fbpx

Dikur

Tre ditët e luftës civile në Kukës; Rrëfimet dramatike të banorëve





               Publikuar në : 09:15 - 30/10/19 |
Nga Petrit Palushi

Gazeta Mapo boton për herë parë dëshmitë e banorëve të zonës së Lusnës ku ndodhi përplasja me armë mes brigadës partizane të Shefqet Peçit me Muharrem Bajraktarin


Nga Petrit Palushi*



VIJON NGA NUMRI I KALUAR


Ngjarjen në Lusën dhe të tjera në vjeshtën dramatike të 1944-s në zonën e Lumës, Shefqet Peçi dhe drejtues të shtabit të Brigadës së 5-të u përpoqën t’i futnin në shtjella të heshtjes, por njikohësisht dhe të përnjimendat t’i tjetërsonin. Në të njëjtën hulli edhe historiografia komuniste e kohës.
Nga ana tjetër, banorët e Lusnës dhe të zonës së Lumës asnjëherë s’mbetën harrestarë për atë që ndodhi. Asokohe, ashtu nën zë, por dhe haptas rrëfenin dhe një gjë e tillë përcillej prej breznisë në brezni. Pas shkërmoqjes së sistemit komunist nisi me u shpalue rrëfimi i plotë, pa edhe mungesën më të vogël. Një rrëfim i tillë, por dhe çelja e të dhënave arkivore që kishin qenë të ndryme sikur lëshuan një shkundullimë mbi interpretimet e deriatëhershme të historiografisë zyrtare të regjimit komunist.
(Rrëfimet e mëposhtme u morën në Lusën, në shtator të 1996-s).

Nga Osman Feriz Peposhi (i vitlindjes 1922)

Lusna ka kalue plot vështirësina.

Edhe kto si janë t’lemë ma përmbas i dinë fort mirë gjanat se ka shkue prej t’kallzueme në t’kallzueme. Po do gjana s’po u harrojshin.

Partizanët e Brigadës Pestë erdhën në zonën tonë dhe në shtator të 1944-s ndodhën gjana t’randa tepër. Thojshin s’kanë ardhë kundra popullit, po kundra gjermanëve. Po kish qenë nji mashtrim i madh. Gjermanë në zonën tonë s’kishte.

Para se me ardhë Brigada e Pestë, Muharrem Bajraktari e pat ngrefë pushkën kundra gjermanëve. U mbajt edhe nji mbledhje n’Krue t’Bardhë. Aty kanë qenë Muharrem Bajraktari, Tasim Spahija e plot të tjerë. Partizanët kanë qenë n’Dibër asokohe.

Gjermani u   mshel n’Kukës. U mblodhëm n’Fushë t’Gjostilve e Muharrem Bajraktari na tha: “Gjermani asht n’tërheqje. Me m’dalë n’udhë e prishi. Kanë me ardhë partizanët, janë vllaznit tonë, t’i ndihmojni se janë zbathë e zdeshë”.

Kur erdhën partizanët n’Bice u nda fronti. Ato dojshin si Muharrem Bajraktari të luftojke nën urdhnat e tyne. Po Muharrem Bajraktari ishte Muharrem Bajraktar. U prishën. I ranë Muharrem Bajraktarit mbrapa krahëve dhe tjerëve si ishin me të. E preme n’besë ku s’shkon! Aty u vra edhe nji i Dome, Osman Sherifi.

Kshtu Muharrem Bajraktari u shkatërrue përfundimisht me partizanët, mori forcat e veta e erdh kah anët tona.

Çfarë ka ndodhë realisht e kam n’mendje fort mirë.

Kam qenë vetë n’xhami me plot të tjerë tue falë Bajramin e Madh. Pa dalë, ndigjuem nji kangë me fjalë t’kqija. Dolëm. Nja 10-15 partizanë kcenin valle dhe e këndojshin at kangë.

Etem Gjinujshi, i thojshin Goliku dhe Dan Kaloshi ishin komandanta t’partizanëve atypari. Na patën thanë: “Na ndihmojni me ushtarë prej katundit tuej”. U thamë: “Po”.  U caktuen si 20 vetë prej katundi me shkue me partizanët, por u thamë sa të kaloje Bajrami i Madh.  Kemi nisë në Kolesjan Kadri Ali Peposhin e Rexhep Sali Gjetën, n’Kolesjan, mu aty ku ish Shtabi i Brigadës me Shefqet Peçin n’krye e me u marrë njifarë leje sa t’kalonte festa.

