PD nga 184 mijë vota që arriti të merrte në 2013-ën shkon në 182 mijë. Në bilancin e përgjithshëm mungojnë dukshëm votat e PDIU-së, e cila atë vit mori rreth 44 mijë vota dhe ndikoi thuajse në të gjithë Shqipërinë. Si pasojë, kjo forcë arriti të merrte deputet në Elbasan, Fier, Tiranë dhe Vlorë. Duke vërejtur sjelljen e elektoratit vërejmë se në shifra të përafërta ajo mbetet vetëm në Tiranë, ku dy kandidatët e saj kanë marrë si vota nominale po aq sa mori një prej tyre në vitin 2013.





Tirana
Tirana vijon të jetë një gropë e vështirë për opozitën. Megjithëse në këtë qark vihen re ca fenomene të çuditshme. Fjala vjen, nga viti 2013 ka një rritje të pjesëmarrjes në votime me 27 mijë e 124 votues të cilët kanë shkuar bllok në favor të PS. Nga viti 2013 kjo forcë politike është rritur me 28 mijë vota më shumë vetëm në Tiranë. Pra, thuajse aq sa është shtesa e atyre që kanë marrë pjesë para tetë viteve. Opozita nuk ka përfituar asgjë madje ka humbur 2 mijë vota. E megjithatë kjo e fundit i kishte mundësitë që në disa zona të kryeqytetit të përmirësonte rezultatin pavarësisht asaj çfarë ka ndodhur. Për shembull në njësinë numër 1 në Tiranë, opozita nuk ka mundur të marrë më shumë se 7537 vota nga 12 mijë që ka pasur në vitin 2013. PD madje nuk ka arritur të përfitojë as nga ulja e ndjeshme PS-së në këtë zonë me më shumë se 4 mijë vota.



E djathta arrin të përmirësojë dukshëm rezultatin në njësinë numër 2, duke rikuperuar më shumë se 7 mijë vota nga viti 2013, (këtu mund të ketë pasur efekt dhe ndarja administrative, pasi dhe PS është rritur me më shumë se tetë mijë vota) por shfaq një performancë jo të mirë në njësinë numër 3, ku PD nga viti 2017 ka arritur të rikuperojë vetëm 280 vota pavarësisht rënies së PS-së me rreth 2300 vota. Duhet theksuar se që prej vitit 2013 në këtë njësi, PD ka humbur rreth 5 mijë vota, ndërsa PS 3 mijë. Nga të gjitha njësitë administrative të Tiranës PD arriti të marrë vetëm njësinë numër 8 në Tiranë dhe atë me një diferencë të ngushtë votash.



Por ka humbur Laprakën, njësinë 11, një bastion të saj apo dhe njësinë numër 9 që e ka marrë jo pak herë. Nga përçarja e aleatëve ka humbur për herë të parë Vorën, por edhe Rrogozhinën e Kavajën që do i jepnin një mandat më shumë. Performanca e mirë e kandidatëve, në njësinë numër shtatë, apo pesë e njohur si bastion i PS-së, nuk mund të rikuperonte gropën prej së paku 18 mijë votash, në rang qarku me kundërshtarin kryesor. Natyrisht 26 mijë votat që ka marrë më shumë PS-ja nga herët e kaluara në këto zgjedhje, mbeten për t’u analizuar se si kanë ardhur dhe të kujt janë. Pse rritja ka shkuar vetëm në favor të PS-së, pasi siç rezulton e djathta s’ka marrë as më shumë e as më pak, por vetëm votat e veta.

Lexo edhe :  25 prilli/ Mapo nesër: Opozitës i mungojnë 58 mijë vota nga zgjedhjet e 2013-ës

Qarqet
Performanca e mirë e PD, është vënë re fjala vjen dhe në qarkun e Elbasanit, ku ajo arriti të rriste rezultatin me të paktën 1500 vota nga 2013. Por edhe këtu në llogaritë e së djathtës mungojnë votat e PDIU-së. Në rast se do ishin më së paku votat që mori kjo parti në vitin 2013, atëherë sot rezultati do ishte rreth 70 mijë vota për PD-në. Pavarësisht manipulimeve që mund të kenë ndodhur, PS si forcë politike nuk do arrinte të merrte më shumë se 7 mandate, në mos mund t’i shkonte më keq. Por rënie të numrit të votave PD në raport me 2013-ën ka pasur dhe në qarqe të tjera të vendit, madje dhe atje ku ajo ka fituar. Për shembull në Lezhë para tetë vitesh ka arritur të sigurojë 39 mijë vota nga 30 mijë që mori këtë vit.

Në Gjirokastër ka rënë me 4 mijë vota, ose nga 18 mijë në 14 mijë. Rezultat i mirë për shembull mund të konsiderohet ai i Fierit, ku PD, ka vetëm 3 mijë vota më pak se në vitin 2013, por dhe këtu s’e kanë ndihmuar shumë votat e PDIU, kandidati i së cilës shfaqi performancë të dobët. Edhe në Shkodër i mungojnë ende 7 mijë vota nga rezultati i 8 viteve më parë, ndërsa PS ka rënë me gati 8 mijë vota. Në Korçë megjithëse PS ka rënë me 3 mijë vota, sërish PD nuk ka arritur ta kalojë pasi mungojnë 6700 vota. Rezultatit të para tetë viteve në kokë PD i ka shkuar në Berat me 23 mijë vota, por në këtë qytet është penalizuar nga rënia drastike e LSI-së, e cila në dy zgjedhje rresht ka arritur të sigurojë dy mandate, ndërsa në këto zgjedhje asnjë.

Mandatet
Natyrisht, askush nuk e mohon që në këto zgjedhje janë manipuluar vota, është përdorur administrata, apo të tjera burime. Aksi Tiranë, Durrës, Elbasan kërkojnë vëmendje të shtuar, por vëmendje kërkon dhe një analizë e gjërave që kanë shkuar keq dhe që do duhej të ishin bërë më mirë nga opozita. Dhe kjo duhet të fillojë që tek efikasiteti që kanë pasur aleatët, vendosja e gabuar e drejtuesve apo deputetëve në disa qarqe, fillimi me vonesë i fushatës, diskursi që u përdor në të, ku ka pasur rrjedhje dhe atje ku vihet re një rënie e dukshme e mazhorancës cilët ishin faktorët që nuk ka përfituar opozita. Si ka mundësi që u fitua vetëm një njësi në Tiranë, dhe pse u humbën disa bastione të saj në kryeqytet? Kush e ka pasur përgjegjësinë dhe çfarë nuk funksionoi apo funksionoi keq në këtë fushatë? Sepse, pavarësisht manipulimeve, vetëm me disa llogari dhe lëvizje taktike, opozita sot ndoshta nuk do ishte në pushtet, por do ishte në ato pozita që do e rrezikonte keq pushtetin e Ramës.

38


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas