Qeveria shqiptare i ka kaluar një fond me vlerë 70 milion euro Korporatës Elektro-energjetike Shqiptare për të siguruar energji për pjesën e mbetur të muajit gusht dhe shtatorin.
Çmimet e energjisë në bursa kanë arritur në nivelet më të larta të këtij viti, duke kapur një vlerë mesatare prej 500 euro për megavat orë dhe mbi 600 euro në periudhën e pikut të kërkesës.
KESH është detyruar që të anulojë dy herë procedurën për blerjen e energjisë elektrike gjatë javës së fundit, për shkak të çmimeve të shtrenjta, për t’iu drejtuar rezervave. Por duke qenë se rezervat janë të pakta prej thatësirës, KESH është i detyruar t’i drejtohet brenda këtij muaj importit.
Korporata arriti të blinte 7.6 milionë euro energji elektrike për dy ditët e fundjavës, 20 dhe 21 gusht, me një çmim 488 euro për megavat orë. Me çmimin aktual, vendi ynë importon 3.3 milion euro energji në ditë. Po ashtu KESH anuloi kërkesën për të marrë një sasi 47.600 megavat orë, për 10 ditët e mbetura të muajit gusht.
Kjo sasi do t’i kushtonte KESH një faturë prej 23 milion eurosh. Për muajt e verës importi i energjisë kapi vlerën e 150 milion eurove, ndërsa rezerva hidrike është përgjysmuar.
Vlerësohet se deri në fund të vitit, për të plotësuar nevojat konsumatore qeverisë shqiptare që menaxhon sistemin energjetik do t’i duhet të shpenzojë rreth 600 milion euro.