Krisi pushka. Krejt kjo gja erdhi prej kangës keqe si kënduen partizanët. Na ofenduen tek s’shkon.

Nji pjesë n’katund, nji pjesë shkuen n’Kolesjan. I kemi thirrë edhe Ram Isenit, po s’erdh. Dy dit asht ba pushkë. Tretën e ditës kah mbasitja u shpërndamë. Prej Lerës Sorrave e n’Zhdrejtat. Kijameti asht ba. T’vramë plot, partizanë e tanët. N’luftë edhe prej katundeve tjera, jo veç Lusna.

Kur ka krisë, ka ba bam n’xhade, ngat shpisë Asllan Ilazit.

Ditën e parë fronti ma i madh. Asnji nëpër shpija s’ka ndejtë.

Pushka s’asht ba n’formë bajraktarllëku. Kush s’na ka pri. Muharrem Bajraktari asht kanë n’Kep t’Barruçe. Kemi pasë ndigjue se komunistat janë të pafè, pa din e iman. Ashtu na duel. N’krah me ne kanë qenë edhe Dostan Rexhepi. Dostani ka ndejtë te do njerëz t’vet n’Lusën.

Vendosëm me nisë luftë, jo si sot me ligje. A e bëjmë kshtu? E bëjmë. S’qe luftë e organizueme. Po njifarë organizimi ka pasë, si me thanë nji luftë me frymë, me avull.

Me nji fjalë, me u vra ndërveti shqiptarë me shqiptarë.

Krejt kjo erdh prej nji kange të keqe. Kanga u kthye në mallkim. Pra, luftën e nisi Lusna, me i përzanë partizanët prej Lusne, po Shefqet Peçi duhet ta frenojke luftën. E ma vonë u justifikue se ka qenë tue ndjekë Muharrem Bajraktarin.

Mbas lufte Partia komuniste ia vu drunin Lusnës. Vetëm për hakmarrje.

 

Nga Misin Ahmet Lika (i vitlindjes 1909)

Dita e Bajramit Madh. E martë.

Ne ishna tue falë Bajramin mbrenda n’xhami t’katundit.

Do partizanë përjashta, mu n’oborr po këndojshin nji kangë fort të keqe. Dolëm. Kërcejshin e këndojshin: “Hidhe, hidhe Mine këmbën… ”, e çmos. Minja qe nji partizane si i printe valles. U zemëruem ku s’kish me shkue ma tepër. Nejse, u derdhëm. Nesret krisi pushka, se nji natë ma para u ba nji mbledhe te Kroi i Bollës. S’kam qenë aty, por do thojshin me u ra partizanëve e do tjerë jo. I kishim pritë, strehue e gjith’mos, po ato na poshtnuen, e kënduen at farimshë kange. Ato erdhën n’Lusën, po s’ndejtën rehat.

Muharrem Bajraktari qe n’Barruç, e ai qe prishë me partizanët se kishin dashtë me e vra te Fusha e Gjostilit me 10 shtator të 1944-s.

E, si erdhën punët, pushkë kahmos. U vranë e u përsheshën.

U vranë gjindja, partizanë e lusjanë, edhe nja dy tjerë prej katundeve tjera.

Prej tanëve u vranë Bajram Ramadani, Hamz Dervishi, Baftjar Sula me gjithë Ramën e të tjerë.

Lufta s’asht e mirë me njani-tjetrin, po kur bahet bahet. Luftë kemi pasë ba me serbët, po kjo me partizanët s’qe luftë, qe trishtim. Shqiptarë me shqiptarë.

Lufta ndërmjet veti asht e keqe.

Ajo si u ba u ba. Nuk di kush i pat fajet tejpërtej, po shkaktarë qenë partizanët se kënduen nji kangë fort të keqe, bile edhe tue u zgërdhi. Edhe ma para u sollën keq. Me krijue këshillin me zor, por edhe me marrë djemtë e katundit me zor në formacionin partizan.

Na prekën fort n’sedër, u munduen me na rrëzue përtokë.

