Historia e automjetit modern nis më 29 janar 1886. Në këtë ditë, inxhinieri Karl Benz nga Manhajmi regjistroi patentën për makinën e vet me motor. Është një mjet me tri rrota, i pajisur me një motor me djegie të brendshme. Kjo makinë ka një fuqi prej 0.8 kuaj fuqi, ndizet me manivelë dhe arrin një shpejtësi maksimale prej 18 km/h. Thuajse në të njëjtën kohë armëtari Gottfried Daimler ndërton pavarësisht nga Karl Benzi në Shtutgart një automjet të vetin. Të paktën ai ka katër rrota. Nga pamja i ngjan një karroce të modifikuar me kuaj. Daimleri bashkëpunon me ndërtuesin e motorëve Wilhelm Maybach – deri sot një partneritet legjendar.
Me siguri ishin dy rrugë paralele që çuan tek lëvizja, por krejt të ndryshme. Derisa Karl Benzi u mor që prej fillimit me njësinë automjet, Gottlieb Daimleri me konstruktorin e tij Wilhelm Maybach donte thjesht të vërtetonte gjenialitetin e motorit të tij pa dyshim shumë të mirë. Natyrisht, ai donte edhe ta tregtonte këtë motor. Se ç’do të bëhej një ditë nga kjo shpikje e makinës me motor, kjo nuk mund të përfytyrohej para 125 vjetësh. Fabrikat e para të automjeteve krijohen rreth vitit 1890 në Evropë dhe në SHBA, ku bën histori njëfarë Henry Ford. Derisa për një kohë të gjatë automjetet janë në gjendje t’i blejnë vetëm të kamurit, Ford Motor Company në Detroit investon në automjete që mund t’i paguajë edhe njeriu i zakonshëm.
Ndërkohë në vitin 1926 bashkohen dy firmat e para të makinave Daimler dhe Benz. Gottfried Daimleri ka vdekur që në vitin 1900, Karl Benzi është ndarë prej kohësh në grindje nga sipërmarrja e vet fillestare. Me që bie fjala: Sa ishin gjallë, Daimleri dhe Benzi nuk u takuan kurrë, por makinat që ata shpikën dhe që ndërtohen nga Daimler-Benz, mbajnë të gjitha emrin “Mercedes” dhe kjo është një nga makinat më të famshme në botë, ndoshta më e famshmja.