Pas marrëveshjes me kreun e PAA-së Agron Duka, kreu i PD-së Lulzim Basha ka gjetur dakordësinë dhe me dy aleatë të tjerë.
Burime pranë PD saktësojnë se Dashamir Shehi dhe Nard Ndoka do jenë pjesë e listave për deputetë në qarqet Tiranë edhe në Shkodër.
Të dyja këto parti do të kenë kandidatë dhe në qytete të tjera të vendit, por jo në pjesën e sigurt të listave.
Ndërkohë negociatat vazhdojnë me Partinë Republikane dhe Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet. Basha zhvilloi dje takime me kreun e PR, Fatmir Mediu dhe atë të PDIU, Shpëtim Idrizi, por pa arritur gjë konkrete. Mediu dhe Idrizi pritet të jenë në listat e PD, por ndërkohë po diskutohet për emra të tjerë që do të përfshihen në listat të sigurta në këto parti.
Gjatë gjithë kësaj jave një grup negociator nga Partia Demokratike janë duke punuar për të përfunduar marrëveshjet me aleatët e koalicionit opozitar.
Opozita shkon drejt zgjedhjeve parlamentare e unifikuar, por me dy lista. Kjo edhe si sfidë ndaj mazhorancës së PS, e cila siç ka paralajmëruar kryeministri Edi Rama, do të shkojë e vetme në zgjedhjet parlamentare të prillit.
PD pritet të ketë në listën e vet partitë tradicionale të djathta. Një listë tjetër e partive opozitare pritet të jetë ajo e kryesuar nga LSI dhe në përbërje parti të tjera më të vogla.