Shpijat na i kanë djegë partizanët. T’parën e herës kanë djegë t’Hamit Destanit, t’Kamber Alisë e te e mbramja si 25 shpija, por edhe 9 stane.

Mbas lufte komunistat u munduen me e farue Lusnën.

Partizanë të Brigadës 18 e kanë pushkatue Xhafer Jashar Çejkun mu te shkolla.

 

Nga Fatmir Esat Çejku (i vitlindjes 1961)

Jam moshë e re e historinë e kam me të ndigjume, po çfarë na kanë kallzue t’vjetrin asht ngulitë fort në mendjen tonë. Kshtu, kujtesa jonë asht kolektive e pa asnji mungesë.

Sipas meje, katundi i Lusnës ka qenë shënjestër të regjimit komunist, e me pasë mundësi kish me e zhbi krejt.

Lufta në ’44-n n’katundin tonë erdh se partizanët e Br. 5-të e provokuen katundin bash n’ditë t’Bajramit, me nji kangë me fjalë plot helm si me t’luejtë mendja e kresë. Nji fjalë e vjetër thotë: “T’shamen e t’përbuzmen s’ta fali sot e njiqind vjet”.

U mblodhën n’darkë burrat e katundit te Kroi i Bollës. Jep e merr. Dikush thojke me u ra partzanëve se na përbuzën, u treguen bukëshkeltë.

Bajram Ramadani tha: “Jo. S’e nisi pushkën ndër fëmijë e gra”.

Kamer Dokuzi i tha: “A mos po tutesh?”.

“Jo”, – ia ktheu Bajrami. -“Shpija jeme e ka pasë zanat luftën. Babës tem, edhe n’ket moshë, s’i trembet syni”.

Ma n’fund e lanë prishtas. Po t’nesërmen krisi lufta e u vranë plot prej dy palëve.

Mbas lufte partizanët e Br. 18 e vranë Xhafer Jasharin te shkolla. E pse? Me ba shembull Lusnën e me futë frikën. Me e gjujzue e nështrue Lusnën tejpërtej.

Fundi i mbramë, jo veç fisi im u damtue. N’Lusën sikur ra flama e shkretimit.

Shteti komunist boll ka folë kah ana e vet, ka mashtrue, po katundi jonë i di punët tjetërndryshe.

Edhe sot n’Lusën ka prap vështirësi si pasojë e regjimit djeshëm.

Nji regjim mos raftë me u harrue!

Edhe bursat për fëmijët e Lusnës u jepeshin katundeve tjera. Por edhe ku jepej ndonji bursë për shkollë të mesme ishin të caktueme: për agronom, zoteknik ose për miniera. Kjo ndodhte se na cilësojshin “Katund reaksionarësh”.

Lusnën e kanë pa sa herë me dyshim. E patën futë n’hartën e sigurimit shtetit. E Lusna e pati t’garantueme veç kazmën.

 

Nga Shaban Rexhep Gjeta (i vitlindjes 1932)

Edhe n’Lusën pat fillue nji propagandë kundra komunizmit.

Ma n’fillim e pat hapë Zeqir Shabani. Ky pati marrë pjesë në luftën turko – ruse, shtatë vjet ushtar i turkut. Kur filloi lufta n’Shqipni, u shpreh: “Ishalla s’fiton Rusia se na fikë Zoti. Kushdo n’ardhtë, vetëm Moskovi, jo!

Folshin kundra Moskovit: Ali Matë Kolgjini, Hajdar Ukë Gjeta, Tahir Ali Kolgjini.

N’at propagandë na pat ra n’vesh se komunistat janë t’lidhun me Moskovin e Serbinë. Po Lusnën ma heret e pat pre serbi e Lusna s’kish qysh me qenë me komunistat.

N’fillim të shtatorit të 1944-s Brigada e Pestë e partizanëve erdh n’Lumë: nji batalion n’Bice, nji n’Kolesjan e nji n’Lusën.

Batalioni n’Lusën ka kërkue si edhe prej Lusne me dalë partizanë. Lusjanët thanë: “Do mbledhna si katund nji herë se kemi Bajramin e Madh përpara e mbrapa e vendosim”. Partizanët nëpër shpijat tona, po shamatë e rrëmujë s’kemi pasë.

