Marrë nga gazeta “Koha Jonë” e datës 04 prill 1998, Përgatiti për Liberale.al, Laert Miraku
Dje një përfaqësi e “emigrantëve” është ankuar tek Përpali
Racizëm elektrik në Bathore
Vendasit u shkatërrojnë rrjetin elektrik të ardhurve nga Veriu
TIRANE-Racizëm elektrik në Bathore. Të ardhurit nga zonat veri-lindore në këtë rrethinë të Tiranës, përballen me presionin e vendasve. Kështu kanë deklaruar dje, banorë të zonës së Bathores, ndërsa një përfaqësi prej gjashtë personash do të takohej me Sekretarin e Shtetit për Pushtetin Lokal, Lush Perpali.
Burime të Push- tetit Lokal, konfirmojnë se banorët e irrituar kanë kërkuar që t’u jepet zgjidhje mjaft problemeve shqetësuese në Bathore. Në të kundërtën nuk është çudi që hapet një konflikt i ashpër midis atyre njerëzve që e quajnë veten autoktonë dhe atij kontigjenti që kanë ardhur nga mjaft Rrethe të Shqipërisë dhe prej më shumë se tre vjet janë kthyer në banorë të rregullt të Bathores.
Sipas të ardhurve, autoktonët për gjatë gjithë këtyre muajve janë munduar ti shkaktojnë probleme të vështira sociale. Kështu, atyre iu ndërpriten drita elektrike, pasi individë të ndryshëm qëllojnë me armë dhe shkatërrojnë linjat që furnizojnë jabanxhijtë.
Në të njëjtën kohë sabotime kanë ndodhur dhe në pikat e furnizimit me ujë të pijshëm. Dhe të gjitha këto, sipas “emigrantëve”, realizohen nga vendasit. Për këto dhe probleme të tjera, të cilat kanë të bëjnë me konfliktet e truallit, përfaqësia e djeshme ka kërkuar të alarmojë pushtetin lokal.
Nuk dihet se çfarë do të bëjnë këta të fundit, kur kohë më parë që nga Krye- tari i Bashkisë së Tiranës, titullarë të pushtetit lokal dhe qeveritarë kanë deklaruar se duhen miliona lekë për të sistemuar Bathoren.
Për më tepër konfliktet midis banorëve vendas dhe të ardhurve në Bathore, kanë origjinë të hershme. Që në momentin që banorët e rinj morën iniciativën për tu vendosur në një vend tjetër, filluan kundërshtimet e atyre që ishin autoktonë.
Tashmë epitete fyese, si “çeçenë” apo “malokë” duket se nuk janë hiç gjë para prensioneve ekonomike që janë duke u bërë njerëzve që morën plaçkat në krah dhe lanë vendlindjet në kërkim të një jete më të mirë.
Plaga e madhe e Tiranës tashmë duket se po kullon. Përveç varfërisë së tejskajshme ekonomike dhe problemeve të mëdha sociale, “nacionalizmi” shqiptar – dhe ky ngre krye vetëm brenda territorit të vendit duket se do të hapë një konflikt jo të vogël, mes atyre që kanë ndërtuar një barakë për të futur kokën dhe atyre që kanë lindur në ato troje. A.PRIFTI