Ditën e Bajramit, t’katundit tonë shkuen te xhamija me falë Bajramin. N’ket kohë partizanët janë avitë n’kurt t’xhamisë. Partizanët përjashta hekshin valle e këndojshin nji kangë acaruese, ndërsa t’katundit mbrenda n’xhami.

Katundarët tonë i thonë hoxhës: “O hoxhë, a po na e shkurton Bajramin?”.

Hoxha tha: “Po, po m’jepni leje sa t’bëj duanë”.

Mbas duasë njerëzit duelën rrëmisht prej xhamije.

Me nji anë kanga acaruese e n’tjetrën anë, te banorët e Lusnës pat zanë vend edhe propaganda se komunistat janë të pa pafè. E ashtu duel.

Kanga qe fort e idhtë, e kjo i zemëroi banorët. Asht e randë me ardhë n’katundin tand e me t’këndue asilloj kangësh fort të liga. T’liga fort! I patëm strehue partizanët e na duel keq.

Kam qenë vetë n’xhami e mbasi kemi dalë ndigjova njerëzit tue thanë: “N’darkë do mblidhna te Kroi i Bollës”.

Nji t’ardhme n’Lusën partizanët e vunë këshillin. Kadri Alija e Rexhep Salija, drejtues t’këshillit.

Nji ditë para Bajramit, Kadri Alija e Rexhep Salija shkuen te shtabi partizan n’Kolesjan me marrë nji farë leje si prej katundit do dilshin partizanë, po sa t’kalonte Bajrami. Po partizanët i bëjshin punët me ngut t’madh.

N’darkë te Kroi i Bollës ka pasë mendime t’ndryshme, o me u ra o mos me u ra partizanëve.

Dy lusjanët bujtën te Ramadan Hasani n’Kolesjan. Kanë bujtë dy net. Thonë se u takuen me Shefqet Peçin, po u kidh thanë: S’ka festë. Kështu thuhet. Kur krisi pushka t’nesret, Ramadan Hasani u thotë:

“Asht nji diçka, se krisën pushkët”.

Erdh lajmi se dy lusjanët u vranë prej partizanëve n’Kolesjan. Pse me i vra? Ato shkuen për marrëveshje.

Te Kroi i Bollës kanë qenë shumë: Hasan Tosuni, Daut Çejku, Baftjar Sulë Peposhi e plot.

Lufta ka nisë te Kepi i Vorreve. Nji pjesë luftojshin n’Lusën, nji pjesë n’Kolesjan e mbrapa u hap kahmos.

S’e di mirë punën e pushkës Hamit Destanit. Po di se Hamiti ka plasë pushkë tri herë. Kjo ka ndodhë ditën e dytë t’Bajramit, t’mërkurën. Kot e kanë fajësue Muharrem Bajraktarin. Luftën e kanë nisë lusjanët. Muharremi qe indiferent n’ket punë.

N’ditën e parë t’luftës, lufta asht nisë te Kepi i Vorreve e n’Suk t’fushës e n’Palqet. Partizanët kanë dalë edhe kah Vila, po i kanë kthye. Ditën e dytë lufta asht ba kah çejket sipër, bile n’Zabel t’Madh, n’Fushë t’Theknit. Ditën e tretë, partizanët janë tërheqë teposhtë. Prej tanëve, Hamz Dervish Peposhi asht vra n’qendër t’katundit, te Ara e Beqir Jeminit. Bajram Ramadan Çejku e Ramadan Hasa, n’Zhdrejtat. Ramë Sula asht plagosë afër shpisë Riza Halilit. Baftjar Sulë Peposhi, pushkatue n’Zhdrejtat.

Te Qafa e Rrasës janë vra: Sulë Avdi Lashi, Baftjar Halim Peposhi e Ahmet Mustafë Peposhi. Të tre, n’fillim i kanë futë me nji vorr. U vra edhe Hasan Sulë Peposhi. U vranë gjithato njerëz: partizanë e lumjanë. Partizanët i kanë vorrosë n’Hurdhatake, n’rreth t’ujit, te Rrejnat. Nji pjesë t’eshtnave i kanë tërheqë mbas lufte. Do me thanë, natën vorrime e ditën luftë.

Mbasi mbaroi lufta, burrat e katundit u larguen, mbetën vetëm pleq, gra e fëmijë.

Mbas dy ditësh, erdhën partizanët e qitën korierin me lajmërue katundin për nji mbledhje n’Zhdrejtat. Thirrja për krejt: “Po s’erdhët do t’u djegim shpijat”. Aty kanë shku pak vetë, do pleq e carrokë. Mu te lama ku vendi ish i rrethekuem kah katër anët.

Etem Gjinushi, Goliku, ka mbajtë nji fjalim t’ashpër, po n’fund tha: “T’larguemit t’vijnë e të dorëzohen se janë t’falun”. Po a u kishte besë?

Pushkë pati edhe n’Krue t’Bardhë, e qysh ditën e parë t’luftës erdhën ndihmë t’Lusnës edhe t’Vilës, t’Bushtricës, t’Buzëmadhes, t’Çajes. N’ditën e tretë t’luftës lufta pushoi.

Muharrem Bajraktari s’qe në ket luftë as si fizik as me urdhën. Ai s’ka dhanë sinjal me luftue, po edhe mbasi nisi lufta, s’kish mundësi me pushue. Me pas hy Muharrem Bajraktari n’luftë, zani kish shkue kahmos. Kish përkrahje t’madhe. Po t’kish pasë fjalë për luftë ai do kish hy n’luftë edhe Kalisi, Imishti e Kalaja e Dodës.

Nji fjalë popullore e jona thotë: “Hilja e dreqit gjaku lum”. Ajo si ndodhi n’Lusën qe vllavrasje, luftë civile. Pse? Partizanët s’erdhën si njerëz, po me kërcënime. Ato ishin formacion partizan. Lusjanët s’ishin tradhtarë, po kundërshtarë të t’keqes.

 

Nga Kadri Gani Çejku (i vitlindjes 1926)

Partizanët erdhën e bujtën n’katund tejpërtej.

Ditën e Bajramit u acarue puna te xhamija.  Qe 19 shtatori i 1944-s.

N’darkë u mblodh njerzija e katundit te Kroi i Bollës. Nji tubë e madhe me njerëz. Pat acarim n’at mbledhje. Qysh me ia ba kangës keqe? S’mund e kalonim kollaj se s’pat ba vaki asnjiherë. Do thojshin me u ra partizanëve, do jo. Bajram Ramadani tha: “Un s’e nisi pushkën ndër cuell e gra!”.  Dhe u ndanë jo si n’harmoni.

Partizanët patën ba shumë presion me nxjerrë partizanë prej katundit tonë. Kah e drejta, pse me dalë? Lufta qe n’të sosme. Me kë me luftue? Me mjegullat?

Nji natë para Bajramit, Kadri Gjeta e Ali Peposhi n’darkë patën shkue te shtabi i Brigadës Pestë, n’Kolesjan, me u thanë se edhe prej Lusne do dilshin partizanë, po mbasi t’kalonte Bajrami Madh.  Dy lusjanët kanë bujtë te Ramadan Hasani. Kur po ktheheshin, pat plasë lufta dhe i vranë me t’pabesë.

Ktu janë disa gjana:

Brigada e Pestë e sulmoi n’Gjostil Muharrem Bajraktarin me e vra, po s’mundi.

Përpjekja me marrë partizanë me zor prej Lusne.

Kanga e keqe si kënduen partizanët n’kurt t’xhamisë n’Lusën. Kjo i pezmatoi lusjanët.

Vrasja e dy lusjanëve n’Kolesjan: Kadri Gjeta e Ali Peposhi. Ato patën shkue me i paqtue gjanat, për marrëveshje.

Me datën 20 kanë krisë tri pushkë. Ma vonë u muer vesh se ato pushkë i pat krisë Hamit Destani. Lusna qe pa dijeni. Asht nisë lufta n’friktim. U ba i lamsh i madh. Kish krisë n’Kolesjan, krisi edhe n’Lusën. E mbrapa rropama e luftës u përhap kahmos.

M’erdhe si ushtri, ma nise kangën se e more Lusnën pa krisë nji pushkë. Lufta u ba krye për krye.

LEXO EDHE:

Shtator 1944/ Lufta Civile në Lusën u nxit nga një këngë partizane

 


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas